Ta themi që në fillim: akoma nuk ka një datë se kur do të rinisë konvertimi i patentave shqiptare në italiane. E qytetarët e interesuar janë në pritje prej 25 dhjetorit 2019 kur skadoi marrëveshja që ishte në fuqi.
Kjo e konvertimit të patentave është në çështje që po shkon gjithnjë e më keq. Marrëveshja e shumëpritur u lidh më në fund në gusht 2009 me kohëzgjatje 5-vjeçare. U prit mbi 4 muaj kur marrëveshja u përtëri herën e parë (skadoi në gusht 2014 e u përtëri në dhjetor të atij viti). U deshën mbi dy vjet e gjysmë për të mundësuar njohjen e patentave të reja shqiptare që kanë nisur të lëshohen nga janari 2017 (në Itali, u bë e mundur njohja e tyre vetëm nga shtatori 2019). Tani sërish pritet përtëritja e marrëveshjes, prej 13 muajve.
Gjatë gjithë vitit të shkuar, pyetjet e vazhdueshme mbi këtë çështje kanë mbetur pezull. E vetmja përgjigje nga Ministria italiane e Transporteve dhe Infrastrukturave ka qenë në fillim të dhjetorit 2020 kur na është thënë që po punohet e është përmendur që sapo ishte nisur një “Notë” pa specifikuar se kujt e për çfarë. Nga pala shqiptare përgjigjet kanë qenë thuajse gjithnjë të tipit “Po punohet”, “Nuk kemi diçka përfundimtare akoma, por komunikimi ka qenë i vazhdueshëm me Institucionet italiane”, “Marrëveshja do të përtërihet shumë shpejt”. Vetë Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, në korrik të vitit të shkuar, pyetjes se në ç’pikë ishin negociatat për përtëritjen e marrëveshjes i përgjigjej: “Dua t’ju informoj se autoritetet përgjegjëse shqiptare dhe italiane edhe gjatë periudhës së Covid-19 kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm për të finalizuar teknikalitetet e nevojshme për përmbylljen e një marrëveshjeje përfundimtare për konvertimin e lejeve të drejtimit. Nënshkrimi i marrëveshjes së re nuk do të jetë i largët”.
Së fundi, përgjigjet janë më të shumta, por informacionet që jepen janë të pamjaftueshme e nuk mund të kënaqin asnjë sepse përtëritjes së marrëveshjes akoma nuk i dihet data se kur mund të bëhet realitet.
Në janar iu drejtuam sërish për të pasur informacion mbi këtë çështje, italisht e shqip, Ministrisë italiane të Transporteve, Ambasadës italiane në Tiranë, Ambasadës sonë në Romë, Ministrit të Shtetit për Diasporën, Ministrisë së Jashtme shqiptare, zyrës shqiptare të Bashkëqeverisjes.
Përgjigjet menjëherë (11 janar) Ambasada e Italisë në Shqipëri “in relazione alla sua richiesta, si comunica che la negoziazione è ancora in corso e si stanno definendo gli ultimi dettagli” (“lidhur me kërkesën tuaj, njoftojmë që negociatat janë vazhdim e po përcaktohen detajet e fundit”.
Nga Ministri i shtetit për Diasporën përgjigjen para pak ditëve (18 janar) “Ju bëjmë me dije se vazhdojmë të mbetemi në pritje të dërgimit të tekstit përfundimtar të projektmarrëveshjes nga pala italiane, për të vijuar më pas me procedurën e miratimit në parim nga Këshilli i Ministrave”.
Më e gjatë e me disa detaje, përgjigjja më 14 janar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë. “Ju vëmë në dijeni se autoritetet kompetente për negociimin e marrëveshjes kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë për formulimin dhe saktësimin përfundimtar të dispozitave përkatëse të marrëveshjes për të dyja palët, procedura këto të parashikuara në legjislacionet në fuqi në të dyja vendet për negociimin, nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjeve. Më 7 dhjetor 2020, është njoftuar pala italiane se pala shqiptare shprehet dakord me teksin e dakordësuar ndërmjet palëve”.
Me pak fjalë Ambasada thotë që u desh plot një vit nga data e skadimit të marrëveshjes që palët të bien prapë dakord (e të njoftojnë njëra tjetrën që janë dakord?!) për “formulimin e saktësimin përfundimtar të dispozitave përkatëse të marrëveshjes”. Po a nuk është fjala vetëm për përtëritjen e të njëjtës marrëveshje, të përtërirë një herë në vitin 2014? Aq më tepër që të gjitha detajet e patentave të fundit që lëshohen në Shqipëri iu kaluan palës italiane në vitin 2019 kur u bë më në fund i mundur konvertimi i tyre në italiane?
Mesazhi i Ambasadës vijon me disa sqarime të tipit “krahasimi e njohja e procedurave përkatëse të pajisjes me leje drejtimi të automjeteve nga secili vend, procedurë kjo e parashikuar në marrëveshje, kërkon kohën e vet të shqyrtimit”, që “kjo kohë ndoshta është zgjatur më shumë për shkak të kufizimeve të pandemisë COVID-19”. Jo vetëm flitet gjithnjë sikur të jetë fjala për një marrëveshje që duhet lidhur nga e para, e jo përtëritje, por harrohet që marrëveshja skadoi – e për rrjedhojë duhet edhe të ishte në përtëritje e sipër – në një kohë kur as në Shqipëri e as në Itali nuk kishte asnjë emergjencë shëndetësore. Madje, derisa qenka e ditur që procedurat kërkojnë kohën e vet, edhe negociatat për përtëritjen duhet të kishin filluar shumë më parë.
Pyetja mbetet. Kur do të jetë sërish i mundur konvertimi i patentave shqiptare?
Ambasada shkruan mes të tjerash “Me konfirmimin e tekstit përfundimtar të projektmarrëveshjes nga pala italiane, do të vijohet me prioritet me procedurën e miratimit në parim, nënshkrimit, miratimit përfundimtar dhe hyrjes në fuqi të marrëveshjes”.
“Gjithsesi, palët kanë mbi tavolinë tekstet përfundimtare dhe do të informoheni menjëherë sapo të përfundojnë procedurat e miratimit” e mbyll përgjigjen e saj ambasada.
Nuk dimë nëse teksti përfundimtar është konfirmuar nga pala italiane, por edhe sikur kjo të ketë ndodhur, është e sigurt që përtëritja e marrëveshjes deri më sot nuk është miratuar në parim. E nga miratimi në parim deri në hyrjen në fuqi të përtëritjes së marrëveshjes mund të kalojnë muaj të tërë. Një shembull aspak ogurmirë: ishte 22 maj 2019 kur qeveria shqiptare miratoi në parim “ndryshimin me shkëmbim notash të marrëveshjes, mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për konvertimin e patentave shqiptare të lëshuara nga viti 2017 e më vonë”; kjo gjë u bë realitet vetëm më 9 shtator 2019.
Përgjigjja e plotë e Ambasadës:
Keti Biçoku