in

Sanatore e ndihmësve familjarë: verë pa lejeqëndrim

Akoma kohë të gjata pritjeje në provincat me më shumë kërkesa. Në Romë, Milano e Napoli shqyrtimi i kërkesave për legalizimin e punonjësve shtëpiakë nuk përfundon para vitit të ardhshëm. Napoli , provinca me më shumë vështirësi e me më pak praktika të mbyllura, vetëm 26%.

Është ende herët për të mbyllur njëherë e mirë çështjen e sanatores së shtatorit të shkuar. Mijëra bashkëpunëtorë familjarë do të kalojnë verën pa lejen e qëndrimit, e ndoshta edhe vjeshtën e dimrin, nëse kanë fatin e keq të kenë kërkuar legalizimin në provincat me më shumë kërkesa.

Në shtatorin e shkuar, kërkesat e paraqitura kanë qenë rreth 300 mijë, dhe të dhënat më të fundit të ministrisë së Brendshme, të datës 5 korrik, thonë se kontratat e qëndrimit të nënshkruara deri në atë çast, hapi i fundit para kërkimit të lejes së qëndrimit, ishin 174 mijë. Po të shohim gotën gjysmë plot, mund të themi që pjesa më e madhe është hequr qafe, por nëse gotën e shohim gjysmë bosh do të themi se janë ende 120 mijë punonjës shtëpiakë e po aq familje në pritje prej nëntë muajsh.

E këta që presin janë kryesisht në Napoli, Milano e Romë, provinca që të tria bashkë kanë rreth 100 mijë kërkesa, rreth një të tretën e të gjithave.

Në Milano janë shqyrtuar deri më sot rreth 25 mijë kërkesa nga 43 mijë. “Kemi shkuar përpara me dhëniet e takimeve, por duhet të jemi realistë, objektiviështë të përfundojmë brenda fundit të vitit. Nëse do të arrijmë të paraprijmë pak këtë afat, aq më mirë akoma” thotë drejtuesja e re e Sportelit Unik të Imigracionit, Francesca Iacontini. “Do të bëjmë çmos për të shpejtuar, por duhet të bëjmë hesapet me shifrat. Milano – thekson Iacontini – është provinca me më shumë kërkesa (43.550) dhe në Sportelin Unik punojnë rreth 60 vtë, një e treta e të cilëve janë punonjës interinalë, kontrata e të cilëve përfundon pikërisht këtë muaj. Dhe nuk kemi vetëm legalizimin e punonjësve shtëpiakë: po për praktikat normale të bashkimeve familjare e flukset stinore, kush duhet të mendojë?”.

Janë 32.122 kërkesat e paraqitura në Romë, kanë nënshkruar kontratën e qëndrimit 18.831 vetë, të cilëve u duhen shtuar edhe 5 mijë të tjerë të cilëve u është hedhur poshtë kërkesa apo kanë hequr dorë prej saj apo nuk janë paraqitur në takim, dhe rreth 2.500 praktika janë në pritje të integrimit. Parashikimet ndalen në vjeshtën e ardhshme. “Për atëherë do të kemi dhënë të gjitha takimet, por nuk mund të themi se sa kohë do të duhet më pas për mbylljen e praktikave që mund të kenë edhe nevojë për integrim të dokumentacionit, gjë për të cilën japim një takim të dytë e të tretë” arsyeton Ferdinando Santorelli, drejtues i Sportelit Unik të kryeqytetit.

Santorelli flet edhe për ngadalësim të punës për shkak të veprimtarisë hetuese mbi shumë kërkesa të dyshueshme: “Policia dhe organet e drejtësisë na kërkojnë dokumentet e praktikave  dhe kjo i ha kohë një pjese të personelit”. Ndërsa për 30 punonjësit interinalë të Sportelit, shpjegon se punojnë me radhë: 18 deri në fund të muajit që do të zëvendësohen më pas nga 12 kolegë të tyre.

Në Napoli, ku janë paraqitur 24.364 kërkesa, është e sigurt që nuk mund të mbarohet para vitit të ardhshëm. E dëshmon kalendari i takimeve, që tashmë jepen për në janar 2011, e që nuk përfundojnë me kaq. Edhe këtu punonjësit interinalë “po skadojnë” dhe situata është e ndërlikuar për shkak të kërkesave të shumta të paplota, me gabime apo të rreme.

“Është vështirë të mendohet se që me takimin e parë mund të nënshkruhet kontrata e qëndrimit. Me ç’kemi parë deri tani, zakonisht mungojnë shumë dokumente e punëdhënësitt e punonjësit duhet të kthehen sërish për të integruar praktikën. Tjetër problem përbëjnë gabimet në transkriptimin e emrave të huaj kështu që praktikat kthehen edhe njëherë në Kuesturë për kontrollet” shpjegon Gabriella D’Orso, shefe e Sportelit Unik të Napolit.

E problemet më të mëdha hasen tani nga fundi. “Po shqyrtojmë kërkesat e paraqitura nga fundi i shtatorit, kur përfundonte afati i paraqitjes së kërkesës për legalizim, janë më problematiket nga të gjitha. Kemi punëdhënës që thonë se nuk dinin gjë për kërkesën e paraqitur, se të dhënat e tyre janë përdorur pa dijeninë e tyre, apo të tjerë që kanë falsifikuar derdhjen e kontributeve. Ka pasur edhe disa arrestime” tregon D’Orso.

Duhet pritur, madje ndokush edhe gjatë. Askush nuk duhet të gënjejë mendjen se puna do të përshpejtohet pikërisht tani, në prag gushti: lejet e zakonshme dhe përfundimi i kontratave të punonjësve interinalë, do të reduktojë edhe më numrin e punonjësve të zyrave që merren me legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë.

Elvio Pasca

 

Orienti te dera e shtëpisë

OKB : “Projektligji i përgjimeve duhet tërhequr”