Të diasporës, ose jo, shqiptarët po sillen kaq mirë, ndoshta në rend të parë, pse janë qytetarë të sistemeve shtetërore që të imponojnë rregullin dhe disiplinën. Këtij imponimi madje i binden dhe ata që vijnë nga Shqipëria, pavarësisht veseve që sjellin prej vendlindjes: sistemi e disiplinon njeriun, madje dhe të huajin. Ndërsa politika shqiptare, që mburret për tifozerinë, le të vihet në mendime për veten
Nga Mentor Nazarko
Paraqitja e Kombëtares së futbollit dhe tifozëve të saj është shndërruar tashmë në lajm pozitiv dhe subjekt komentesh cilësore ndërkombëtare. Gjithçka – dhe këtu po i referohem sjelljes së tifozëve – ka qenë e përkryer dhe ngjan akoma më e përkryer, po të llogaritet se nuk bëhet fjalë për diçka të organizuar, por për diçka krejtësisht spontane. Si e tillë, ajo është e vërtetë, autentike dhe për këtë arsye shumë e vlefshme për të përmirësuar rrënjësisht imazhin tonë kombëtar në botë.
Për më shumë kjo shfaqje e përkryer e këtij imazhi nuk është në sytë e elitës politike të një vendi, një populli tjetër, por për shkak të ndjekshmërisë së lartë të futbollit si sport popullor, ajo është tashmë në sytë e gjithë Europës, apo dhe më gjerë. Audienca gjigande është diçka që e rrit ndjeshëm ndikimin e kësaj shfaqjeje. Gjithçka vlen në këtë ndërtim imazhi të shkëlqyer: vallet me tifozerinë rivale, vajzat paksa të zbuluara qëllimisht që vijnë nga një vend mysliman; vëllezërit Xhaka dhe familjarët e tyre me veshje të personalizuara dyngjyrëshe etj., etj.
Por para se të përpiqemi për të vjelë frytet e fitores së Europianit të spektatorëve, ndoshta ia vlen të kridhemi në analizën e shfaqjeve të kësaj tifozerie të mrekullueshme, eksporti më i mirë aktualisht i Shqipërisë në botë. Në fakt dhe i shqiptarëve si komb, sepse tifozët vijnë nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarë, përfshi dhe diasporën. Ne e bëjmë analizën duke pandehur, derisa kërkuesit shkencorë të vërtetojnë pandehmat tona, apo t’i hedhin poshtë ato.
Është krejtësisht e qartë se pjesa më e madhe e tifozerisë është e re, është me prejardhje nga diaspora, pa dallim – e Shqipërisë, e Kosovës, apo viseve të tjera. Ngjan e pamundur, për shembull, që shumica të kenë ardhur nga Shqipëria, diçka e ngjashme, për shembull, me Islandën, e cila ka dërguar në Francë afro 10% të popullsisë së vet. Me hipotezën e kundërt që shumica janë banorë rezidentë të Shqipërisë do duhet të pranonim që vendi të ketë mirëqenie aq të lartë sa të kishte aq shumë njerëz që paguanin ndoshta më shumë se gjithë tifozët e tjerë të skuadrave kombëtare.
Të diasporës, ose jo, shqiptarët po sillen kaq mirë, ndoshta në rend të parë, pse janë qytetarë të sistemeve shtetërore që të imponojnë rregullin dhe disiplinën. Këtij imponimi madje i binden dhe ata që vijnë nga Shqipëria, pavarësisht veseve që sjellin prej vendlindjes: sistemi e disiplinon njeriun, madje dhe të huajin. Këta të rinj të diasporës janë të edukuar shumë më mirë se bashkëkombasit e mbetur në vendlindje, dhe mbi të gjitha janë krenarë për kombin e tyre: kualifikimi i ekipit kombëtar është motiv krenarie në mjediset ku ata jetojnë.
Përveç motiveve historike, Skënderbeut etj., komunitetet shqiptare në botë, brezi i ri, po fiton motive të reja krenarie – Kombëtarja e suksesshme e futbollit, pritja e Papës, apo xhiroja e udhëheqësve fetarë në Paris etj., etj. Ky argument, vendbanimi aktual i pjesës më të madhe të tifozëve kryesisht të rinj, nuk është i vetmi që justifikon sjelljen shembullore të shqiptarëve dhe duhet parë i lidhur me të tjerë. Se përndryshe, pse tifozët anglezë, apo dhe rusë, zihen egërsisht me njëri-tjetrin?
