Romë 20 shtator 2010 – Asnjë gjykim, asnjë sentencë, nuk duhet të bazohet mbi paragjykimet kur bëhet fjalë për të huaj që kryejnë shkelje. Është ky mesazhi i dhënë nga Gjykata e Kasacionit e cila pranoi pjesërisht ankesën e paraqitur në vitin 2009 nga një emigrant shqiptar 32 vjeçar, Genc L., dënuar me një vit burg dhe 400 euro gjobë për tentativë vjedhjeje të një automjeti.
Meqenëse shtetasi në fjalë nuk kishte pasur asnjë problem të mëparshëm me drejtësinë dhe punonte me kontratë të rregullt, kishte paraqitur kërkesë për pezullimin me kusht të dënimit.
Në bazë të Kodit Penal në rast se i dënuari nuk ka kryer asnjë shkelje më parë, pra nuk ka precedentë penalë, është në marrëdhënie pune dhe dënimi nuk i kapërcen dy vjetët burg, gjykatësi mund t’i njohë këtë lehtësim. Natyrisht në rast se mendon që personi nuk do të përsërisë më shkelje në këtë periudhë.
Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e Genovas në vitin 2006 ndoqën linjën e rreptë dhe nuk i njohën asnjë lehtësim emigrantit shqiptar. Vendimi motivohej me frazën: “Kushtet e shtetasit jokomunitar, i cili nuk ka asnjë pikë referimi në territorin kombëtar dhe në veçanti nuk ka asnjë punë të qëndrueshme, nuk lejojnë të mendohet se i akuzuari nuk do të kryejë më shkelje të tjera”.
Meqenëse i akuzuari kishte paraqitur një dokument në të cilin rezultonte i punësuar në shoqërinë “Trade Company” në kantierin detar të La Spezia dhe deklarata të nënshkruara nga disa oficerë të Marinës Ushtarake Detare që e njihnin dhe vlerësonin personalisht, Gjykata e Kasacionit vendosi që rasti të rishikohet. Një thirrje për gjyqtarët që të mos marrin vendime shumë të rrepta vetëm sepse i akuzuari është emigrant. (ir.ca.)