in

Shpëton familjen nga flakët: “Mos më thërrisni hero!”

Asllan Lusha, 21 vjeç, pikas zjarrin dhe arrin të shpëtojë të gjithë familjen pak minuta para se tavani të shembej

Romë, 22 janar 2012 – Mbrëmjen e të enjtes 19 janar, vetëm ndërhyrja e shpejtë  e djalit 21 vjeçar Asllan Lusha ka shmangur tragjedinë në një familje shqiptare rezidente në Perego të provincës së Leccos.

Sapo ka hyrë në shtëpi rreth orës 21.30 Asllani ka parë një vrimë në tavanin prej  druri prej nga dukej se mes tavanit e çatisë kishte flakë.

Thërret menjëherë të vëllanë Ervisin që shikonte televizor, dhe i thotë të ngrejë nga gjumi prindërit e gjyshën e t’i nxjerrë jashtë. Vetë merr një tenxhere me ujë e përpiqet të shuajë zjarrin që shikon në vrimën me diametër rreth dhjetë centimetra në tavan. I vjen në ndihmë edhe i ati, Sadiu, por shpejt  e kuptojnë që është e kotë e dalin jashtë. Pak minuta më pas, i shkatërruar nga zjarri i përhapur nën çati, tavani bie.

Kështu gjenden në mes të rrugës, duke parë flakët që kishin përfshirë oxhakun, e gjithë familja: prindërit Sadi dhe Mejtullaje, gjyshja e moshuar Shyqyrije dhe dy djemtë Asllani dhe Ervisi.

“Thirrëm zjarrfikësit, sepse brenda 15 minutave zjarri ishte përhapur në gjithë hapësirën nën çati” – shpjegon Asllani. Që nuk shton se vetëm ndërhyrja e tij e menjëhershme bëri të mundur që familja e tij të mos mbetej e gjitha viktimë e flakëve dhe e zënë poshtë nga tavani prej druri.

Ndërhyrja e mëpasshme e zjarrfikësve ka shuar krejtësisht flakët dhe ka shmangur që këto të përfshi nin edhe çatitë e fqinjëve.

Sot familja e Asllanit nuk mund të hyjë në shtëpi, ajo ka nevojë për riparime që mund të zgjasin tre muaj. Ndërkaq u ka hapur dyert e agroturizmit “La Costa” të Giordano Crippa-s që është edhe pronari i shtëpisë ku familja Lusha rrinte me qira.

Asllanin e quajnë hero, shokët duke qeshur e quajnë zjarrfikës por ai me thjeshtësi deklaron: “Nuk bëra asgjë të veçantë, do ta bënte kushdo. Mos më quani hero, në ato çaste kisha shumë frikë, njësoj si të tjerët”.
 

Konkurs për pankartën zyrtare të 100-vjetorit të Pavarësisë

Edhe Arkivi i Filmit feston 100 vjetorin e Pavarësisë