in

Provimet e maturës, kusht pranimi edhe për universitetet private

Lajmi i ATSh-së që sjellim këtu është shqetësues dhe të bën të buzëqeshësh hidhur. Pohohet që nga ky vit të rinjtë mund të regjistrohen në universitetet private vetëm pasi të kenë marrë provimet e maturës. Po si ka qenë deri dje? Paska mjaftuar të kishe dhënë dy nga katër provimet e maturës për t’u regjistruar në një prej universiteteve të shumta private të ngritura në Shqipëri!

Tiranë 16 mars 2011 – Provimet e maturës do të jenë kusht pranimi edhe për kandidatët që do t’u drejtohen universiteteve private.

Sipas ATSh-së, ministria e Arsimit konfirmon se ndryshe nga vitet e shkuara, pranimet e studentëve vitin e ardhshëm do të shoqërohen me kritere më të rrepta.

Sipas këtyre kritereve, maturantët duhet të marrin nota kaluese në të katër provimet e maturës.
Më parë mjaftonte që maturantët të merrnin dy provimet e detyruara për t’u pajisur me dëftesën e shkollës së mesme dhe me këtë dëftesë mund të regjistroheshin pranë universiteteve private, në rast se nuk përzgjidheshin në fakultete publike nëpërmjet sistemit meritë-preferencë.

Tani gjimnasi konsiderohet i përfunduar vetëm kur maturanti pajiset me diplomën përkatëse, e cila lëshohet vetëm pas marrjes së notave kaluese në këtë katër provimet, në dy provimet e detyruara, që do të zhvillohen në lëndën e matematikës dhe letërsisë e gjuhës shqipe, si dhe në dy provimet me zgjedhje të caktuara prej tij.

Sipas MASH, me këto ndryshime synohet që raporti i liberalizimit të pranimeve të ecë paralelisht dhe me rritjen e cilësisë akademike, kjo veçanërisht në të shumëpërfolurat shkolla private.

MASH konfirmon se për vitin që vjen kuotat e pranimeve në fakultetet publike do të rriten me 10 për qind, ku prioritare do të jenë degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi.

Si çdo vit Universiteti i Tiranës do të ketë numrin më të lartë të pranimeve, të shpërndara sipas programeve që do të ofrojnë tetë fakultetet e tij. Pranimet në këtë institucion nuk pritet të shkojnë më shumë se propozimet e vitit të shkuar, përkatësisht me rreth 7 mijë të drejta studimi, ku Fakulteti i Drejtësisë dhe Ekonomiku pritet të kenë numrin më të madh të të drejtave të studimit që do të ofrojnë për maturantët.

Gërdeci: Opozita proteston, Berisha i bashkohet dhimbjes së familjarëve

Sulmohet një i ri shqiptar: “Ik qërohu nga Italia!”