Rumani Shqipëri 0-1. Rezultat historik për Shqipërinë që e lejon edhe të ëndërrojë për të vazhduar rrugën në Evropianin 2016
Lion, 19 qershor 2016 – Shqipëria shkruan historinë duke fituar një ndeshje në një kampionat europian dhe duke shpresuar në kualifikimin e mëtejshëm. Në një stadium të mbushur plot me shqiptarë kombëtarja e drejtuar nga De Biasi nuk zhgënjeu duke marrë fitoren e shumëpritur.
Goli i Armando Sadikut i dha Shqipërisë tre pikë të arta. Ai shënoi me kokë në minutën e 43-të të pjesës së parë në ndeshjen kundër Rumanisë në ndeshjen e tretë të fazës në grupe të Evropianit 2016. Ai ka shfrytëzuar një pasim shumë të mirë të Memushajt, për të shënuar me kokë pas një daljeje të gabuar të portierit të Rumanisë.
Ky është goli i parë i Shqipërisë në një Kampionat Evropian dhe si i tillë jo vetëm ngre peshë zemrat e milionë shqiptarëve e tifozëve kuqezi që po ndjekin me një entuziazëm të veçantë këtë Evropian, por fut në histori emrin e sulmuesit shqiptar.
Kombëtarja shqiptare ka kaluar në epërsi në ndeshjen kundër Rumanisë, me golin e shënuar nga sulmuesi Armando Sadiku pas disa rasteve te pastra me Lenjanin dhe Memushajn.
Pjesa e dytë ishte një kontrollim i lojës me kundërsulme që për fat të keq nuk dhanë një gol të dytë.
Tashmë duhet pritur rezultati i ndeshjeve të tjera për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm për në fazën tjetër.