in

Punonjësit sezonalë. Gati dekreti i flukseve 2014 për 10 mijë persona

Do të jenë një e treta e të autorizuarve vitin e shkuar. Ministria e Punës: “Kërkesat kanë rënë e këtu ka shumë të papunë”. Coldiretti: “Do të jetë vetëm pjesa e parë”

Romë, 2 dhjetor 2013 – Do të jenë shumë më të paktë në numër se vitet e shkuara, të paktën si fillim, punonjësit sezonalë që mund të vijnë të punojnë në Itali gjatë vitit 2014. Një zgjedhje kjo e detyrueshme, po të konsiderohet rënia e kërkesave, por edhe me shpresën se një pjesë e mirë e të papunëve, italianë e të huaj, mund të gjejnë për ca muaj një vend pune në bujqësi, hotele e restorante.

Dekreti i ri i flukseve për punonjës stinorë për bujqësinë dhe turizmin është tashmë në tryezën e qeverisë. Objektivi (po ta arrinin do të ishte rekord!) është që të shpallet brenda dhjetorit. Teksti do të autorizojë 10 mijë hyrje të reja për vitin e ardhshëm, tre herë më pak se këtë vit, dhe kërkesat e punësimit do të paraqiten si zakonisht në internet.

Reduktimi i ndjeshëm i kuotave është pasojë e një analize të bërë nga ministria e Punës mbi punësimet e sezonalëve të ardhur nga jashtë Italisë vitin e fundit. Për 30 mijë kuotat e dekretit 2013 – del nga analiza e ministrisë, – janë paraqitur 37 mijë kërkesa, por as 9 mijë kanë marrë nulla-osta dhe më pas, rreth 5 mijë janë transformuar në një leje qëndrimi.

Natyrisht ka akoma praktika të pambyllura, e ka pasur edhe ndonjë dorëheqje nga ana e punëdhënësve apo punonjësve. Drejtoria e Përgjithshme e Imigracionit e ministrisë së Punës sinjalizon “duket qartë që një pjesë e mirë e kërkesave të flukseve bëhen për qëllime të tjera e jo për të përmbushur nevoja të mirëfillta pune”.

Edhe dekreti i punonjësve sezonalë, me pak fjalë, është shfrytëzuar si mundësi  legalizimi, me të gjitha abuzimet dhe mashtrimet që kjo sjell. Kushedi sa vetë kanë paguar mijëra euro për një kontratë pune që nuk është lidhur duke humbur shpresën e lejes së qëndrimit e një tufë para. Një tjetër aspekt që duhet mbajtur në konsideratë: kërkesat e rreme kanë bllokuar zyrat që duhet t’i shqyrtonin, në dëm të punëdhënësve të ndershëm.

“Nevoja reale e hyrjeve të reja – përfundon ministria e Punës – bie në mënyrë domethënëse, duke konfirmuar një prirje aktuale të krizës ekonomike dhe të punësimit që redukton kërkesën e punës dhe në të njëjtën kohë thekson ofertën e krahut të punës në dispozicion të qytetarëve italianë, të komunitarëve të rinj dhe të jokomunitarëve të pranishëm në Itali. Është mëse e mundur që kjo tendencë të vazhdojë edhe në vitin 2014”.

Në këtë situatë lind dekreti me 10 mijë hyrje, numër kuotash për të cilën është rënë dakord edhe me shoqatat e kategorisë. Por me një kusht: “Ne e konsiderojmë këtë shifër vetëm një pjesë të parë, për të përmbushur kërkesat e tanishme të bujqësisë. Po të ketë akoma nevojë për krah pune, duhet që qeveria të japë kuota të reja” shpjegon Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës në Coldiretti.

Së fundi, teksti që po shqyrton qeveria përmban edhe 4 mijë kuota për konvertime lejesh sezonale në leje qëndrimi për punë të varur.

Bazuar në atë çka ndodhi këtë vit, Coldiretti ka kërkuar t’u jepet përparësi në shqyrtim kërkesave të paraqitura nga ndërmarrje që historikisht përdorin krah pune me karakter sezonal. Shoqata shpreson në një rimëkëmbje ekonomike e për rrjedhojë mendon se kërkesa e vitit 2014 do të jetë më e lartë se ajo e këtij viti, por shikon me mëdyshje mundësinë e gjetjes në Itali të të papunëve që pranojnë të punojnë në ara: “Sa prej tyre – pyet Magrini – kanë punuar ndonjëherë në bujqësi?”.

Elvio Pasca

Ponte dell’Unità: Voglia d’integrazione conoscendo diritti e doveri

Renzo Bossi e altri studenti italiani indagati a Tirana