Elbasan
Akset kryesore rrugore, duke nisur nga Qafë-Thana e deri në Kapshticë kanë regjistruar një problematikë të theksuar për sa i përket lëvizjes së automjeteve. Ndërkohë, në Prefekturën e Elbasanit, akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa dëbora ka nisur të shkrijë edhe në zonat malore ne qarkun e Elbasanit.
Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, tha se, “të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, mes tyre edhe Qafë Thana, e cila një natë më parë ka pasur probleme jo për shkak të dëborës dhe ngricave, por për shkak të qarkullimit jo të rregullt të mjeteve”.
Që në orët e para të mëngjesit punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë hedhur skorie dhe kripë në rrugë dhe mjetet tashmë qarkullojnë normalisht dhe pa zinxhir.
Një natë më parë si pasojë e reshjeve të dëborës u bllokuan gjashtë fshatra të komunës Gjinar dhe Stëblevë, ndërsa mësohet se mëngjesin e sotëm edhe në këto fshatra qarkullimi i makinave kryhet vetëm me zinxhirë.