in

SHQIPËRIA NUMËROI VOTAT{br}Edi Rama fiton Tiranën?

16 maj 2011

KQZ: DO TË VERIFIKOHEN PROCESVERBALET E 485 QENDRAVE TË VOTIMIT TË TIRANËS

21.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot në mbrëmje një vendim sipas të cilit do të verifikojë  të gjitha të dhënat e procesverbaleve për të gjitha 485 qendrat e votimit në Tiranë, përpara se të shpallë rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë.

Në aktin që iu shpërnda anëtarëve të Komisionit, ky proces parashikohet të bëhet me dy etapa. Fillimisht, do të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi. Më pas, këto të dhëna do të krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave.

Etapa e dytë parashikon rastin kur nga të dhënat që krahasohen, rezulton se ka mospërputhje të shifrave. Nëse vërehen mospërputhje të shifrave të mësipërme, vendimi parashikon që krahasimi me shifrat në bazën e të dhënave të bëhet duke u bazuar në origjinalet e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Mospërputhjet e vërejtura do të mbahen shënim dhe t’i raportohen KQZ-së.

“Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja do të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe do të printohet prej saj tabela përmbledhëse e rezultateve për Bashkinë Tiranë”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

“Do të bëhet një verifikim i tyre për mënyrën se si është pasqyruar rezultati dhe brenda 48 orësh nga momenti që do t’i mbledhë, do të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin e Tiranës”, ka thënë Ristani, por ende nuk kuptohet kur do të nisë numërimi i këtyre 48 orëve, pasi tashmë kanë kaluar më shumë se kaq nga numërimi i kutisë së fundit të vlefshme për kryebashkiakun e Tiranës.

AMBASADORËT ARVIZU, SEQUI, WOLLFARTH NË KQZ ME RISTANIN E SUBASHIN

17:30 Ambasadori i BE-së, Etore Sequi , i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, dhe i OSBE-së Eugen Wollfarth, janë në ambientet e KQZ-së për një takim me kreun e KQZ-së Arben Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi për të diskutuar mbi situatën e nderë të krijuar nga mos certifikimi i rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës. Pasi ndoqën personalisht mbylljet e kutive të fundit, deri orët e vona pas mesnate, tre ambasadorët më me peshë në Shqipëri e kanë parë të udhës “të ndërhyjnë” drejtpërdrejt pranë KQZ-së për të gjetur një rrugëzgjidhje.

KRYETARI I RI I TIRANËS NË PRITJE TË CERTIFIKIMIT NGA KQZ

14.00 Për shkak të fitores me vetëm 10 vota të kandidatit socialist Edi Rama mbi kandidatin demokrat Lulzim Basha, KQZ ka nisur verifikimin e dokumentacionit dhe  të të gjitha tabelave të rezultateve në 11 qendrat e numërimit, me qëllim shmangien e ndonjë gabimi të mundshëm njerëzor në pasqyrimin e të dhënave. 
Sipas kodit zgjedhor KQZ duhet të shpallë rezultatin brenda 48 orëve nga marrja në dorëzim e materialeve të votimit dhe tabelave të rezultateve nga komisionet zonale. Kryetari i KQZ Arben Ristani ka bërë të ditur se 48-orëshi fillon pas marrjes së tabelës së fundit nga KZAZ-të. 
Por, duket se fituesi për Tiranën do të mbetet peng i një procesi të gjatë që nuk do të mbyllet vetëm me shpalljen e rezultatit nga KQZ, kur tashmë ka nisur një debat lidhur me disa fletë votimi për kryetarin e bashkisë që janë gjetur në kutitë e tjera të votimit për kryetar minibashkie apo për këshillat bashkiakë dhe që nga përfaqësuesit e komisioneve zonale janë përfshirë në zarfin me fletët e kontenstuara. 
Në një dalje për mediat Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të kërkohet vlerësimi i të gjithë votave të konsideruara të kontestuara, ndërsa përsëriti se nga të dhënat në dispozicion kandidati demokrat Lulzim Basha ka marrë më shumë vota. 
Edhe kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të lexohet çdo votë e kontestuar dhe të degjohet zëri i çdo qytetari në mënyrë të barabartë kur dihet se kjo garë ishte shumë e ngushtë. Basha përsëriti edhe një herë qëndrimin se do të presë rezultatin final nga KQZ për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë. 
Nga ana e tij kryesocialisti Edi Rama dhe kandidat i opozitës për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës, menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit shpalli fitoren me 10 vota më shumë ndaj rivalit të tij Basha. Në këto kushte Partia Socialiste i ka bërë thirrje KQZ-së që të shpallë sa më shpejt rezultatin për bashkinë e Tiranës. Në një komunikim me mediat, përfaqësues të kësaj partie thanë se zotërojnë procesverbalin e firmosur nga komisionerët demokratë dhe socialistë në përfundim të numërimit të votave në njësinë bashkiake numër 5, sikurse dhe dokumentacionin e plotë të firmosur nga të gjitha palet në njësitë e tjera, të cilat flasin se Edi Rama është kandidati fitues për kreun e bashkisë së Tiranës. 
Numërimi i votave në kryeqytetin e Shqipërisë përfundoi gjashtë ditë pas procesit zgjedhor të 8 majit kur u votua për 383 drejtuesit e rinj të njësive vendore. Ndryshe nga bashkitë dhe komunat e tjera, numërimi i votave në Tiranë shkoi me ritme të ngadalta, sidomos në njësinë bashkiake numër 5, një nga 11 minibashkitë e kryeqytetit.

