in

Saimir Pirgu: “Nuk kam asnjë problem në Itali”

“U bëj thirrje gazetarëve të mos shtrembërojnë ato që them e të mos gjejnë nënkuptime aty ku nuk ka” thotë tenori i njohur për Shqiptariiitalise.com

Saimir Pirgu ne rolin e Dukes se Mantoves
Romë, 26 gusht 2013 – Një shkrim në të përditshmen Panorama, që përkthen dhe komenton një lajm të sitit Alto Adige, titullohet: “Saimir Pirgu: Prej 10 vjetësh s’më japin shtetësinë italiane”.

Pirgu, ndër tenorët më në zë në arenën ndërkombëtare sot, ka probleme me shtetin italian? “Asgjë e vërtetë. Nuk kam asnjë problem me shtetin italian” – thotë Saimiri për shqiptariiitalise. Pas suksesit të korrur me rolin e Dukës së Mantovës në Rigoletton e Verdit të shfaqur në arenën e Veronës, po gëzon ca ditë pushime në Dhërmi, dhe aty i kanë thënë miqtë për lajmin e nxjerrë nga Panorama, ku mes të tjerave shkruhet “Kombësia shqiptare, me sa duket vazhdon të jetë një pengesë në zyrat e shtetit fqinj, ndonëse jo në skenat operistike”. “Jam shumë i trishtuar për gabimet trashanike që bëjnë gazetarët. Mirë që i marrin lajmet nga gazetat e tjera, që nuk verifikojnë me të interesuarit çfarë shkruhet apo çfarë kanë kuptuar, por pse i shtrembërojnë e gjejnë nënkuptime edhe aty ku nuk ka, e si përfundim japin një lajm për një tjetër”.

Artikulli i Alto Adiges ishte për suksesin e fundit të Saimirit në rolin verdian të Dukës së Mantovës në Arenën e Veronës dhe jo pse Pirgu paska ngritur problemin e mohimit të shtetësisë italine, siç bën të mendosh shkrimi te Panorama. “Me gazetarin e Alto Adiges kisha diskutuar edhe më parë faktin që në Itali u jepet shtetësi më lehtë e para dhjetë vjetëve rezidencë në Itali për merita të veçanta sportistëve për shembull, por për artistët kjo rrugë për të arritur te shtetësia nuk para rrihet”. Gazetari italian duket i çuditur që një artist me famë botërore si Pirgu, që jeton në Itali prej 13 vjetëve, nuk ka akoma shtetësinë. Por Pirgu që është me këmbë në tokë, që e njeh ligjin italian mbi shtetësinë, i mësuar me burokracinë ia pret shkurt me një “e lëmë këtë muhabet” e në të vërtetë as nuk thotë se ka bërë kërkesë para 10 vjetëve. “Unë kërkesën e kam bërë, pasi mbusha 10 vjet rezidencë në Itali e pres që burokracia e ngadaltë italiane të bëjë punën e saj. – thotë ai – Por nuk kam asnjë problem me Italinë. Më vjen keq që shkrime si ky i Panoramës, edhe kur janë përkthime shkrimesh në gjuhë të huaj nxjerrin në plan të parë “probleme” që nuk ezistojnë e harrojnë të marrin thelbin”.

E ka shumë të drejtë, ajo që ia vlen të shkruhet për Pirgun në këto çaste është vlerësimi i lartë, ovacionet e publikut që shoqëruan performancën e tij si Duka e Mantovës. “Luajtja e këtij roli në këtë Rigoletto ka qenë emocionuese për disa arsye. Sepse kthehem një vit pas debutimit në një tempull të muzikës lirike si Arena e Veronës; sepse luaj ndër figurat më të bukura të Operës të të gjitha kohërave në vitin e dyqindvjetorit të lindjes së Verdit. E pse jo, sepse ovacioni i publikut, i 12 mijë personave është gjithnjë diçka e mrekullueshme”.

Këto ditë po pushon në Shqipëri pas një sezoni të jashtëzakonshëm të nisur në 1 janar me Koncertin e madh të vitit të Ri në La Fenice të Venecias të vazhduar me rolin e Alfredos në Traviata të shfaqur në New York Metropolitan Opera etj.

Por shpejt do t’i kthehet sërish punës, e pret një tjetër sezon i ngjeshur. Në shtator këndon “Messa da requiem” të Verdit në Grafenegg festival në Austri, Meshë që do të këndojë edhe në tetor në Vienë; më 27 shtator e më 3 tetor vesh sërish petkat e Dukës së Mantovës të operës Rigoletto në Zurich Opernhaus (Svicër) e për dhjetë data në nëntor e dhjetor do të jetë perandori Tito Vespasiano i “La clemenza di Tito” në Opéra National de Paris”.

E në Shqipëri? “Pse jo po të ketë ndonjë projekt të bukur. Më pëlqen që krahas skenave ndërkombëtare të kthehem edhe në shtëpi. Pjesëmarrja në koncertin galà për 100-vjetorin e Pavarësisë, për shembull, më la mbresa shumë të mira”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Saimir Pirgu. Eliksiri i suksesit

Flukse e sanatore. Në konvertimin në ligj të dekretit konfirmohen risitë

Dhjetë mijë të huaj mund të vijnë në Itali për të marrë një profesion