in

Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore

Kur situata në vend rëndohet çdo orë e më shumë nga i ftohti e reshjet e dendura të dëborës, mbrëmjen e 12 shkurtit qeveria vendos më në fund shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Tiranë 13 shkurt 2012 – Qeveria shqiptare shpalli mbrëmë gjendjen e emergjencës civile për fatkeqësi natyrore në qarqet ku situata paraqitet më problematike nga reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta.

Në një mbledhje jashtë radhe të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha informoi se situata paraqitet e vështirë në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Peshkopisë, Elbasanit dhe Korçës. Ai njoftoi krijimin e një komiteti ndërministror të kryesuar nga Kryeministri për ndjekjen e situatës. “Bora që arrin në 2 metra e gjysmë trashësi përbën një bllokim real të lëvizjes, përbën një problem serioz të furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona ne krijojmë mundësi për marrjen e masave më të shpejta për hapjen e të gjitha rrugëve të komunave dhe fshatrave të zonave me reshje të mëdha”, tha Berisha.

Ortekët dhe reshjet e dëborës që vijojnë kanë bllokuar edhe rrugët kombëtare, si Bajram Curri-Fierzë, Krumë-Kukës. Kryeministri theksoi se, një rrezik serioz në zonat me mbi 1 metër dëborë përbëjnë çatitë, shembja e të cilave nga bora krijon rrezik për jetën.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u bëri thirrje qeverive vendore që në mënyrë të programuar të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete të qytetarëve në komunitetin e tyre, duke shmangur rreziqet që mund të vijnë nga shembja e çative nga sasia e madhe e botës.
Ai shtoi se, do të merren të gjitha masat për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve, në mënyrë që kjo situatë të kapërcehet me sukses dhe të mbrohet jeta e qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për solidaritetin e dëshmuar nga Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe shefen e BB-së në Tiranë.

Stacionet meteorologjike paralajmërojnë vazhdimin e të njëjtave kushteve të motit, ndaj kryeministri ka theksuar se duhen marrë të gjitha masat për furnizimin e banorëve të këtyre zonave me ilaçe, ushqime dhe mjete të tjerat nevojshme për jetën e përditshme     
Në këtë drejtim, kryeministri kërkoi që të gjitha qendrat shëndetësore në këto komuna të vihen në funksionim të plotë dhe të pajisen me një paketë të plotë të ilaçeve dhe mjeteve më të domosdoshme për përballimin e kësaj situate.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi vënien në dispozicione që të hënën të fondeve për çdo komunë që të kontraktohet hapja e rrugëve të komunave. Rëndësi të veçantë, sipas tij, duhet t’i kushtohet sigurimit të qarkullimit në rrugën e kombit, autostradën Durrës-Kukës-Morinë.

Alba Adriatica. Digjet 27-vjeçarja për të shpëtuar të bijën

Kosova në zi për personat që humbën jetën nga orteku i të shtunës në Restelicë