Tahiri: “Ligji është gur themeli që në një të ardhme të votojnë edhe emigrantët”. Opozita: “Ligji kërkon të manipulojë votën dhe cenon të drejtat e njeriut”. Të enjten (11 shkurt) projektligji kalon në seancë plenare
Tiranë, 10 shkurt 2016 – “Projektligji për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është një detyrë patriotike”. Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri të hënën në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, ku pr/ligjin për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë. Për opozitën projektligji është një tentativë manipulimi për zgjedhjet.
Në nisje të punës së komisionit, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se drafti i paraqitur nga Ministria e Brendshme nuk duhet të shqyrtohet nga Komisioni në fjalë, por nga Komisioni posaçëm për reformën Zgjedhore. Kjo, sipas Bylykbashit, pasi ligji në mënyrë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në votimin e emigrantëve dhe i cenon të drejtën e votës atyre, ç’ka është dhe shkelje të drejtave të njeriut. “Ne nuk jemi që ky ligj mos të kalojë, por jo në këtë komision, pasi ligji cenon të drejtat e njeriut që lidhen me votën dhe ne kemi rënë dakord të reformojmë kodin zgjedhor dhe për këta arsye ky draft duhet të diskutohet në atë komision”, tha Bylykbashi.
Kërkesa u hodh poshtë nga deputetët e mazhorancës dhe nga Ministri Tahiri i cili mori fjalën për të prezantuar draftin në fjalë.
Ai tha se ligji nuk ka lidhje me procesin zgjedhor, por është një gur themeli, që në një të ardhme të votojnë edhe emigrantët. “Kjo është më pakta që mund të bëjmë. Ne sot nuk kemi asnjë informacion mbi numrin e tyre. Ne sot dimë që në Shqipëri janë regjistruar 4,2 milion banorë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk e dimë nëse janë apo jo në Shqipëri. Ne dimë që nga viti 1990 deri më sot kanë lindur 250 mijë fëmijë shqiptarë jashtë vendit dhe vetëm kaq”, tha Tahiri, teksa shtoi se këta shqiptarë nuk gëzojnë asnjë të drejtë, çka tashmë me ligj do t’u garantohet.
“Pra, në qoftë se deri më sot për votën e emigrantëve janë bërë fushata, deklarata politike konstante, janë angazhuar energji pafund nga shoqëria civile, partitë politike, e thuajse çdo mazhorancë, ky është projektligji i parë që shtron gurin e themelit për të shkuar deri atje. Që do të thotë: për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë. Kështu e ka bërë gjithë bota, nuk është se po shpikim ne. Por nëse kjo ndodh apo jo, varet nga sistemi i reformës në sistemin zgjedhor”, tha Tahiri.
Ai gjithashtu tha se qëllimi ligjit është të zgjerojë diapazonin e shërbimeve për emigrantët. “Ne duam të kthejmë mbrapsht borxhin historik që i kemi emigrantëve. Janë kontributorë të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Por, kur vjen puna tek të drejtat që iu kthejmë mbrapsht është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë ç’është e mundur. Dhe kjo është barra e shtetit shqiptar: të bëjmë ç’është e mundur që emigrantët të mos vuajnë për shërbime. Rropaten dyerve të ambasadave, mbajnë radhë me turne, me orë të tëra, e fillojnë radhën në fundjavë për të kapur të hënën. Kjo e gjitha ndodh sepse ne nuk kemi zhvilluar asnjë mundësi për t’u shërbyer emigrantëve siç duhet, me dinjitet. Emigrantët meritojnë dinjitet! Dhe në qoftë se këtë dinjitet nuk ua garanton më së pari shteti shqiptar, është e kotë që ne të bëjmë nacionalistin kur shtete të tjera ua cenojnë dinjitetin shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë”, tha Tahiri, duke i hapur rrugën pyetjeve dhe debateve, të cilat zgjatën për më shumë se dy orë.
Partia Demokratike përmes deputetëve të saj, Oerd Bylykbashki, Eduard Halimi dhe Arben Ristani shprehën shqetësimin e tyre se ligji cenon të drejtën themelore të njeriut votën. Në argumentat e sjella nga të djathtët mbizotëronin dy elemente bazë se përse ky pr/ligj nuk mund të votohej. Sipas Bylykbashi, pr/ligji është në kundërshtim me kodin zgjedhor. “Nuk mund të votojmë një ligj, që i përjashton emigrantët nga vota. Këtë e them se, në kodin zgjedhor thuhet, që lista e zgjedhësve përcaktohet në bazë të vendbanimit brenda territorit Shqiptarë dhe në përkatësi me zonën zgjedhore. Pra, në rast se ky shqiptar jeton jashtë vendit, automatikisht nuk ka zonë zgjedhore dhe për deduksion ky person eliminohet nga votimi dhe i shkelet e drejta”, tha Bylykbashi.
