Ministri i ri për Kooperimin ndërkombëtar dhe Integrimin jep një intervistë për të përditshmen Repubblica. “Reforma është në interes të Italisë, të fëmijëve të imigrantëve dhe të familjeve të tyre”
Romë, 23 nëntor 2011 – “Presidenti Giorgio Napolitano ka të drejtë: ekziston mundësia të marrim në dorë politikat mbi imigracionin. Pra, edhe të rishikojmë ligjin mbi kombësinë”.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për të përditshmen Repubblica, ministri i Kooperimit ndërkombëtar dhe i Integrimit, Andrea Riccardi, që thekson se “integrimi është temë qendrore e kësaj epoke. Do ta bëjmë ligjin sepse është në interes të Italisë, të fëmijëve të imigrantëve dhe të familjeve të tyre”.
Në intervistë, Riccardi vlerëson presidentin “që për dy herë brenda pak ditëve ka vënë theksin në rivlerësimin e konceptit të identitetit italian”.
“Sot kemi një popull fëmijësh e të rinjsh që janë bijtë e imigrantëve. Të lindurit në Itali, ligjërisht të huaj, kapërcejnë gjysmë milioni, ndërsa të miturit e huaj janë thuajse një milion. Flasin gjuhën tonë, përjetojnë të njëjtën histori tonën, janë të lidhur me botën tonë” shpjegon ministri. Ndaj edhe për ministrin Riccardi “pa të Italia do të ishte më plakë dhe me mundësi më të pakta zhvillimi”.
“Duhet të rishikojmë ligjin e shtetësisë, dhe mund të bëjmë këtë pikërisht sepse kemi besim në identitetin tonë. Që është i fortë por edhe fleksibël. I aftë për integrim”. Ministri është i bindur që reforma e shtetësisë është në interes të Italisë: “Në këtë projekt konvergojnë identiteti kombëtar dhe interesi kombëtar. Por edhe interesat e fëmijëve dhe të familjeve të imigrantëve.
Ministri thotë se prej kohësh shpreson që “kjo temë të trajtohet më në fund në mënyrë të arsyeshme, të ligjshme, e mbi të gjitha, njerëzore”.
Lexo edhe: Napolitano: “Çmenduri t’u mohosh shtetësinë bijve të imigrantëve”