Në fillim të vitit 2010, ishte rreth 278 mijë numri i të lindurve jashtë që marrin pension në Itali. Sipas INPS-it, vetëm 110 mijë prej tyre duhet të jenë imigrantë, të tjerët italianë të lindur jashtë shtetit
Romë, 10 qershor 2011 – Nga “Studimi IV mbi punonjësit e huaj në arkivat e INPS-it – Rregullsia e punësimit si faktor për integrimin” del se në 1 janar 2010 numërohen 278.150 pensione që u jepen personave të lindur jashtë Italisë. Por nga këto as 110 mijë pensione nuk u shkojnë të huajve që jetojnë në Itali, pasi në shumicën e rasteve është fjala për pensione që marrin italianët që kanë lindur në vende ku emigracioni italian para disa dhjetëvjeçarësh ka qenë shumë i fortë si Francë, Gjermani, Zvicër, Argjentina, Libia, ShBA, Etiopia, Brazili etj.
Sipas studimit, ndër vendet me imigracion të lartë në Itali, Shqipëria, me 7.975 persona të lindur atje e që përfitojnë pension në Itali, renditet e para. Kjo kryesisht për dy arsye: pas 20 vjetëve imigracion në Itali, tashmë janë të shumtë ata që kanë dalë në pension këtu. Arsyeja e dytë është fakti që shqiptarët janë mes atyre komuniteteve që kanë një përqindje të lartë bashkimesh familjare me prindërit, që duke qenë të moshuar, pas disa vitesh qëndrimi në Itali marrin pension social me mbushjen e 65 vjeçëve.
Ndjekin Maroku (6.319), Rumania (5.334), Polonia (3.012), Filipinet (2.356).
Me 20% të popullsisë mbi 65 vjeç, Italia shpenzon për mbrojtjen sociale mbi një të katërtën e PBB-së, dhe në këtë aspekt, imigrantët janë shtresa e popullsisë që jep shumë e merr më pak nga sistemi i sigurimeve shoqërore, qoftë për moshën mesatare më të re e qoftë për dinamizmin e tyre në tregun e punës. Këto 278.150 pensione ndahen në rreth 248 mijë për pension të mirëfilltë nga puna dhe diçka më shumë se 30 mijë për pensione e çeqe sociale. Ato i kushtojnë arkave të INPS-it 2 miliardë e 329 euro.
Aktualisht numri i të huajve që përfitojnë pension është shumë i ulët: po të konsiderohen edhe ata 16 mijë të huaj që gjatë vitit 2010 kanë mbushur moshën e pensionit, duke çuar në rreth 127 mijë numrin e pensionistëve të mundshëm imigrantë, del në dukje që vetëm 1 ndër 30 rezidentë të huaj (ose 3,3%) duhet të marrë pension, ndërkohë që për të gjithë banorët e Italisë ky raport është 1 me 4 (23,5% e banorëve është në pension). Me kalimin e viteve përqindja e të huajve që do të marrin pension do të ngrihet dalëngadalë për të arritur në 8% në vitin 2025, ndërkohë që kjo përqindje për të gjithë banorët e Italisë do të ketë arritur në 28,2%. Kjo ecuri tregon më së miri se prurja pozitive aktuale që imigrantët kanë në sistemin e sigurimeve shoqërore në Itali, do të vazhdojë për një numër të konsiderueshëm vitesh, dhe do të jetë akoma më e ndjeshme po të arrihet të promovohet një futje sa më e rregullt e imigrantëve në tregun e punës, gjë që do të sillte edhe më shumë para në arkat e INPS-it. Nga ana tjetër, punësimi i rregullt i imigrantëve shkon në favor të shtetit dhe të tyrin, pasi me situatën e sotme të punës në të zezë apo “gri” dhe me afrimin e moshës së pensionit, imigrantët rrezikojnë të shtojnë radhët e të varfërve.
Keti Biçoku