Goran Hadzic, 52 vjeç, në arrati që prej vitit 2004, akuzohet për 14 vepra penale, mes të cilave edhe për krime kundër njerëzimit.
Beograd, 20 korrik 2011 – “Goran Hadzic, i akuzuari i fundit i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, u arrestua sot në 08:24 lokale”. Lajmin e bëri të ditur presidenti serb, Boris Tadiç. “Me këtë arrestim, Serbia mbyll kapitullin më të vështirë në bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës”, shtoi presidenti
Arrestimi ka ndodhur në rajonin Fruska Gora, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Beogradit. Edhe pse Goran Hadzic është një personalitet i dorës së dytë në krahasim me Ratko Mladiç, ish-shefi ushtarak i serbëve të Bosnjës, arrestuar dy muaj më parë, apo Radovan Karaxhiç, ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës, i arrestuar në Beograd në korrik 2008, arrestimi i tij është i fundit që i kërkohej Beogradit.
Gjykata e Hagës ka mbajtur në fuqi kundër Goran Hadzic, 52 vjeç, i cili ishte në arrati që prej vitit 2004, jo më pak se 14 akuza, sidomos për krime kundër njerëzimit. Drejtësia ndërkombëtare dyshon gjithashtu edhe për përfshirjen e tij në vrasjet e qindra civilëve kroatë dhe në deportimin e mijëra kroatëve dhe të personave të tjerë jo serbë nga trupat serbe gjatë luftës së Kroacisë në vitet 1991-1995.
Goran Hadzic ka qenë “president kalimtar” i Republikës së Krajinës gjatë luftës në Kroaci, që përbënte rreth një të tretën e territorit të Kroacisë.
Emri i Goran Hadzic mbetet i lidhur veçanërisht me masakrën e spitalit të Vukovarit, në nëntor 1991, që bëri bujë të madhe në atë kohë. Rreth 250 kroatë dhe banorë të tjerë jo serbë, të cilët ishin strehuar në spitalin e këtij qyteti në lindje të Kroacisë, janë ekzekutuar nga forcat serbe pasi janë rrahur dhe torturuar.
Tashmë, Serbia mund të mburret se i ka arrestuar të 44 të akuzuarit që kërkonte Gjykata e Hagës, një pikë që ajo do të nxjerrë në dukje për të reklamuar perspektivat e saj evropiane. Goran Hadzic mbyll gjithashtu listën e 161 të akuzuarve të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare për rolin e luajtur gjatë luftërave që shkatërruan ish-Jugosllavinë në vitet ’90.
Beogradi aspiron të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, si dhe një datë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Në fakt, BE përshëndeti arrestimin e Goran Hadzic, duke e konsideruar si një “hap të rëndësishëm” të Beogradit drejt anëtarësimit në të ardhmen në bllokun e 27-ve.
“Bashkimi Evropian përshëndet me entuziazëm arrestimin e Goran Haxhiç nga autoritetet serbe”, lexohet në komunikatën e përbashkët e presidentëve të BE-së, Herman Van Rompuy, të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, dhe e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.
“Ky është një hap tjetër i madh i Serbisë drejt realizimit të perspektivës së saj evropiane madje të anëtarësimit në Bashkimin Evropian” shtojnë ata, duke kërkuar transferimin “e menjëhershëm” të Goran Hadzic në Hagë.