Vijmë këtu tek argumenti tjetër: tifozeria shqiptare nuk është e strukturuar, e organizuar si tifozeritë e tjera europiane, me traditë në beteja apo në vepra të mira dhe me gjasë nuk ka brenda prijës, apo udhëheqës të grupeve që si ish-ushtarakë vijnë nga eksperienca lufte ndërkombëtare, apo ndëretnike, si mund të jenë tifozeritë ruse, angleze, serbe, kroate, apo të tjera. Ndoshta Plisat e Kosovës, apo Ballistët e Maqedonisë bëjnë këtu pak përjashtim, por ata numerikisht nuk përfaqësojnë diçka ndikuese në të tërën, sa kohë që nuk janë rrjet i madh i shtrirë në të gjithë Europën, me përjashtim të ndikimit në koreografinë e përgjithshme apo në motivet korale.
Për fat të mirë, Greqia dhe Serbia nuk janë kualifikuar, që mbase të kishim ndonjë shfaqje tjetër të ndryshme nga kjo, por ne nuk mund të lutemi që ata të ishin dhe pastaj të testoheshim në kushte të tjera… Për fat bashkëkombësia e një pjese të lojtarëve të Zvicrës me tanët nuk shërbeu si motiv përplasjeje, por si motiv miqësie mes tifozerive, përjashto ndonjë kor i turpshëm stadiumi për Behramin, i cili ndërkohë i thirrur në kor me krenari nga zviceranët, ishte gjithashtu detaj i bukur i Europianit tonë si komb.
Po si ta shpjegojmë diferencën midis imazhit që lënë shqiptarët në jetën e tyre të përditshme në Europë, me atë që po ndërtojnë “tifozët” miqësorë, kombdashës, por edhe globalistë shqiptarë? Ndoshta pse ajo pjesë që bën krimin e ashpër shqiptar në Evropë vazhdon të bëjë të njëjtën gjë në oraret e ndeshjeve (me gjithë humorin italianëve për hajdutët shqiptarë dhe rumunë). E bën këtë pa e çarë kokën për Europianin, ose se numri i tyre është i vogël.
Pjesa tjetër, lart në hierarki, ajo që drejton krimet, si trafiku i drogës, prostitutave etj., nëse ka ardhur në stadiume, me siguri do të donte të bënte figurë të mirë dhe brenda shumicës dërmuese të të rinjve prirja e tyre për keqbërje do të “hollohej” shumë. Me gjasë në këtë sjellje të spikatur për mirë të tifozerisë shqiptare, mund të ketë ndikuar dhe fakti që ne jemi në një garë ndërkombëtare për herë të parë. Ende s’po kuptojmë çfarë po ndodh; gjithçka është për t’u zbuluar dhe gëzimi për praninë e parë në këtë festë të madhe futbollistike, e përmban pakënaqësinë për rezultatet e arritura.
Ndoshta dhe njëlloj ndjenje adhurimi për një pjesë të mirë të ekipeve, që vjen prej traditës, pse jo njëlloj inferioriteti për Europianët e mëdhenj, për të cilët ne bënim tifo, ndikon gjithashtu. Pavarësisht argumenteve mbi të cilat ne bëmë pandehma, në gjithë këtë shfaqje të bukur të futbollit europian, shqiptarët lanë pashlyeshëm gjurmën e tyre të ndritshme. Kjo gjurmë për fat të mirë do të reflektohet dhe jashtë futbollit.
Ndërkohë mbi gjithë këtë frymë krenarie kombëtare, përkatësie kombëtare që ka rilindur, kryesisht nëpërmjet brezit të ri të diasporës, por jo vetëm, do duhet ngritur diçka e re jashtëfutbollistike. Është energji pozitive që mund dhe duhet përdorur për mirë, që punët në administrimin e shoqërive dhe shteteve tona të shkojnë më mbroth. Me pak fjalë, politika është më e keqe se shoqëria jonë, dhe ajo do duhet të vijë në të njëjtën brazdë me të. Ndërsa mburret për tifozerinë, le të vihet në mendime për veten.
Botuar në Panorama