in

Shkolla shqipe Scanderbeg e Parmës rihap dyert për të pestin vit

Arbëreshi Peppino Pompò prindërve e mësuesve: “Fëmijëve mësojuni në fillim shqipen, sepse është gjuha e nënës, e të parëve, e rrënjëve. Do ta kenë më të lehtë të mësojnë pastaj italishten”.

Romë, 14 tetor 2013 – Falë shoqatës Scanderbeg, kursi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve në Parma është tashmë një realitet i suksesshëm prej disa vjetësh. Dje u hap viti shkollor 2013/2014, që shënon edhe vitin e pestë të mbajtjes së mësimeve. Këtë vit shoqata ka siguruar edhe mbështetjen e komunës së Parmës e cila ka ofruar falas ambientet e “Laboratorio Famiglia” ku mësimi do të mbahet çdo të diel, nga ora 10 deri në orën 12.

Do të japin mësim, vullnetarisht ashtu si edhe vitet e tjera, mësuesit Anila Kadija, Elvira Lashi, Durim Lika, Sonila Otobashi, Erlinda Pjeçi, Aurela Lashi e Aurora Sollaku. Edhe këtë vit shkolla do të përdorë tekstin me tre vëllime “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, libra që janë shpërndarë falas vitet e shkuara nga Ambasada, por që këtë vit Scanderbeg akoma nuk ka mundur të vihet në kontakt për të kërkuar kopje të reja. “Gjatë ceremonisë së djeshme u regjistruan rreth 20 fëmijë, – tregon Durim Lika, mësues e anëtar i Këshillit drejtues të shoqatës – disa prej të cilëve kanë ndjekur mësimin edhe vjet. Për këta të fundit kemi mjaftueshëm vëllime II dhe III të librit “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, prej atyre që na janë dhuruar vjet nga ambasadori Kola, por na mungon vëllimi i parë për fillestarët. Na nevojiten kopje të vëllimit të parë të këtij libri dhe ditët e ardhshme do të lidhemi me ambasadën për të parë disponibilitetin e librave”.

Në ceremoninë e djeshme, veç nxënësve, prindërve dhe mësuesve, kanë marrë pjesë aktivistë të shumtë të shoqatës, përfaqësues të “Integriamoci insieme” të Cervia-s, të Rrjetit FARE të shoqatave të Emilia Romagnas, të rrjetit social Edibler, mësuesi arberesh Peppino Pompò, skulptori e piktori Erjon Nazeraj, shkrimtari Robert Shkurti e të tjerë.

Ka hapur mbrëmjen Shpendi Ndreu, kryetari i shoqatës Scanderbeg që u ka dhënë mirëseardhjen të gjithëve dhe u ka uruar fëmijëve mësim të mbarë. Zv. kryetarja e shoqatës Vojsava Tahiraj në fjalën e saj  vuri në dukje rolin e institucioneve komunale në ndihmë të shkollës dhe i falënderoi ato. Durim Lika ka shpjeguar përvojën katërvjeçare të shkollës, vështirësitë e hasura, por edhe sukseset e arritura vit pas viti.

Pas tij kanë përshëndetur përfaqësuesit e shoqatave të tjera që veç urimeve fëmijëve nuk kanë kursyer përgëzimet për organizatorët që mundësojnë ofrimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe që janë një shembull për t’u ndjekur. Veçanërisht të vyera për mësuesit, prindërit e nxënësit, fjalët e arbëreshit Peppino Pompò mbi rëndësinë e gjuhës amtare: “Fëmijëve mësojuni në fillim shqipen, sepse është gjuha e nënës, e të parëve, e rrënjëve. Do ta kenë më të lehtë të mësojnë pastaj italishten e gjuhët e tjera”.

Së fundi përshëndetën mësuesit dhe fëmijët, që për ceremoninë e djeshme kishin mësuar nga një vjershë.

Redaksia Shqiptari i Italisë

Nga dita e parë e shkollës:

 

 

 

Tregtarët me Qeleshe

Biskota me petale drithërash të shefit Fundim Gjepali