Shkrimi vetëm në gjuhën shqipe të toponimeve greke në pasaportat biometrike, vazhdon t’u hapë telashe emigrantëve në Greqi. Policia e kufirit po kthen mbrapsht dhjetëra familje
Tiranë, 17 janar 2013 – Policia kufitare greke në pikën e Kakavijës nuk ka lejuar kthimin në Greqi të dhjetëra familjeve shqiptare për parregullsi në pasaportat shqiptare të personave të lindur në shtetin helen.
Problemi është po ai i ngritur edhe muaj më parë: autoritetet greke kërkojnë që emrat e vendeve greke të mos shkruhen në pasaporta vetëm në gjuhën shqipe por edhe siç parashikon Organizata e Kombeve të Bashkuara me një nga Konferencat për Standardizimin e Emrave Gjeografikë. Sipas OKB-së, në dokumente zyrtare, apo harta gjeografike, të gjithë emrat e Greqisë duhet të shkruhen siç shqiptohen në gjuhën greke, por të konvertuar me germa latine: Thessaloniki për Selanikun, Kastoria për Kosturin, Florina për Follorinën, Kerkira për Korfuzin, etj. Kështu duhet t’i shkruajë edhe Shqipëria, që e ka të zgjidhur çështjen për qytete si Athina, Katerini, Larisa, Patra etj, të cilat fatmirësisht edhe në shqip shkruhen ashtu siç e kërkon katalogu i Neë Yorkut.
Nuk është e vështirë të kuptohet që mes ‘Selanik’ që shkruhet në pasaportat shqiptare dhe ‘Thessaloniki’ siç parashikohet të shkruhet ka goxha dallim. E janë të pavend protestat e PS-së që sot gre zërin për “fyerje të dinjitetit shqiptar”. Pasaporta është vërtet dokument i shtetit shqiptar, por është edhe i vetmi që njihet jashtë territorit të Shqipërisë, ndaj duhet të plotësojë parametrat e parashikuara për dokumente me vlefshmëri ndërkombëtare. Nëse mbi to do të shkruhej vetëm “Republika e Shqipërisë” nuk do ta njihte njeri, ndaj edhe përkthehet “Republic of Albania”. Atëherë përse të mos shkruhen edhe toponimitë e tjera ashtu siç i parashikojnë marrëveshjet ndërkombëtare? Dhe jo për të plotësuar tekat e grekëve, por sepse ashtu duhet, e për të mos u hapur telashe qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Në këtë aspekt në tetor të vitit të shkuar ministri i jashtëm Panariti, i kërkoi ministrit grek Avramopulos që për një periudhë kohe (45 ditë) të vazhdonte praktika e vjetër për njohjen e dokumenteve shqiptare në pikat kufitare greke, deri sa të arrihej një marrëveshje.
E për një periudhë u lejua që shqiptarët të hynin e të dilnin në Greqi pa probleme, por me sa duket jo më.
Është punuar ndërkohë për zgjidhjen e problemit? Jo, Shqipëria vazhdon të lëshojë pasaportat duke shkruar vendlindjen vetëm në gjuhën shqipe. “Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shqetësim moslejimin e kalimit të shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, për shkak të mënyrës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat e tyre” thuhet sot në faqet internet të ministrisë së jashtme shqiptare. Ndërsa “ministri Panariti kërkoi nga pala greke shtyrjen e moratoriumit që lejon qytetarët shqiptarë të udhëtojnë me dokumentat aktuale që kanë në përdorim, duke qenë se palët kanë avancuar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për këtë çështje”.
Që çështja të zgjidhet përfundimisht nevojitet që Shqipëria të ndryshojë sistemin e shkrimit të toponimeve, duke zbatuar konventat ndërkombëtare. Herët a vonë do të bëhet. Të shpresojmë që të mos detyrohen emigrantët të ndërrojnë pasaportë, e të paguajnë sërish çmimin e saj të kripur.
Keti Biçoku
Lexo edhe: Pasaportat biometrike shqiptare të emigrantëve në Greqi