in

Sa kushton leja e qëndrimit tani që taksa nuk ekziston më?

Edhe pa kontributin për lëshimin e përtëritjen, dokumenti i qëndrimit nuk është falas. Mbeten për t’u paguar shtypja e dokumentit elektronik, pullë-taksa dhe shërbimi postar

Romë, 17 qershor 2016 – Kontributi nga 80 në 200 € për lëshimin e përtëritjen lejes së qëndrimit nuk ekziston më. Një sentencë e hoqi më 24 maj e megjithëse ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë akoma bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, imigrantët nuk duhet ta paguajnë.

Kjo nuk do të thotë se leja e qëndrimit është falas. Edhe pa barrën 80, 100 apo 200 euroshe, të jesh i rregullt në Itali kushton e jo pak. Sa? Le të bëjmë llogaritë.

Para së gjithash, paguhet për shtypjen e dokumentit elektronik: 30,46 euro, (çmim që u ngrit në prill, më parë ishte 27,50). Shuma paguhet me buletin postar në llogarinë nr. 67422402 në emër të ministrisë së ekonomisë dhe Financës me motivimin “Importo per il rilascio del permesso di soggiorno elettronico”.

Kompletit të formularëve të lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit i bashkangjitet një pullë-taksë 16 €. E së fundi duhen paguar edhe 30 euro në sportelin e postës ku dorëzohet kërkesa, që i shkon shoqërisë Poste Italiane për shërbimin e mbledhjes dhe të përcjelljes së kërkesës Kuesturave, sipas një konvencioni të lidhur me ministrinë e Brendshme rreth 10 vjet më parë.

Gjithsej janë 76,46 euro, që imigrantët duhet të kenë në xhep kur shkojnë të kërkojnë apo të përtërijnë dokumentin e tyre të vyer të qëndrimit.

 

Kombëtarja feston ditëlindjen e De Biasit – VIDEO

Jo Cox, un simbolo da abbattere