in

Rritet fluksi i kërkesave për pasaporta biometrike në Shqipëri

Me afrimin e festave, rritet sërish edhe fluksi i aplikuesve për pasaporta biometrike në zyrat në Shqipëri. Zyrat konsullore në Itali njoftojnë se kush ka aplikuar deri në fillim të dhjetorit në Romë apo Milano, mund të tërheqë dokumentet.

Romë, 22 dhjetor 2011 – Pasaportat vazhdojnë të bëhen edhe në konsullatat shqiptare në Greqi e Itali por kostoja e lartë e tyre në këto zyra detyron shumë shqiptarë të aplikojnë kur shkojnë për pushime në atdhe.

Kështu, nga policia e Gjirokastrës konfirmojnë se me ardhjen e emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit në familjet e tyre, është rritur ndjeshëm numri i aplikimeve për pasaporta biometrike.
Gentian Mullai, zëdhënës i drejtorisë së policisë në Gjirokastër, tha për ATSH-në se, “ditët e fundit ka një fluks të lartë qytetarësh që aplikojnë për pasaporta biometrike.”Nga 20 deri në 30 aplikime në ditë që kryheshin para pak kohësh, tashmë ky numër arrin në gati 100 aplikime”, deklaroi Mullai, duke shtuar se shumica e aplikuesve janë emigrantë të ardhur nga shteti grek.
Zëdhënësi bëri të ditur se në zyrat ku kryhen procedurat për aplikime janë marrë masat e nevojshme për të evituar pritjet e gjata. Sipas tij, të gjithë aplikuesit pas plotësimit të dokumentacionit  përfundojnë procesin në afate kohore të shkurtra. Pritet qe numri i aplikuesve të vazhdojë të rritet edhe më shumë në ditët e fundit të këtij viti me shtimin e fluksit të emigrantëve.

Në Romë ku vazhdon aplikimi për pasaporta biometrike, por ku është reduktuar numri i personelit të parashikuar për këto veprime (për shkak të fluksit të ulët), lajmërohet se mund të tërhiqen pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike për të cilat është aplikuar deri më 2 dhjetor 2011.

Edhe në Konsullatën e Milanos, ku fluksi është më i lartë se në Romë e ku vazhdohet të punohet me personel të plotë, mund të tërhiqen dokumentet për të cilat është aplikuar deri më 2 dhjetor 2011.

Ndahet nga jeta sopranoja Nina Mula

Durrës. Gjatë vitit 2011 janë sekuestruar mbi 412 kg lëndë narkotike