in

Qendra pritjeje për 100 mijë refugjatë në Ballkan, përfshirë Shqipërinë

Arrihet një marrëveshje mes 11 vendeve të BE-së dhe Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë lidhur me çështjen e migrantëve që përdorin rrugën ballkanike për të shkuar drejt Evropës.

 

“Do të çojmë në 100 mijë kapacitetin pritës të migrantëve në Greqi dhe gjithë Ballkanin perëndimor”. Kështu u shpreh kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker që në fund të takimit mes 11 kryetarëve të qeverive të vendeve të BE-së, nga Gjermania te Greqia, dhe ata të tre vendeve kandidate Shqipëri, Maqedoni e Serbi, lajmëroi arritjen e një marrëveshjeje për menaxhimin e krizës së migrantëve, të cilët përdorin rrugët ballkanike për mbërritjen në Evropën Perëndimore.

Sipas marrëveshjes, në Ballkan do të ngrihen qendra pritjeje për refugjatët me kapacitet deri në 100 mijë vende, siç ka sqaruar kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker: “Do të krijohen 100.000 poste pranimi për refugjatët, 30.000 në Greqi deri në fund të vitit, dhe 20.000 të tjera në sajë të ndihmës së UNHCR-së, në ndërkohë që 50.000 postet e mbetura do të krijohen përgjatë rrugës ballkanike, sërish me ndihmën e UNHCR-së”.

Në fund të këtij takimi pjesëmarrësit kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët që angazhohen të zbatojnë. Deklarata përmban 17 pika operative si detyrimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të rregullt për flukset dhe nevojat, detyrimi për informimin paraprak për lëvizjen e refugjatëve në kufijtë e vendit fqinj, sigurimi i strehimit përgjatë rrugës ballkanike për refugjatët në lëvizje, menazhimi me efikasitet i flukseve nëpërmjet regjistrimit, kthimeve dhe shtimit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e treta, si dhe menaxhimin efektiv të kufijve.

Në takim mori pjesë kryeministri Rama që premtoi se Shqipëria do të luajë rolin e saj, si vend kandidat i BE-së, edhe në raport me krizën e refugjatëve me të cilën po përballet së fundmi Evropa, e në veçanti Ballkani. Në veçanti, ai shprehu gatishmërinë se Shqipëria do të zbatojë masat operative të nënshkruara brenda një plani të përbashkët veprimi të BE-së për menaxhimin e krizës së refugjatëve.

Komunikata finale e takimit

 

Prindërit e Gjergj Gjonit: “Djali ynë gaboi, por kush e vrau duhet të paguajë”

Prezantohet në Romë “La Calabria Albanese”