KQZ: ALEANCA PËR QYTETARIN, KOALICIONI ME MË SHUMË VOTA

14.00 Ndërsa të gjithë presin rezultatin për kryebashkiakun e Tiranës, kryetari i KQZ-së kërkon akoma kohë. Njazi Kosovrasti dhe kryetari i KQZ Arben Ristani kanë kërkuar shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit dhe në orën 18 KQZ do të dalë me një vendim të ri për këtë çështje. Ndërkaq KQZ jep rezultatet e  fundit për koalicionet zgjedhore në vend në procesin zgjedhor të 8 majit vijojnë të nxjerrin kryesues koalicionin “Aleanca për Qytetarin”.  Sipas këtyre të dhënave, në rang vendi për këshillat bashkiakë koalicioni Aleanca për Qytetarin ka marrë 803.182 vota, kurse koalicioni Aleanca për të Ardhmen 663.408 vota, me një diferencë prej 139.774 vota,  ndërsa për partitë jashtë koalicioneve janë dhënë 75.247 vota.  Gjithashtu, sipas të dhënave të KQZ-së kandidatët e pavarur për këshillat bashkiakë kanë fituar 10.353 vota. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të 8 majit, tregojnë se opozita ka fituar shumicën e bashkive të mëdha në Shqipëri, kurse demokratët kanë fituar shumicën e komunave.

KQZ DISKUTON PËR KRYEBASHKIAKUN E TIRANËS

10.30 Tetë ditë pas votimeve, dy ditë pas numërimit të kutisë së fundit për kryebashkiakun e Tiranës, ende nuk ka një rezultat zyrtar mbi fituesin. Nga votat e zyrtarizuara në 484 kutitë e Tiranës, plus ato të kutisë së fundit (ende të pazyrtarizuara, edhe pse janë numëruar 48 orë më parë) del fitues Edi Rama me 10 vota më shumë se rivali i tij Lulzim Basha.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo ka nisur mbledhjen ku po diskutohet rreth vendimit për tabelat përmbledhëse të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë. Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj kërkoi përmbylljen e procesit zgjedhor për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit dhe këshillit bashkiak. “I kërkoj KQZ-së të ndërhyjë për ta mbyllur procesin ose në të kundërt të shkarkojë komisionerët e PD-së, të cilët po e zvarrisin atë në kufijtë e paligjshmërisë”, tha ai. Pas këtij propozimi, KQZ vendosi për shkarkimin nga detyra të kreut të KZAZ-së numër 49 ku akoma nuk ka një tabelë përmbyllëse të rezultateve, pavarësisht se kanë kaluar 48 orë nga përfundimi i procesit të numërimit (kutia e fundit e njësisë 5). Një ditë më parë, KQZ-ja vendosi që kërkesën e Partisë Socialiste për tabelat përmbledhëse ta shqyrtojë në mbledhjen e sotme.  Dje, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se për këtë çështje, ky institucion do të ndërmarrë një vendim, 48 orë pasi të mbërrijë dhe tabela e fundit nga KZAZ-të.

