in

‘Shqipëria fantastike’ e Ibrahim Kodrës, nga 13 prilli në Galerinë e Arteve

Krijimet e tij artistike do të prezantohen për publikun shqiptar, në një ekspozitë në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Galerinë Kombëtare e Arteve, nga data 13 prill dhe deri në 20 maj.

Tiranë, 8 prill 2012 – Ibrahim Kodra është ndër piktorët që përmes punimeve të tij do të kthehet në atdhe në këtë 100-vjetor të vendit. Krijimet e tij do të prezantohen për publikun shqiptar, në ekspozitën me titull “Shqipëria fantastike” në Galerinë Kombëtare e Arteve, që prej datës 13 prill dhe deri në 20 maj.

Ekspozita e Ibrahim Kodrës do të çelet në bashkëpunim me Fondacionin Kodra në Milano, ku një grup i GKA-së ka përzgjedhur veprat e tij më të mira. Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano disponon vetëm pak prej qindra tablove të kompozuara nga Kodra, ndërkohë që shumë prej tyre janë shitur kur ai ka qenë ende gjallë.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Ai ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës me piktorët më të njohur bashkëkohorë, si ekspozitë kolektive në “Paradise”, me piktorë si Picasso, Dali, Matta, Ernest, Levi, Panseca, Braque etj. Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Neëcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares. Ekspozita në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë etj.

Sipas GKA-së, 50 % e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë dhe 50% e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra.

Ibrahim Kodra ka lindur në Ishëm të Durrësit në vitin 1918. Ai vdiq në vitin 2006 në Milano ku jetonte prej 30 vjetësh. Veprat e tij gjenden në  Muzeumin e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Romë, në Galeri dhe në muze të njohur të botës si në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, USA, Rusi, etj.

Pas Ibrahim Kodrës, GKA do të çelë edhe ekspozitën e piktorit Lid Delija edhe kjo në kuadër të 100-vjetorit. (ATSh)

Lexo edhe:
Lin Delija e Ibrahim Kodra ‘kthehen’ në atdhe për 100-vjetorin
Gjashtë vjet pas vdekjes, ende nuk është realizuar galeria Ibrahim Kodra në Durrës

Fini: “Sot do të ndryshoja ligjin Bossi-Fini”

Flukset e sezonalëve. Shpërndarja e kuotave sipas krahinave