in

Rama në Beograd: Njihni Kosovën, çlirohuni nga kjo barrë

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin serb N1: “Marrëdhëniet tona duhet të ecin përpara. Unë vendosmërisht besoj se Serbia duhet të çlirohet nga barra, të përballet në sy me realitetin dhe të njohë Kosovën. Kjo do të ishte mirë për të gjithë, së pari për vetë Serbinë”

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij të dytë në Serbi, ku mori pjesë në Samitin e tretë Kinë – Vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, ka dhënë një intervistë për televizionin serb N1, gjatë tëv cilës u është përgjigjur pyetjeve dhe tematikave më të rëndësisshme të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Rama, pas deklaratës së bërë më 10 nëntor në konferencën e përbashkët me homologun Aleksandër Vuçiç, i ka kërkuar Serbisë sërish nga Beogradi që të njohë shtetin e Kosovës.

Sipas kryeministrit Rama, kjo është një barrë që Serbia mban dhe do të ishte në të mirën e tyre dhe të gjithëve që ata të përballen me realitetin dhe të njohin shtetin tashmë të pavarur të Kosovës.

“Marrëdhëniet tona duhet të ecin përpara. Unë vendosmërisht besoj se Serbia duhet të çlirohet nga barra, të përballet në sy me realitetin dhe të njohë Kosovën. Kjo do të ishte mirë për të gjithë, së pari për vetë Serbinë”, tha Rama.

Rama ka përsëritur se Serbia nuk është armiku i shqiptarëve dhe se e kaluara është lënë pas, por përkundrazi, e ka cilësuar si aleatin më të rëndësishëm në kuadër edhe të perspektivës Europiane.

Kryeministri shqiptar është shprehur se faktikisht armiku i vërtetë i dy vendeve janë disa nga problemet madhore të përbashkëta si, papunësia dhe varfëria që siç theksoi ai, janë pasojë e keqqeverisjes së kaluar në të dy vendet.

Në këtë kontekst, Rama ka nënvizuar se është shumë e rëndësishme për popujt e dy vendeve dhe të ardhmen e tyre që të bashkëpunojnë, për t’i lënë të kuptohet edhe Bashkimit Evropian që ata janë gati për t’u bërë pjesë e familjes evropiane dhe që BE të bindet për të ndihmuar rajonin e Ballkanit.

“Serbia nuk është armiku ynë, Serbia është potencialisht aleati ynë më i rëndësishëm. Ne kemi një armik të përbashkët: varfërinë, papunësinë, shumë gjëra që janë trashëgimi e qeverisë së keqe nga e kaluara, dhe këtu dhe atje. Serbia dhe Shqipëria duhet të punojnë së bashku për të siguruar që Bashkimi Evropian të bindet për të mbështetur Ballkanin”, është shprehur kryeministri Rama.

Sa i përket ndeshjes Serbi-Shqipëri të 14 tetorit, Rama është shprehur se futbolli nuk duhet të kthehet në një çështje kyçe. “Futbolli po bëhet një çështje e madhe kur kemi probleme të tjera pas nesh, si problemet që unë përmenda. Le të japim një të ardhme të begatë për popujt tanë. Le të bëjmë që e kaluara të mos ndikojë të ardhmen tonë më të mirë dhe së bashku ne mund të kemi një të ardhme më të mirë. Unë jam i sigurt për këtë. Le të bëjmë diçka të madhe së bashku. Le të mendojmë për veprat e mëdha. Ne nuk duhet të jemi aq të vegjël sa një top futbolli.” u shpreh kryeministri Rama.

I pyetur lidhur me ftesën e bërë nga ai për homologun Vuçiç për një vizitë në Tiranë, Rama ka konfirmuar se këtë ftesë ia ka thënë si në konferencën për shtyp të përbashkët më 10 nëntor, ashtu edhe në takimet private.

Rama është shprehur se Vuçiç mund të vijë e të thotë ç’të dojë në Tiranë dhe se asnjë nuk do të ndihet i provokuar. Kjo sepse siç tha ai, nuk ka komplekse rreth çështjeve të tilla.

“Unë e ftoj atë të vijë në Tiranë, e kam thënë në konferencën për shtyp dhe privatisht. Ai mund të thotë çfarëdo që ai dëshiron në Tiranë dhe askush nuk do të ndihet i provokuar, askush nuk do të ndjejë asgjë të gabuar, sepse populli shqiptar nuk ka komplekse  rreth çështjeve të mëdha. Në të njëjtën kohë ne duhet të bashkëpunojmë”, tha Rama.

Përtërihet marrëveshja e konvertimit të patentave shqiptare

Oggi è la Giornata Internazionale del Migrante