in

Pushime në Shqipëri, mes veprimtarish të ndryshme artistike

Artistë europianë e shqiptarë, koncerte në festivalin ndërkombëtar të muzikës në Durrës

Durrës 22 gusht 2010 – Festivali i 5-të ndërkombëtar i muzikës së dhomës që po zhvillohet në Durrës ka ngjallur interesimin e specialistëve vendas të muzikës për nivelin e intepretimit dhe programin e përzgjedhur nga artistët pjesmarrës.

“Në katër koncertet e organizuara në sallën e teatrit, ka larmi të programeve dhe shkollave muzikore austriake, franceze, italiane dhe shqiptare, nga vijnë më së shumti edhe instrumentistët pjesmarrës”, thotë për ATSH-në Nevila Kalaja, drejtore artistike e Festivalit.

Mbrëmjen e të shtunës të pranishmit vlerësuan lojën e komponentëve të ansamblit të frymës “Climax”. “Artistët e rinj italianë nga qyteti i Lecces janë të njohur në vendin tonë dhe tre prej tyre kanë intepretuar edhe më parë në mjediset e pallatit “Aleksandër Moisiu”, thotë Pirro Sota, fagotist në orkestrën e Radiotelevisionit shqiptar. Ai vlerëson disiplinën artistike të pesë instrumentistëve të rinj të ansamblit, të cilët sollën për dëgjuesit vepra nga Moxart, Hajdn, Maskanji, Bize, Verdi dhe Rosini.

Vlerësime mjaft të mira ka patur për interpretimin e violinistit francez, Ami Flammer dhe kolegut shqiptar Bujar Sykja, të cilët së bashku me ansamblin instrumental “Stinët” krijuan një atmosferë të veçantë në koncertin e dytë të Festivalit.

Festivali i 5-të ndërkombëtar i muzikës së dhomës organizohet nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare” dhe mbështetet nga MTKRS dhe Bashkia e Durrësit.

Më 26 gusht, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Koncert jubilar në Tiranë

Tiranë 22 gusht 2010 – Aktivitetet festive për përvjetorin e 100-të të lindjes së Nënë Nënë Terezës, nobelistes me origjinë shqiptare, do të kulmojnë në Tiranë mbrëmjen e 26 gushtit, me koncertin jubliar “Rruga e Jetës”, në Teatrin e Operas dhe Baletit.

26 Gushti është dita e lindjes së humanistes, e njohur në gjithë botën për misionin e saj në ndihmë të të sëmurëve dhe të varfërve dhe si e tillë kjo ditë do të festohet në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë, por jo vetëm. Në Shqipëri, viti 2010, sikurse në Kosovë dhe Maqedoni është shpallur si “Viti i Nënë Terezës”, nga qeveritë respektive.

Përgjatë këtyre muajve në Tiranë dhe qytete të ndryshme të vendit, janë organizuar një numër aktivitetesh në kujtim të Nënë Terezës, e cilësuar si “shënjtorja e të varfërve”, pjesë e të cilit do të jetë dhe koncerti “Rruga e Jetës”, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Të ftuar në aktivitetin që organizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatri Kombëtar Kombëtar i Operas dhe Baletit, do të jenë edhe përfaqësues nga Kalkuta, metropoli i madh Indian ku u frymëzua më shumë prirja e Nënë Terezës në ndihmë të të varfërve dhe ku ajo u shua në 5 shtator të vitit 1997.

Solistë të njohur të muzikës operistike, Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Shpresa Beka, Armando Likaj do të jenë protagonistë të këtij koncerti jubliar, që do të shoqërohen nga Kori, me dirigjent Dritan Lumshi, dhe Orkestra Simfonike e TKOB, e drejtuar nga Zhani Ciko.

Në këtë aktivitet, me regjisor Milto Kutalin dhe skenograf Platon Bardhi, do të jetë e ftuar e vecantë artistja e njohur e skenës Roza Anagnosti.

Më 29 gusht nis në Durrës edicioni i tretë i Festivalit ndërkombëtar të filmit

Durrës, 22 gusht 2010 – Edicioni i tretë i Festivalit ndërkombëtar veror të filmit do të nisë në amfiteatrin antik të Durrësit të djelën e ardhshme më 29 gusht, bëri të ditur sot për ATSH-në Anila Varfi, drejtore e këtij Festivali. Tashmë festivali ka hyrë në kalendarin e veprimtarive të rëndësishme të sezonit veror në qytetin turistik të Durrësit.

“Në konkurimin zyrtar të Festivalit këtë vit do të marrin pjesë 16 filma artistikë të metrazhit të gjatë, autorët e të cilëve synojnë “Gladiatorin e artë” që do të jetë përsëri Çmimi më i rëndësishëm i kësaj veprimtarie,” thotë  Varfi, sipas së cilës filmat e përzgjedhur nga krijimtaria e vitit të fundit do të sjellin në Durrës produkte mjaft të mira kinematografike.

30 filma shqiptarë të metrazhit të shkurtër të Akademive tona të filmit do të konkurojnë në seksionin “Filmi i shkurtër shqiptar”duke hapur edhe një mundësi tjetër përfaqësimi për regjisorët e rinj-u shpreh Varfi.

Duke zbuluar disa nga risitë e tjera të këtij edicioni organizatorja e kësaj veprimtarie Anila Varfi shprehet  se në programin e ngjeshur të Festivalit është parashikuar edhe projektimi i disa prej prodhimeve më të mira filmike tre viteve të fundit në Francë, vendi mesdhetar që pason Italinë, protagoniste në Festivalin e vitit 2009. Një grup dokumetarësh që vijnë nga vende të bndryshme të botës do të shfaqen në një seksion jozyrtar të konkurimit që do të organizohet kryesisht në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Gjatë javës së festivalit është parashikuar edhe projektimi i pjesës më të madhe të krijimtarisë së regjisorit të njohur të viteve 1960-1980 Kristaq Dhamo.

Këtë vit, një çmim i veçantë do të jepet për Filmin më të mirë ballkanik dhe çmime të tjera janë parashikuar për Regjisorin, Aktorin dhe Aktoren më të mirë, pa harruar edhe një çmim special që do të jepet nga juria e Kritikës.

Çmimi “Gladiatori i artë” në edicionin e kaluar iu dha filmit italo-austriak “La Pivellina” të regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimmel. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Durrësit synon  të forcojë lidhjet kulturore mes Shqipërisë dhe  Evropës, duke nxitur edhe marrëdhëniet profesionale të artistëve të shumtë pjesmarrës.

Në Vlorë mungojnë rojet bregdetare, operatorët turistikë gjejnë zgjidhje personale

Apolloni, del në dritë një bust romak