Të gjithë ata që për probleme të rënda nuk arrijnë të paguajnë kredinë e shtëpisë, brenda qershorit mund t’i kërkojnë bankës pezullimin e kësteve. E parashikon shtyrja e të ashtuquajturit “plani për familjet”, marrëveshje mes shoqatave të konsumatorëve dhe shoqatës bankare italiane.
Pezullimi zgjat 12 muaj dhe është i vlefshëm për kreditë deri në 150 mijë euro, të marra për të blerë, ndërtuar apo ristrukturuar banesën kryesore. Për më tepër, kush kërkon pezullimin duhet të ketë të ardhura vjetore deri në 40 mijë euro dhe të jetë viktimë e një ngjarjeje negative si vdekja e një familjari, humbja e vendit të punës, një sëmundje apo fatkeqësi që e ka bërë të pavetëmjaftueshëm.
Këto janë kushtet bazë, por bankat që mbështesin iniciativën mund të ofrojnë të tjera më të favorshme.
Plani për familjet është një alternativë e Fondit të solidaritetit të ngritur disa muaj më parë nga Shteti, që po ashtu, parashikonte pezullimin e kësteve, me kushte pak a shumë të ngjashme.