in

Reagon ish konsullja e Milanos: “Shërbimi me pagesë me aprovimin e ministrit Haxhinasto”

Dy ditë pasi ministria e Jashtme shqiptare ka paditur penalisht ish konsullen e Milanos per call center-in me pagesë, dhe të nesërmen e akuzave të ngritura kundër saj  nga kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Bushati gjatë vizitës së tyre në konsullatën e Milanos, ish konsullja e përgjithshme Nausika Spahia reagon me një komunikatë shtypi.

Ajo hedh poshtë çdo akuzë duke sjellë edhe dokumente të korrispondencës së saj me ministrinë e Jashtme që sipas saj vërtetojnë se ka pasur aprovimin e ministrisë së Jashtme për ofrimin e shërbimit me pagesë të call center-it.

Ia vlen të shihen me kujdes disa pika të nxjerra në dukje nga vetë ish konsullja, ndërsa komunikatën e saj të plotë mund ta gjeni në fund të artikullit.

Marrja e vendimit per menaxhimin e situates emergjente dhe kritike ne momentin e daljes jashte perdorimit te pasaportave të vjetra, eshte bere ne koordinim te plote me kabinetin e Ministrit Haxhinasto i cili ka dhene aprovimin dhe udhezimin qe pervec Call center, te ofrohet sherbimi edhe nepermjet platformes elektroike (email) – shkruan Spahia që shoqëron komunikatën e saj –Ky aprovim eshte dhene nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorise Konsullore Z. Bala. Nderkohe qe ne shkesat e mia te protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012 drejtuar Drejtorit te Kabinetit te Ministrit Haxhinasto, Z. Ilir Melo dhe percjelle edhe Drejtorit te Drejtorise konsullore, Z. Bala) kerkoj nder te tjera qe te aktivohen numra jeshilë, pra falas, per qytetaret”.

Bie në sy që korrispondenca  që shoqëron komunikatën e ish konsulles nis nga data 15 mars 2012, ndërsa në konsullatën e Milanos  që nga data 12 mars shkohej vetëm me takim të marrë përmes call center-it, pagesa e të cilit shkonte deri në 15 euro. A nuk duhej që më parë të merrej miratimi nga ministria e më pas të niste shërbimi? Apo konsullata vetëvendos dhe më pas informon?

Së dyti, ministria e Jashtme i përgjigjet konsulles (më 16 prill 2012, mëse një muaj pasi shërbimi me pagesë ishte në funksionim) duke i thënë se, me porosi të ministrit Haxhinasto, e udhëzonte që për aplikimet për dokumentet biometrike të ofrohej mundësia e aplikimit me komunikim telefonik, përmes internetit dhe përmes call-center-it. Pra edhe pse Haxhinasto thonte për Shqiptariiitalise.com më 29 mars 2012 se do të reagonte “në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave” zyrtarisht i kërkonte konsulles thjesht të shtonte mënyra të tjera prenotimi krahas asaj me pagesë (ndoshta i shtyrë nga vlerësimet pozitive të qytetarëve për shërbimin me pagesë që i ka përcjellë konsullata, siç shihet nga dokumentet që tregon sot Spahia!). Në fakt në qershor të vitit 2012 konsullata ofroi edhe mundësinë e prenotimit online, falas. Jo vetëm nuk zëvendësoi prenotimin me pagesë, përkundrazi, në njëfarë mënyre e promovonte atë. Në përgjigjen që u kthehej me e-mail qytetarëve, bashkë me orarin e pritjes, u thuhej shprehimisht: “Për çdo paqartësi ose ndryshim të orarit të takimit ju lutem kontaktoni në numrin 8959697901”. Sa për kërkesën e konsulles për aktivizimin e një numri të gjelbër, ministria e Jashtme nuk e paska parë të arsyeshme t’i përgjigjet pozitivisht.

Bie në sy, gjithashtu, se në korrispondencë flitet vetëm për shërbimin e prenotimit me pagesë për pasaportat e letërnjoftimet, ndërsa në të vërtetë konsullatës nuk mund t’i afroheshe pa takim të marrë me telefon për asnjë lloj shërbimi të ofruar prej saj për të cilin nevojitej prania e të interesuarit.

Në një pikë të komunikatës së saj, ish konsullja Spahia thotë se “ministri i Jashtëm Bushati gënjen kur deklaron mbylljen e Call Center nga ana e qeverisë Rama. Gënjen, sepse mbyllja e kontratës me Call center është bërë me kërkesën time menjëherë pas reduktimit drastik të kërkesave për aplikime”. Por është e çuditshme që “reduktimi drastik të kërkesave për aplikime” paska përkuar tamam me momentin e lajmërimit të shkarkimit të saj nga konsulle e Milanos. Më 30 shtator 2013, vetëm dy javë para se Spahia të linte detyrën, nga faqja internet e konsullatës ishte zhdukur vërtet çdo referim ndaj numrit me pagesë por ai ishte akoma në funksionim. Ekzistenca e tij verifikohej lehtë duke e formuar apo edhe me procedurën e prenotimit on line falas që në përgjigje vazhdonte të këshillonte: “Për më tepër informacione telefononi Call Center n. 8959697901” (siç shihet në këtë mail të datës 30 shtator 2013 të nisur nga sistemi informativ i Konsullatës).

