in

Rama ambasadorëve: Arkat e shtetit janë bosh

Në pritjen e organizuar për trupin diplomatik, të akredituar në Shqipëri, Rama vuri theksin në gjendjen e vështirë të ekonomisë shqiptare që nuk renditet e dyta, pas Gjermanisë dhe se arkat e shtetit janë të boshatisura. Këto mesazhe në një sallë të ristrukturuar dhe të modernizuar këto ditët e fundit

Tiranë, 3 tetor 2013 – “Le ta themi hapur këtu në këtë sallë ku janë propaganduar shumë suksese imagjinare, se Shqipëria nuk është ekonomia e dytë më e qëndrueshme në botë pas Gjermanisë”. “Ekonomia është e mbërthyer nga një ngërç i madh që ka kapur buxhetin e shtetit, arka praktikisht është bosh; që ka kapur sipërmarrjen, biznesi praktikisht është i lidhur pas një zinxhiri borxhesh që shteti u ka kompanive – qoftë në formën e punëve të papaguara, qoftë në formën e TVSH-së së parimbursuar, qoftë në formën e detyrimeve të tjera të papaguara ku spikasin frikshëm detyrimet ndaj sektorit energjitik; kësisoj ngërçi ka kapur edhe bankat që kanë para po nuk japin dot më kredi, në kushtet kur kreditë e këqija kanë prekur nivelin e 25%”.

Kështu është shprehur kryeministri Rama në pritjen për ambasadorët të organizuar në Kryeministri, në prani të ministrave dhe të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Deklarata, që është akuzë për pararendësin e tij e si thirrje për të mbështetur qeverinë e re, bie ndesh me sallën e kryeministrisë të ristrukturuar brenda pak ditëve me ardhjen në pushtet të të majtës.

“Por as jemi në gjendje të pashpresë dhe as na mungojnë zgjidhjet për ta ndalur rrënimin, për ta çliruar ekonominë nga ngërçi dhe për të rimarrë rrugën e rritjes ekonomike. – ka vazhduar Rama duke treguar rrugën që po ndjek qeveria për të nxjerrë vendin  nga situata – Përkundrazi, çdo krizë është edhe një shans për të dalë më i fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbim këtë shans. Jemi në konsulta intensive me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me një rreth ekspertësh ndërkombëtarë të rangut më të lartë botëror, si edhe me ekspertët e Fondit Monetar e të Bankës Botërore. Shpejt do të nisë edhe Auditi Ndërkombëtar i financave të vendit për të marrë pasqyrën objektive të një gjendjeje që e kemi gjetur më keq se ç’e prisnim, por që gjasat janë të jetë edhe më keq se ç’e lexojmë ne në këtë fazë shumë fillestare të qeverisjes”.

Ai nuk ngurroi të lavdëronte punën e qeverisë paraardhëse lidhur me projektin TAP, duke premtuar se “qeveria e re do të çojë përpara duke synuar edhe kalimin e një degëzimi të tij në Kosovë”.

Në fjalën e rastit, për më shumë se një orë, Rama vlerësoi kontributin e dhënë nga ambasadorët, partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë përgjatë dy dekadave tranzicion të Shqipërisë. “Nëse 20 e kusur vitet e rrugëtimit të Shqipërisë nga izolimi gjakatar drejt demokracisë funksionale, do t’i ndiqnim sot si nëpër shiritin e një filmarkivi, do të vërenim në çdo kuadrat zhvillimi të shumëpritur a ngjarjeje të hidhur, miq e partnerë të pandarë ndërkombëtarë”

Kryeministri shprehu mirënjohje për ambasadorët amerikanë, nga Rajerson tek Uidhers, për ambasadorët holandezë, gjermanë, etj, të cilët, siç tha ai, kanë qenë gjithmonë mbështetës dhe mbrojtës të shqiptarëve.

Rama përsëriti para ambasadorëve se prioritet i qeverisë së tij është marrja e statusit kandidat për në BE dhe procesi i mëtejshëm integrues. “Integrimi evropian është mjaft i lehtë të thuhet, po tejet i vështirë të bëhet. Bëhet edhe më i vështirë kur vetëm thuhet dhe bëhet i pamundur kur tjetër thuhet e tjetër bëhet. Siç fatkeqësisht ka ndodhur vitet e fundit. Po sidoqoftë unë mbetem dakord me paraardhësin tim, kur thoshte Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton”, tha Rama.

Një tjetër synim i qeverisë, sipas kreut të saj, “është intensifikimi i bashkëpunimit me SHBA-në, për të ngritur njësitë e përbashkëta hetimore për të luftuar korrupsionin”. Rama foli  për projekte të përbashkëta me PAMECA 4, ku brenda nëntorit, tha se do të organizohet një konferencë ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit. “Më lejoni të ndaj me ju bindjen se, në luftën kundër korrupsionit, drejtësia është arma më e mirë. Ne jemi të përgatitur për reforma të thella jo vetëm në letër, por për një luftë pa dallim, në një vend të qeverisur padrejtësisht, ku sundonte miqësia dhe  klanet e klientelës”, vuri në dukej kryeministri.

Ai çmoi lart mbështetjen që gjithë partnerët kanë investuar në fushën e sigurisë, ku përmendi Italinë dhe Anglinë.

Me vlerësim të posaçëm Rama foli për ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, të cilin e quajti “udhërrëfyesin e madh që e nxori të majtën nga llogorja ideologjike e shekullit të shkuar, si edhe me Presidentin e Bankës Botërore Jim Kim, kemi dakordësuar për ngritjen në këtë godinë të një Delivery Unit – një njësi speciale e kthimit të prioriteteve në rezultate”.

Kosovën, Kryeministri e quajti partnerë të parë të pandarë, si dhe frymëzim edhe për të gjithë rajonin pas arritjeve të marrëveshjeve Prishtinë-Beograd.

Duke folur për marrëdhëniet rajonale, Rama siguroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por do të ketë një integrim të përbashkët në Europë. “Ka padyshim forca që jetojnë mbi hartat e prodhuara në punishtet e nacionalizmit të një të shkuare që bëhet përditë e më e shkuar, ka edhe forca e zëra që nga jashtë kufijve të Ballkanit i friken ndryshimit të kufijve brenda tij. Të parët duhet të mos i harrojmë, të dytët duhet t’i ndihmojmë të harrojnë”, theksoi Rama.

Ndërsa në rrafsh më të gjerë, ai rikonsideroi partneritetin e ngushtë me Italinë, Turqinë dhe Greqinë, ndërsa tha se “të ardhmen ne e shohim veçse të përbashkët në Bashkimin Evropian, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e me Bashkimin Evropian, të dy aleatë strategjikë, partnerë kryesorë, të përhershëm e të pazëvendësueshëm të Shqipërisë”.

Referuar situatës në Siri, Rama përsëriti qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të rezolutës së OKB-së për shkatërrimin e armëve kimike atje.

Fjala e plotë e kryeministrit në faqet zyrtare të kryeministrisë

Cittadinanza. Posso chiederla anche se per un po’ non sono stato in Italia?

Tragjedia e Lampedusës, masakra e të pafajshmëve. Reagimet