in

Pushimet pa identitet

Në konceptin e kamufluar të pushimeve në Shqipëri, shqiptari “i huaj” trillon një tendencë të re të një rikthimi tek statusi natyror, në një skenë të çliruar nga detyrimet civile të perëndimit të përngjashëm me atë status që kishte lënë në momentin e arratisjes nga ai vend. Shpeshherë ky qëndrim rrezikon të kthehet në diçka të shkëputur ose më keq në një sjellje incivile.

Nga Afërdita Shani

Mediat shqiptare flasim për mijëra emigrantë shqiptarë që rikthehen per pushime verore çdo vit në vendlindje. Faktikisht po të shikosh avionët, anijet e autostradat e Kroacisë gjatë muajit gusht vërteton që kjo eksperiencë i përket një pjesë të madhe edhe të shqiptarëve që jetojnë ne Itali të cilët kthehen në Shqipëri dhe jo vetëm për pushime por edhe për “shumë punë të tjera”.

Rastësisht pyes disa prej tyre “Si i kaloni pushimet në Shqipëri?”, dhe ata pa hezitime të flasin për ndryshimet e mëdha që po jeton i gjithë vendi, si nga ana e infrastrukturës dhe e ndërtimeve pa fund, edhe në sjelljet shoqërore. Ajo që dallohet menjëherë nga përgjigjja është mungesa e një lidhjeje të përgjigjes drejtëpërdrejt me termin e “pushimit”. Konceptet “pushim” dhe “ndryshim” ndërthuren aq mirë saqë përgjithësisht i lë të hutuar emigrantët shqiptarë ndaj njërit ose tjetrit term.

Të lind vetvetiu pyetja: çfarë ka ndryshuar dhe po ndryshon në Shqipëri? Cili është shkaku i ndryshimeve në sjelljet shoqërore?

Në Shqipëri çdo gjë paraqitet në një imazh të paqartë që të jep fillimisht impaktin e një shoqërie në kërkim të identitetit të humbur. Identitet që është i copëtuar sa nga rrënjët mashtruese të së kaluarës që vërehet thjesht edhe në infrastrukturën e përzier me atë modernen; sa nga rrënjët pa themele të përhapura jashtë kufijve ku jetojnë më se një e treta e shqiptarëve dhe që vazhdojnë të mos kenë ide të qarta se ça i kërkojnë ose i ofrojnë vendit të tyre akoma i “dashur”.  

Për t’u ndarë qëllimisht nga polemikat politike, të marrim si shkak të parë të mungesës së një identiteti civilo-shqiptar, sjelljet e qytetarëve pa përgjegjësi dhe respekt shoqëror. Këto sjellje shoqërore të pështjellta rrjedhin nga një perëndizim akoma i paarritur, si dhe nga mungesat e bindjeve në rregulla të qëndrueshme për vetë shoqërinë shqiptare.

Periudha konfuzionale e shqiptarëve jashtë shtetit që në pushime vazhdojnë të mos reagojnë me dinjitet për të përhapur praktika të mira, e rëndon më tej gjendjen.

Në konceptin e kamufluar të pushimeve në Shqipëri, shqiptari “i huaj” trillon një tendencë të re të një rikthimi tek statusi natyror, në një skenë të çliruar nga detyrimet civile të perëndimit të përngjashëm me atë status që kishte lënë në momentin e arratisjes nga ai vend. Shpeshherë ky qëndrim rrezikon të kthehet në diçka të shkëputur ose më keq në një sjellje incivile.

Në fund të fundit kjo situatë nuk është edhe aq e çuditshme për këta pushues sepse nuk i largohet idesë së pushimeve që i huaji shqiptar kërkon në Shqipëri: “kushte që të të shkëpusin komplet nga jeta e përditshme dhe monotonia e një viti pune, duke i dhuruar një pastrim trurit nga oksidentalizmi ose më mirë nga të qenit të civilizuar perëndimorë”. Pak rëndësi ka realisht pushimi i trupit ose mungesa e trasferimit të ndikimeve ose praktikave të mira.    

Nga ana tjetër shqiptarët e Shqipërisë nuk e pranojnë me dëshirë krahasimin ose ballafaqimin mes dy entiteteve që mund të ngjajnë si të kundërta fillimisht, qoftë kjo në formën e të menduarit, të sjelljes shoqërore ose të një situate kritike individuale. Sa më pak u shpreh këndveshtrimin tënd aq më mirë është për të gjithë!

Me mungesën e rregullave shoqërore, të barabarta për të gjithë dhe të cilat duhen respektuar, lind shtysa e natyrshme për t’i thyer edhe ato pak rregulla ose për t’u ndier tërësisht në gjendje “të egër” pa asnjë formë detyrimi. Nga ana tjetër rritet fleksibiliteti dhe toleranca ndaj kushteve që nuk meritojnë as tolerancë as fleksibilitet. Kur s’ka për një, s’ka për asnjë, e anasjelltas!

Pasoja e parë anësore i këtyre kushteve është rregullimi i kohës në bazë të nevojave personale dhe jo atyre shoqërore. Duket sikur në Shqipëri nuk ekziston problemi i kohës, secili e vendos vetë ecurinë e saj, dhe rregullat që drejtojnë levizjet personale ndryshojnë përditë, në mënyrë të pavarur nga kontrolli i jashtëm. Çdo gjë funksionon sipas ligjit të “përafërsisht-es”.

Ndarja e kohës ashtu siç e kishin menduar Babilonasit dhe Egjipti i lashtë çorientohet në një vend ku zotëron pasiguria e realizimit të detyrave, moskontrolli i orëve, mungesa e rregullave shoqërore supreme, të njëjta për të gjithë, dhe si pasojë çdo gjë përfundon në konceptin “me krye punë”.

Me këtë koncept nuk arrin të strukturosh kohën as me bizneset, sepse nuk merr dot takimet me orare, nuk respekton rregullat rrugore, nuk respekton radhët, nuk çohesh nga kafeneja pa e vendosur vetë kamerieri, nuk pret gatishmëri nga asnjë zyrë publike, dhe sidomos nuk ia prish dot lumturinë asnjeriut duke i vënë si detyrim respektime që nuk i përkasin.  

Gjithsesi, imazhi mbetet ai i një vendi gjithnjë e më shumë në transformim-tranzicion, ku edhe e pamundura bëhet e mundur! Mbase përmbysja e rregullave shoqërore, aktualisht në favor të konceptit “me krye punë” që ushqen korrupsionin, një ditë do t’i binden praktikës së efikasitetit të dobishëm: “e bërë mirë” është për të gjithë.

Për momentin qoftë shqiptarët në Shqipëri qoftë ata të huaj nuk po e shtrëngojnë veten për të kombinuar identitetet e tyre shoqërore duke krijuar një identitet të pranuar nga të gjithë, pa ia lënë fajin të paidentifikuarit.

Kolonja e Nolit, një pikë e mahnitshme turistike

Aksident rrugor. Foshnja në gjendje shëndetësore kritike