A ka abuzuar ish konsullja Spahia duke vendosur në kokë të saj këtë lloj shërbimi? Apo ish ministri i jashtëm Haxhinasto, sot ministër i Transportit dhe Infrastrukturës i qeverisë Rama, ka qenë dakord me këtë shërbim me pagesë, paçka se emigrantëve u thonte se ata nuk duhet të paguanin asjë qindarkë më shumë nga ç’parashikojnë tarifat shtetërore e u premtonte se do të merrte masa? E akuzat ndaj ish konsulles e premtimet për ndryshime rrënjësore në konsullata të bëra nga kryeministri Rama e ministri Bushati a do të kenë një vazhdim? Apo të gjitha këto do të mbeten thjesht lajme të bujshme që do të mbushin gazetat e këtyre ditëve e shpejt do të harrohen?

 

Shqiptari i Italisë

Shkarko:

Dokumente të ofruara për mediat mbi korrispondencën konsullatë e Milanos – Ministri e Jashtme

Komunikata e ish konsulles Nausika Spahia:

Të nderuar përfaqësues të medias.
Jam e detyruar të reagoj për atë që mund ta quaj një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullates së Shqipërisë në Milano.
Po paraqes më poshtë nje informacion të detajuar, që hedh poshtë në çdo pikë akuzat qe me drejtohen nga Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme.
1)  Menaxhimi i pasaportave biometrike me call center.
Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin call center. Si për çdo veprim tjeter, ashtu edhe ne kete rast, MPJ ka qene e informuar ne detaje gjate gjithe kohes.
Marrja e vendimit per menaxhimin e situates emergjente dhe kritike ne momentin e daljes jashte perdorimit te pasapartave te vjetra, eshte bere ne koordinim te plote me kabinetin e Ministrit Haxhinasto i cili ka dhene aprovimin dhe udhezimin qe pervec Call center, te ofrohet sherbimi edhe nepermjet platformes elektroike (email). Ky aprovim eshte dhene nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorise Konsullore Z. Bala. Nderkohe qe ne shkesat e mia te protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012 drejtuar Drejtorit te Kabinetit te Ministrit Haxhinasto, Z. Ilir Melo dhe percjelle edhe Drejtorit te Drejtorise konsullore, Z. Bala) kerkoj nder te tjera qe te aktivohen numra jeshilë, pra falas, per qytetaret.
Komunikimi me Kabinetin e Ministrit dhe Drejtorine Konsullore eshte i protokolluar prane MPJ,  Konsullates ne Milano dhe Ambasades Shqiptare ne Rome.
2) Ministri i Jashtem Bushati deklaron mbylljen e Call Center nga ana e qeverise Rama.
Gënjen, sepse mbyllja e kontrates me Call center eshte bere me kerkesen time menjëherë pas reduktimit drastik te kerkesave per aplikime. Kjo ndodhi pa ardhur akoma në detyrë qeveria Rama. Kopje e zgjidhejs se kontrates eshte percjelle ne MPJ. Pra Ministri Bushati po genjen hapur qytetaret shqiptare.
Call centeri ka qene nje zgjidhje e perkohshme ne nje situate emergjence, me e mira zgjidhje e mundeshme ne ate moment dhe mbi te gjitha e bashkagjestisur dhe me miratim te MPJ e cila ka cdo kopje kontrate dhe detajim te veprimeve konsullore.
Thene kjo, call centeri ka qene nje nga zgjedhjet e munshme per qytetaret te cilet kane pasur ne dispozicion edhe emailin, postën, apo paraqitjen direkt ne zyre.
3)  Ministri mashtron hapur për 45,000 euro per kompanine e Call Centerit
Asnjehere nuk kam firmosur qe te transferohen 45,000 euro per asnje kompani. Eshte vetem shpifje qe e degjoj ne media.
MPJ merr nga konsullata çdo muaj raport te hollesishem financiar mbi gjendjen bankare dhe mbi pagesat e bera. Ka çdo pasqyre mujore te levizjeve bankare.
4)  Rënia e rrethimit të sekserëve
Heqja e rradhave ne Konsullate ka terbuar sekseret qe per vite me radhë gjatë qeverisjes së partisë së z.Rama, kanë zhvatur emigrantet shqiptare dhe qe sot pretendojne te rifillojne aktivitetin e tyre si diplomatë brenda Konsullates.
5) Zhdukje evidence e dokumentacioni, shpifje e pastër
Eshte vetem mashtrim akuza per zhdukje te dokumentacionit. Kur kam bere dorezimet e detyres kam lene perveç te tjerave te gjithe dokumentacionin sipas udhezimeve te MPJ, Konsullit pergjegjes per marrjen e dorezimeve Z. Rezar Shkembi, i cili ka firmosur per rregullsine e te gjitha dorezimeve dhe ka percjelle dokumentacionin ne fjale prane MPJ.
