Avokatët e Metës kanë kërkuar pezullimin e çështjes. Sipas ekspertizës së tyre, videoja e Priftit, prova themelore e këtij procesi është e manipuluar
Tiranë, 16 janar 2012 – Sot pritet të jepet sentenca e Gjykatës së Lartë për Ilir Metën, i akuzuar për korrupsion aktiv.
Prokuroria ka dhënë pretencën për Ilir Metën. Prokurori Bujar Sheshi ka kërkuar për ish zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim është kërkuar dy vite burg. Përveç dënimit me heqje lirie, prokuroria ka kërkuar dhe një gjobitje me vlerë 1 milion lekë, dhe shlyerjen e shpenzimeve procedurale.
Në pretencën e prokurorisë, Meta u shpall fajtor për korrupsion aktiv. Organi i akuzës e konsideroi të besueshme dëshminë e ish ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, sipas të cilit Meta ka favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e HEC-eve dhe ankandeve të naftës. Sipas prokurorit, dëshmia e Priftit mbështetet nga prova të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, dhe nga tabulatet telefonike. Ndërsa dëshmia e biznesmenit Bekim Halilaj nuk është cilësuar e besueshme pasi sipas prokurorëve, Meta ka ndërhyrë për favorizimin e tij. Prokuroria ka bërë të ditur se nga tablatet telefonike del se Meta ka kryer me Halilajn 192 biseda telefonike ndërsa ky i fundit me Priftin 13 të tilla.
Bekim Halilaj, është president i kompanisë “Halilaj Group”. Dhe në videon Meta-Prifti, zhvillohet një bisedë lidhur me një tender që Halilaj synonte të merrte në Albpetrol, e për të cilën Meta jep porosi që të anulohet tenderi i parë.
Prokuroria e cilësoi videon Meta-Prifti autentike dhe të patjetërsueshme dhe konsideroi se ekspertiza e kryer nga 3 ekspertët shqiptarë nuk dha përfundime reale dhe nuk pati baza shkencore.
Ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar që gjykata të pezullojë çështjen. Avokatët e Metës kanë bazuar kërkesën mbi ekspertizën e videos së Priftit, sipas të cilës ka ndërhyrje.
Kjo çështje u hap pas denoncimit të Dritan Priftit me anë të publikimit të një videoje në Top-Channel.