24-vjeçarja, falë pasionit për modën ka kapërcyer gjymtimin e saj, duke kaluar nga karrigia me rrota në pasarelë, nga fashion blog-u në krijimin e një marke mode të vetën. “Kujdesi për imazhin tim më dha një marsh më shumë dhe forcën për t’u bërë ballë vështirësive dhe për të shkuar përpara”
Refiela Shoraj është mishërimi i guximit, i këmbënguljes, që tek pasioni për modën ka gjetur forcën e saj.
E lindur në Vlorë në vitin 1990 që në moshën dyvjeçare ka ardhur me familjen në Firence. Është diplomuar në akademinë e luksit, po përfundon studimet e larta në ekonomi e financë, është visual merchandising për pikëshitjen e veshjeve që familja e saj ka hapur në Tiranë, është fashion blogger e afirmuar dhe sot po kthen në realitet një ëndërr të saj: krijimin e një markë mode, Nume.
Por për Refiela Shorajn jeta nuk ka qenë aspak një fushe me lule. I është dashur të përballet me shumë vështirësi dhe pengesa. Para të gjithash, aksidenti në moshën 9-vjeçare që i ka kushtëzuar ekzistencën. Ndërsa ka qenë duke kapërcyer rrugën në vizat e bardha, duke shkuar në shkollë, një kamion nuk ka arritur të ndalojë në kohë dhe e ka shtypur duke i vënë në rrezik jetën. Refiela kaloi 12 ditë në koma, muaj të tërë në spital dhe vite në karrige me rrota. Tek moda gjeti forcën për të shkuar përpara e për t’u ngritur sërish në këmbë.
“Kur isha e vogël nuk arrija të kuptoja deri në fund ç’po më ndodhte, por duke u rritur nisa të dalloj se jeta ime ishte ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të mi. Ndihesha ndryshe, jo vetëm për shkak të gjymtimit tim, por edhe për shkak të origjinës. Ndihesha gjithnjë si e huaj, e papërshtatshme. Për të gjithë isha “vajza shqiptare invalide” dhe dukej sikur për këtë arsye meritoja më pak respekt. Ndihesha e rrethuar nga paragjykimet që nuk arrija t’i mundja”.
“Në moshën e adoleshencës, – ajo më e vështira e më delikatja në jetën e njeriut, – ndieja hendekun që më ndante nga shokët e shoqet e që më dukej i pakapërcyeshëm. Gjithçka që më rrethonte, që më ndodhte në jetë, më krijonte veç probleme. Nuk arrija të vlerësoja veten, as nga ana estetike. Dhe pikërisht në atë kohë zbulova modën, që për mua ishte një lloj shpagimi, një lloj fitoreje mbi gjymtimin, më bënte të ndihesha e mbrojtur”.
“Luaja duke krijuar look-e nga më ekstravagantet. Kujtoj që përdorja edhe rrobat e tim vëllai, apo që kam blerë një palë çizme me lëkurë gjarpri në moshën 12-vjeçare. Moda më dha një marsh më shumë dhe e kam përdorur për t’u ndier sa më mirë me veten”.
“Moda ishte arma ime mbrojtëse, edhe në kuptimin që falë saj mbuloja defektet fizike. Çdo ditë përpiqesha të përmirësoja pamjen time. Sepse kisha kuptuar që sa më e bukur e sa më mirë të ndihesha, aq më mirë do të komunikoja edhe me të tjerët që do të perceptonin forcën time e nuk do të më trajtonin si “e shkreta invalide””.
“Për mua imazhi ka qenë një aspekt shumë i rëndësishëm, përmirësimi estetik ka qenë frymëzimi im në përballimin e invaliditetit dhe në gjetjen e forcave për të çarë përpara”.
“Në vitin 2007 prindërit kanë hapur një dyqan veshjesh në Tiranë për të cilin kujdesem në disa aspekte: përzgjedhja e markave, shpërndarja e mallit në lokal dhe komunikimi. Më pëlqen shumë e përpiqem ta bëj krah gjërave të tjera që bëj si ndjekja e universitetit dhe, prej një viti, blogu The Invalid Mode”.
“E kam krijuar me dëshirën për të pasur një hapësirë timen ku të tregoj modën time, të flas për veten dhe të përcjell mesazhin tim: të mësosh të duash veten të lejon të ndihesh mirë dhe për rrjedhojë të bërballosh jetën me qetësi shpirtërore”.
Siç e prezanton vetë Refiela, blogu i saj, “u dedikohet të gjithë atyre që duan jetën dhe modën, që në të kanë gjetur mjetin për t’u ngritur mbi hipokrizitë, diskriminimin, paragjykimet”.
“The Invalid Mode sot është kthyer në punën time. Si blogger kam një sërë bashkëpunimesh me stilistë, parrukierë, ekspertë makiazhi dhe estetike, por në të gjitha ato që bëj përpiqem të vë në dukje personalitetin tim, të shpreh atë që jam. Sepse mendoj se është mirë të ndjekësh modën, por gjithnjë duke u munduar të jesh unik”.
“Sot jam duke kthyer në realitet një nga ëndrrat më të mëdha që kam: krijimin e në marke mode timen. Do të quhet Nume dhe do të jetë total look për burra e gra: do të përmbajë veshje, këpucë, çanta, bizhuteri. Do të jetë koleksion rock, do të më ngjajë, në njëfarë mënyrë do të përfaqësojë forcën time”.
Samia Oursana
Leggi in italiano
Refiela Shoraj: “La moda mi ha permesso di rialzarmi” (Italianipiu.it)