Me pak fjale, i gjithe dokumentacioni i shkembyer per pikat e lartpermendura ndodhet i protokolluar prane Konsullates Shqiptare ne Milano, Ambasades Shqiptare ne Rome si dhe Komunikimit Qendror MPJ, Kabinetit te Ministrit, Drejtorise Konsullore.
Deshiroj gjithashtu te kujtoj edhe sa me poshte:
Kur une kam marre drejtimin e Konsullates se Pergjithshme ne Milano, me qindra qytetare shqiptare (foshnje, femije, te rinj, burra e gra shtatzene, të moshuar, me probleme nga me te ndyshmet) rrinin me ore te tera ne rradhe ne “Piazza Duomo” te rrethuar si ne kafaz me hekura dhe te survejuar nga policia Italiane dhe fotografoheshin si fenomen i cuditshem nga turistet qe kalonin.
Nuk mjaftonte ky poshterim por ne te njejten kohe ata beheshin pre edhe e seksereve qe i merrnin me qindra euro per nje dokument qe kushton 20€.
Edhe per nje vule legalizimi apo perkthim te thjeshte ata duhet te vinin nga 11 rajone te ndryshme te Italise, te udhetonin per ore te tera  me shpenzime e lodhje te pa fund.
Me daljen jashte perdorimi te pasaportave te vjetra dhe dyndjen e qindra qytetareve prane zyrave tona, jo vetem nga 11 rajonet e Italise por edhe vendet e tjera te Evropes kemi kerkuar nje sherbim shtese per prenotimin e takimeve per pasaporta i cili kishte nje kosto mesatare te 3€ (por meqe shumica derrmuese qe telefononin per takim ishin familje me te pakten 4persona i bie qe kosto e takimit te ishte me pak se 1€ per person, pra brenda mesatares te telefonatave normale).
Kujtoj gjithashtu qe Konsullata ka nje buxhet ku 80% e tij eshte i dedikuar per rrogat dhe qerate, ndersa 20% eshte lene per menaxhimin e te gjithe nevojave te tjera te Perfaqesise.
MPJ ka qene vazhdimisht dakort qe buxheti eshte teper i limituar dhe na ka kerkuar sforco gjigante per te arritur te permbushim detyrimet ligjore megjithe veshtiresite e medha, pra nuk kuptohet se ku mund te kene qene hapesirat per abuzime.
Nje shembull per te gjitha: ne zerin riparime e mirembajtje te perfaqesise dhe te mjeteve te punes, buxheti viti 2013, ka qene per te gjithe vitin, 500 euro.
Nuk besoj qe as ne Tirane sot arrihet te riparohet nje zyre me 500 euro ne vit e jo me ne qender te Milanos.
I kujtoj gjithashtu Ministrit te Jashtem Bushati dhe Kryeministrit Rama qe ka qene Qeveria Berisha ajo qe futi per here te pare sherbimin  postar per berjen e dokumentave pa prezencen e qytetarit dhe me pagesen jo me me para ne dore por nepermjet llogarive bankare. Kjo e gjitha duke patur si objektiv transparencen maksimale te sherbimeve ndaj qytetareve. Praktike mese e sukseshme qe i dha dinjitet si qytetareve ashtu edhe perfaqesise.
I kujtoj gjitahshtu qe Konsullata e Pergjithshme e Milanos  nuk kishte as faqe interneti me informacione, as shpjegime sekretarie telefonike, as linja telefoni per qytetaret. Dhe kjo jo rastësisht, por për të stimuluar sekserët e partisë së Ramës, dhe për t’i lënë atyre hapësirë për pasurim.
Jane aktivizuar tre linja telefonike njera nga te cilat ka qene per telefonatat e emergjencave dhe dy linja me shpjegimet e cdo procedure per praktikat konsullore ne Shqip dhe Italisht, linje faxi si dhe email si te sekretarise ashtu edhe te vete konsullit te pergjithshem ku me qindra qytetare kane kontaktuar dhe kane marre pergjigje nga ana jone edhe te shtunave e te dielave.
Them me krenari se gjatë viteve që kam qëndruar si Konsulle e Përgjithshme në Milano, kam punuar me përkushtim për të ofruar shërbim sa më cilësor të shpejtë e transparent dhe për t’i rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur bashkëatdhetarëve tanë. Unë nuk prisja vlerësime nga Ministri apo Kryeministri, sepse vlerësimet i kam marrë nga qytetarët që kanë mbetur të kënaqur nga Konsullata. Por nuk pajtohem për asnjë moment me këto shpifje dhe sulme politike të qëllimshme  të denja vetëm për kohët më të errëta të Shqipërisë së baballarëve të tyre.
Duke ju falenderuar per vemendjen.
Me respekt e konsideraten me te larte,
Nausika Spahia

 

 

Kallëzim penal për ish konsullen në Milano, Spahia: Ka përfituar në kurriz të emigrantëve

Shkolla italiane. Nisin regjistrimet on line në fillore, tetëvjeçare dhe të mesme