Katër të rinj të rritur në Itali, bashkë me ASGI e APN, kërkojnë ndërhyrjen e gjykatës së Milanos. Këtë radhë nuk ekziston rreziku që të bllokohen përzgjedhjet e nisjet
Romë, 29 tetor 2013 – Më në fund, ashtu siç pritej, do të shkohet sërish në Gjykatë. Do të jetë gjykatësi ai që do të përcaktojë përsëri nëse është e drejtë apo jo të përjashtohet nga Shërbimi Civil Kombëtar të rinjtë e rritur në Itali por që, për shkak të ligjit absurd mbi shtetësinë, janë të huaj.
Edhe në janar 2012, duke pranuar ankesën e një të riu me origjinë nga Pakistani, gjykata e Milanos kishte urdhëruar heqjen nga kriteret e rekrutimit klauzolën e shtetësisë. Një sentencë e konfirmuar edhe në apel, por që nuk u mor parasysh nga Zyra Kombëtare e Shërbimit Civil, UNSC, e cilaedhe këtë vit, mes kritereve të rekrutimit mbajti sërish atë të shtetësisë italiane.
“Është ligji kombëtar që e parashikon këtë kriter, mund të eliminohet vetëm duke ndryshuar ligjin”. Është kjo përgjigjja e UNSC, e mbështetur edhe nga Zyra e avokatëve të Shtetit dhe nga ministrja e Integrimit Cecile Kyenge. Kjo e fundit, nuk ka mundur që idetë e veta mbi reformën e ligjit të shtetësisë t’i aplikojë në njëfarë mënyre të paktën në Shërbimin Civil që bulohet nga ministria e saj. Pra nuk ka mundur t’u japë edhe bijve të rritur në Itali të imigrantëve të njëjtat të drejta të bashkëmoshatarëve të tyre italianë.
Kështu më 28 tetor, ASGI (Associazione Studi Giuridici sull’Immigrazione) dhe APN (Avvocati per Niente ONLUS) kanë paraqitur në gjykatën e Milanos një ankimim të ri kundër diskriminimit në mbështetje të katër të rinjve me shtetësi të huaj (singalez, maroken dhe ukrainas) që duan të bëjnë Shërbimin civil. Me kriteret e tanishme të rekrutimit, edhe pse janë rezidentë në Itali prej më shumë se dhjetë vjetësh, mbeten jashtë.
“Përjashtimi i të rinjve të huaj nga kjo përvojë e rëndësishme solidariteti është jo vetëm e palogjikshme nga pikëpamja e politikave integruese, por edhe e papajtueshme me sistemin tonë ligjor që po përparon drejt një barazie gjithnjë e më të madhe mes italianëve dhe të huajve me rezidencë të qëndrueshme” shpjegojnë dy shoqatat në një komunikatë.
Në mbështetje të tezës së tyre, ASGI dhe APN kujtojnë edhe hapjen kohët e fundit të punësimit në shtet të huajve me kartë qëndrimi dhe faktin se, brenda Krishtlindjeve, Italia duhet të bëjë të vetën direktivën BE 2011/98, që aplikon akoma e më me rigorozitet parimin e barazisë mes italianëve dhe të huajve me qëndrim të rregullt.
Në këtë kontekst normativ, shpjegojnë, edhe “e drejta e përmbushjes së një detyrimi” (të jepet ndihmesa me forma solidariteti në “mbrojtje” të kolektivitetit) nuk mund t’u rezervohen vetëm qytetarëve vendas, por duhet t’u shtrihen – sipas nenit 2 të Kushtetutës – të gjithëve atyre që, duke qenë me banim të qëndrueshëm në Itali, marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën e komunitetit.
Dy shoqatat kërkojnë “që gjykatësi të njohë si të mirëqenë këtë parim (barazi në trajtim mes italianëve dhe të huajve me banim në Itali) – siç ka ndodhur me sentenca të tjera të vitit të shkuar – ose të përcjellë praktikën në Gjykatën Kushtetuese që të vendosë mbi përputhshmërinë e këtij përjashtimi me parimet e barazisë dhe të solidaritetit të sanksionuara nga artikujt 2 dhe 3 të Kushtetutës”. Gjykata Kushtetuese mund të trajtojë problemin që në themel, duke ndërhyrë jo në konkurset e rekrutimit por drejtpërdrejt në ligjin që parashikon kriterin e shtetësisë italiane.
Nis kështu një betejë e re ligjore. Këtë radhë, ama, entet dhe vullnetarët italianë fitues të konkursit për Shërbimin Civil mund të jenë të qetë, sepse nuk do të bllokohet i gjithë mekanizmi i Shërbimit Civil.
“Në ankimim, nuk i kërkojmë gjykatësit të bllokojë konkursin diskriminues. Por vetëm që t’u lejojë menjëherë pjesëmarrjen në të edhe të huajve, duke detyruar entet të pranojnë kërkesat e tyre me rezervë deri në mbërritjen e vendimit përfundimtar” sqaron për Stranieriinitalia.it avokati Guariso (ASGI e APN). Mbi këtë kërkesë urgjente gjykata duhet të shprehet brenda pak ditëve. Ndërsa mbi të gjithë ankimimin pritja mund të zgjasë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm.
Elvio Pasca