in

Rreth 10% e futbollistëve të rinj në Itali janë të huaj

Lorenc Shqypi, i ri shqiptar që luan në La Spezia
Figc, Federata Italiane e Futbollit bën të ditur se gjatë viteve të fundit është regjistruar një rritje e madhe e fëmijëve dhe adoleshentëve të huaj që luajnë në klubet e ndryshme italiane. Tanimë ata janë rreth 10% e 700 mijë të rinjve më moshën 6 deri në 16 vjeç që kanë teserën e Figc.

Në renditjen sipas prejardhjes radhiten të parët marokenët e tunizianët, më pas ganezët e nigerianët. Por pas migrimeve masive nga Europa lindore, Figc vë në dukje një rritje shumë të madhe të fëmijëve e të rinjve shqiptarë, kosovarë e rumunë.

Sipas disa drejtuesish klubesh lidhja me një skuadër është për fëmijët e emigrantëve një mënyrë për t’u ndjerë më të integruar, një lloj simboli që i vë në të njëjtin nivel me fëmijët italianë. Dikush rrëfen që një fëmije ganez i kanë dhënë dy diviza, dy çanta e dy palë këpucë. Përveç se për t’u stërvitur ai këto veshje i mbante dhe për në shkollë, ku nuk donte të ndahej nga simbolet e klubit të tij, simbole që i jepnin një lloj krenarie.

Dokumentet e nevojshme për anëtarësim në një klub futbolli

Kërkesa për anëtarësim duhet të bëhet duke përdorur modularët e Federatës, të cilëve u bashkëngjiten dokumentet e parashikuara nga normat në fuqi. Para së gjithash duhet një deklaratë e noterizuar e nënshkruar nga futbollisti dhe prindit e tij në të cilën deklarohet nëse ai ka qenë apo jo qenë i anëtarësuar në federatë jashtë vendit. Nëse ka qenë i anëtarësuar diku tjetër, kërkesa nuk mund të lëvrohet nga Komiteti Vendas, por nga Zyra e Teserimeve të Figc. Dokumentet e tjera të nevojshme janë: një certifikatë regjistrimi në shkollë, certifikata e lindjes (lëshuar nga komuna e banimit nëse lojtari ka lindur në Itali, ose dokument i barazvlefshëm ku të dëshmohet datëlindja, fotokopje e pasaportës ose i një dokumenti identiteti i lojtarit dhe i prindërve të tij; certifikata e banimit dhe e përbërjes familjare të lëshuar nga komuna e banimit të fëmijës dhe prindërve të tij si dhe lejeqëndrimet e të miturve e prindërve. Në se lejeqëndrimi është i skaduar, mund të paraqitet kopja e lejeqëndrimit të vjetër dhe kërkesa për përtëritjen.

Edhe Kosova në Biennalen e Venecias

Kledi Kadiu: “Karriera nuk është gjithçka në jetë”