Nga krahu tjetër, Deputeti i PD-së tha se vendosja e afateve, 3-6 muaj për regjistrim është një shkelje tjetër e të drejtave të njeriut. “Nuk ka qeveri në botë që kërcënon qytetarët e saj se po nuk u regjistrove nuk merr shërbimet dhe nuk ka kryeministër që ta pretendoj këtë, pasi nuk mund t’i thuash askujt që ti je shqiptar, por s’mund të marrësh shërbime nga vendi yt”, tha Ristani.
Ndërkohë, ish-Ministri Drejtësisë, Eduard Halimi shtoi se problem i qenësishëm i këtij i drafti është fakti se vetë Ministri nuk e ka të qartë se çfarë po bënë, pasi në letër shkruan diçka tjetër dhe në artikulim thotë diçka tjetër. “Në relacionin e bashkangjitur këtij drafti lexohet dhe është firmosur nga vetëm Ministri Tahiri se, ky pr/ligj ndihmon edhe në futjen e emigrantëve në procesin e votimit, ndërsa këtu ai tha se nuk lidhet me çështjen e votimit, por është një gur themeli, pra është kontradiktor dhe është e qartë, që gjithë ky draft, që futet me nxitim në rend të ditës, që sillet me nxitim për t’u shqyrtuar dhe për të kaluar në senacën plenare fsheh pas dëshirën për të manipuluar listat zgjedhore dhe për këtë faktet janë të shumta”, tha Halimi, duke kujtuar listat zgjedhore në Durrës, Kavajë etj.
Në përgjigje të pretendimeve të deputetëve të opozitës, Ministri i Punëve të Brendshme tha se, lidhur me afatin (3 – 6 muaj), ai ka absolutisht lidhje me kohëzgjatjen minimale të deklarimit të banimit të përhershëm (rezidencës), për të shmangur eventualitetin kur qytetarë shqiptarë shkojnë jashtë Shqipërisë dhe detyrimin që kanë për t’u regjistruar. “Ne themi se duhet të regjistrohen ata qytetarë shqiptarë që shkojnë më shumë jashtë Shqipërisë për kaq kohë që është minimumi. Kjo ndodh në të gjithë botën, është e detyrueshme, përndryshe do të hynim në një rreth vicioz të vetë deklarimit të qytetarëve sa herë dalin jashtë. Gjë që vende shumë të zhvilluara ne Europë e kanë: në qoftë se largohesh për një kohë minimum (që disa vende e kanë 1 muaj disa e kanë pak më shumë), ke detyrimin të shkosh në konsullatë dhe të deklarosh “Unë jam shtetas gjerman, kam ardhur në Shqipëri, do të jetoj këtu një muaj, dhe kjo është adresa ime”. E kanë me detyrim. Ne nuk po shkojmë deri këtu, pasi ky shtet nuk ka këllqe ta bëjë ende. Nëse kjo punë do të kishte nisur 25, 20, 15 apo 10 vite me parë, do të vija me një ndryshim në ligj ku do të thoja: “Cilido shtetas shqiptar që del jashtë Shqipëri për më shumë se sa një muaj duhet të shkojë në ambasadë në shtetin ku do jetojë një muaj, dhe të thotë: “Unë jam Saimir Tahiri, do vij të jetojë këtu për një muaj, dhe kjo është adresa ime për shtetin tim në rast se duhet të më gjejë”. Ju e dini: kjo ka efekte në procesin gjyqësor, në sistemin fiskal, në sistemin e pasurisë së paluajtshme, dhe në tërësi në tregun e pasurisë. Kjo ka efekte të shumëfishta në marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit kudo ku është (rezident jashtë apo në vend)”, sqaroi Tahiri.
Dupetetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja, Dashamir Peza, Pandeli Majko dhe relatori i çështjes, Bashkim Fino u shprehën se qeveria nuk mund të mos votojë një ligj, pasi opozita është e pasigurtë se ç’do ndodhë. “Unë mund të bashkohem me opozitën dhe frikën e saj, por s’ndihem aq i fortë sa t’u them shqiptarëve që jetojnë jashtë, vazhdoni ju s’po ju regjistrojë, vijoni në të errësirë, jepni lekë, por skeni shërbime sepse opozita ka frikë se nuk e votoni atë. Jo, unë them ti regjistrojmë dhe këto ankesa shprehini në komisionin e reformës zgjedhore”, tha Peza. Në të njëjën linjë u shprehën dhe deputetët e tjerë të krahut të majtë.
Në fund, deputetët e mazhorancës votuan projektligjin dhe i hapën rrugë kalimit të tij në seancë plenare të enjten.
Lexo edhe: Regjistrimi i shqiptarëve jashtë atdheut, Qeveria miraton projektligjin