in

Shqipëria festoi 100 vjetët e saj të parë

Nga ceremonia e ngritjes së flamurit deri në koncertin e jubileut. Një ditë e Shqipërisë e veshur kuqezi

Ngritja ceremoniale e flamurit kombëtar në monumentin “Pavarësia” në Sheshin e Flamurit në Vlorë, shënoi sot paradite edhe nisjen zyrtare të ceremonisë së kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Autoritetet më të larta shtetërore, personalitete nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, qindra të tjerë të ftuar nga bota. si dhe mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare ishin në Vlorë, ku në orën 10:00 u çel edhe ceremonia zyrtare e nisjes së festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

Ceremonitë e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë vijuan më pas në Tiranë me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Zyrtarë të lartë të shteti shqiptar dhe ata nga Kosova, nën tingujt e muzikës funebre, vendosën në mesditë kurora me lule në Monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve të Atdheut.

Në mesditë Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të ditës së 100 vjetorit të Pavarësisë, shtroi një drekë në hotel Sheraton për nder të personaliteteve të huaja që morën pjesë në këtë jubile të madh.

Atmosfera festive në kryeqytet vijoi me kremtimet për festën e madhe kombëtare, ndërsa kulmoi në mesditë me prerjen e tortës gjigante të pavarësisë, të vendosur në sheshin përpara Teatrit të Operas dhe Baletit.

Torta gjigante me sipërfaqe prej 550 metra katrorë ka ngjyrë të kuqe dhe është dekoruar me figurën e shqiponjës dykrenore dhe vitin e shpalljes së pavarësisë, 1912.

Rreth orës 16:30, 1.800 trupa të forcave të Armatosura të Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, parakaluan për rreth një orë në sheshin Skënderbe, në prani të autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë, Kosovës, miqve të huaj të ftuar në festë dhe mijëra qytetarëve që ndoqën paradën e Pavarësisë.

Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, i autorëve Visar Obrija dhe Kai Kikls, u përurua rreth orës 17.30 në parkun “Rinia”, në prani të personaliteteve të larta të vendit si dhe të ftuarve nga bota.

Monumenti, i shpallur fitues nga konkursi ndërkombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve, u realizua në Austri. Vepra është 6,4 metra e lartë dhe rreth 5,5 metra e gjerë, duke përfshirë edhe rrugën për këmbësorë, që do të kalojë nëpër të.

Festimet vijuan me koncertin jubilar “Rrugëtimi i Kombit” në Pallatin e Kongreseve, ku interpretuan artistët shqiptarë të famshëm në për botë. Ndërsa më pas u zhvillua një koncert përmbyllës me pjesëmarrjen e këngëtares Rita Ora dhe artistë të tjerë shqiptarë në sheshin “Nënë Tereza”.

Festimet zyrtare të ceremonisë së kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u përmbyllën me darkën zyrtare në Pallatin e Brigadave, ofruar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të ditës
Përurohet monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë
Google feston 100 vjetorin e pavarësisë

Përurohet monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë

Gianfranco Fini në Tiranë: “Nëse nuk miratoni 3 ligjet, rrezikoni dy vjet vonesë në integrimin europian”