in

“Shqipëria ime”. Lind shoqata e shqiptarëve në Varese

Për promovimin e kulturës shqiptare në Itali dhe për mbështetjen e projekteve sociale e kulturore të anëtarëve të saj. Aktiviteti i parë, “Gëzuar Shqipëri!”, festimi i ditës së Pavarësisë

Romë, 2 nëntor 2013 – Një grup të rinjsh shqiptarë, nga Shqipëria e Kosova, ka ngritur në Varese shoqatën “Shqipëria ime”. Themeluesit e saj janë Bashkim Sejdiu, nga Presheva, Rezart Ujkaj nga Kopliku, Valmir Halilaj nga Malësia e Madhe, Sara Zalla nga Durrësi, Olsi Braho nga Gramshi, Albana Thartori nga Kavaja dhe Gjovalin Durgaj nga Shkodra. Të gjithë të rinj, prej vitesh në Itali ku kanë ardhur në moshë të vogël apo për studime.

Shoqata ka për qëllime promovimin dhe aktivizimin në formë vullnetare të të gjitha veprimtarive me interes të përbashkët të qytetarëve shqiptarë, me vendbanim në Itali; nxitjen e ndërhyrjes dhe interesimit të enteve të ndryshme, të shtetit italian, në konsiderimin e problemeve të ndryshme, me të cilat ndeshen qytetarët shqiptarë; nxitjen e bashkëpunimit me shoqata dhe organizata të tjera, që ndjekin të njëjtat objektiva.

Kryetari i shoqatës, 30-vjeçari Bashkim Sejdiu, prej 20 vjetësh në Varese, tregon se ka kaluar personalisht shumë vështirësi, dhe “vetëm kush i ka përjetuar ca gjëra, mund t’ua qajë hallin të tjerëve e t’u vijë në ndihmë”. Sejdiu prej 4 vjetësh ka hapur një agjenci praktikash për të huajt: “Gjithnjë u kam kushtuar vëmendje padrejtësive ndaj të huajve e me përvojën që kam mbledhur dua të bëj diçka më shumë për njerëzit e mi. Me “Shqipëria ime” duam të ndihmojmë bashkatdhetarët, të bëhemi pikë referimi në marrëdhëniet e tyre me administratën publike dhe burokracinë italiane, por edhe të promovojmë kulturën e artin shqiptar dhe anët më pozitive të shqiptarëve në Itali”.

“Shoqata dëshiron të afrojë 12 mijë shqiptarët që jetojnë në provincën e Vareses – thotë për shqiptariiitalise.com edhe Rezart Ujkaj, nënkryetar i shoqatës. – Nga njëra anë, duam të bëhemi pikë referimi për ta, t’u vijmë në ndihmë e të promovojmë talentin shqiptar. Nga ana tjetër, duam që komuniteti varezot të na njohë më mirë, përtej asaj çka lexon në faqet e kronikës. Këtë do ta arrijmë me anë të veprimtarive kulturore e artistike që do të organizojmë”. Rezarti vjen nga një përvojë disavjeçare si kryetar i shoqatës së Shoqatës së Studentëve të Vareses dhe Provincës, i pari kryetar i huaj i saj. “Ajo përvojë më ndihmoi jo vetëm si organizator por edhe të kuptoj gjithnjë e më shumë e më mirë rëndësinë e forcën e të qenit bashkë, të organizuar. Gjë që u u ka munguar deri tani shqiptarëve në zonën tonë”.

Në fakt, për të arritur qëllimet e saj, siç shkruhet në prezantimin on line, shoqata promovon organizimin e veprimtarive në ndihmë të anëtarëve; informimin e anëtarëve mbi të gjitha shërbimet dhe ndihmat social-ekonomike, që vënë në dispozicion entet e ndryshme italiane nga të cilat mund të përfitojnë edhe imigrantët; mbështetjen e integrimit të anëtarëve në të gjitha nivelet social-kulturore; mbështetje dhe ndihmë për ҫdo anëtar në projektet e tij të jetës si punësim apo si student; dhënien e mbështetjes së anëtarëve që ndodhen në vështirësi ekonomike, psikologjike apo sociale; organizimin e veprimtarive që valorizojnë ҫdo formë arti dhe sporti me qëllim evidentimin e talenteve të mundshme dhe mbështetjen e tyre në rrugën e suksesit; realizimin, në bashkëpunim me shoqata të tjera dhe entet lokale, të “hapësirave shqiptare” në mënyrë që t’u mundësojmë fëmijëve shqiptarë të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën shqipe, të njohin historinë e Shqipërisë, me qëllim që brezat e rinj të jenë të vetëdijshëm dhe të vlerësojnë identitetin e tyre kombëtar.

Aktiviteti i parë, për të cilën shoqata e sapolindur po punon fort, është spektakli Gëzuar Shqipëri për 101-vjetorin e Pavarësisë, me këngëtaret Rovena Stefa e Vida Kunora, që do të mbahet më 29 nëntor në Ata Hotel. Ky do të jetë edhe rasti për prezantimin e shoqatës para komunitetit shqiptar dhe varezotëve.

Red. Shqiptari i Italisë

Malta shet shtetësinë. Plot 650 mijë euro për t’u bërë evropian

Servizio Civile. Il giudice: “Accettare le domande dei giovani stranieri”