15 maj 2011

PS: KQZ TË SHPALLË SA MË SHPEJT REZULTATIN PËR KREUN E TIRANËS

14.30 Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko kërkoi  nga selia e Partisë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejt rezultatin për kandidatin fitues për Bashkinë e Tiranës. 
Majko tha për mediat që “Partia Socialiste disponon procesverbalin e fundit, që i jep Edi Ramës fitoren për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”.
“Këtu kam të gjitha statistikat, të gjitha tabelat dhe shpresoj që në respekt të ligjit, KQZ të marrë një vendim sa më shpejt. Koha nuk pret. Ka ardhur koha t’u jepet fund fjalëve. Tanimë fjalën e ka ligji dhe dokumentet e firmosura, që do të thotë se Partia Demokratike, së bashku me kryetarin aktual të saj dhe kandidatin e saj për kreun e bashkisë së Tiranës, duhet të respektojnë firmat dhe numrat e komisionerëve të tyre”, tha Majko.

PËR KRYEMINISTRIN, ZGJEDHJET JANË SHUMË TË MIRA

12.30 Ndërsa KQZ, një javë pas zgjedhjeve, ende nuk është i aftë të thotë kush është fituesi i Tiranës në bazë të procesverbaleve të KZAZ-ve, kryeministri Sali Berisha një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike vlerësoi si “shumë të mira zgjedhjet lokale të 8 majit”,  dhe deklaroi  fitoren e koalicionit të mazhorancës  kundrejt atij opozitar në shkallë republike. 

 Por edhe shtoi që nuk i takon atij të gjykojë këto zgjedhje pasi ka qenë lojtar në to: “Kjo u takon vëzhguesve ndërkombëtarë dhe kombëtarë, por në vlerësimin tim,  zgjedhjet kanë qenë shumë të mira”. 
Duke u ndalur te zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranes, Kryeministri Berisha tha “Disponojmë të dhëna të pakundërshtueshme se janë disa herë më tepër se 10-ta e zotit Rama, votat e hedhura për zotin Basha. Dhe me gjithë këtë, ju garantoj se ne do të pranojmë çdo rezultat të vendosur nga institucionet demokratike të vendit”. 
Edhe pse numërimi i votave duket se është pika më e dobët e këtyre zgjedhjeve Berisha nuk ngurroi të deklarojë: “Ne kemi arritur një nivel transparence të paprecedent,  të pashembullt të numërimit të votave dhe kjo bën krenar secilin prej nesh “.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi edhe mbajtjen e një analize transparente për zgjedhjet pas certifikimit te rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ SHTYN ME 48 ORË REZULTATIN PËR TIRANËN

11.30 KQZ në mbledhjen e sotme vendos të shtyjë me 48 orë dhënien e rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës. Kryetari i i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se “procedurat ligjore të nenit 123 të Kodit Zgjedhor parashikojnë që do të ketë tabelë përmbledhëse për Tiranën brenda 48 orëve nga çasti kur vjen tabela e fundit e KZAZ-ve”. Ai informoi se deri tani kanë ardhur më shumë se gjysma e tabelave përmbledhëse nga 11 KZAZ-të e Tiranës.

ZGJEDHJET. TË SHTATAT

10.05 Ndërsa pritej që KQZ të jepte sot një vendim përfundimtar për garën e shumëpritur për Tiranën, ajo ka nisur pak minuta më parë një mbledhje të zakonshme duke shqyrtuar ankimimet e partive lidhur me numërimet e votave në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ende nuk ka zyrtarizuar procesverbalin e KQAZ-së për kutinë e fundit për kryetarin e bashkisë së Tiranës, rezultat që po t’u mblidhet rezultateve të tjera të zyrtarizuara nga KQZ jep fitues për Tiranën Ramën me 10 vota mbi Bashën.

14 maj 2011

BASHA: DO TA PRANOJ CILIDO QOFTË VENDIMI VERDIKTI

20.30 “Zgjedhjet vendore të 8 majit ishin të ndershme dhe të lira, por gara në kryeqytet ishte shumë e ngushtë”, deklaroi Lulzim Basha, ndërsa siguroi se cilido që të jetë rezultati përfundimtar, ai do ta pranojë atë. “Cilido që të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahemi me fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk ka marrë më shumë se 50 për qind të votave. Çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme dhe të saktë”, tha Basha.
“Në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë mbetem i vendosur që çdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Nëse në fund të këtij procesi, Rama është fitues unë do ta uroj atë dhe nëse fitues jam unë shpresoj që ai të më urojë mua”, tha ai.
Basha kërkoi që kur fituesi i kësaj gare të jetë i sigurt, të gjithë kemi nevojë të ecim përpara dhe jo mbrapa, sepse kemi nevojë të ecim përtej luftës politike dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve.
“Qytetarët e Tiranës sot kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë. Ata duan që kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre të përditshme dhe jo betejat politike. Ata duan një Tiranë moderne dhe europiane dhe jo grindje shterpë dhe beteja e fajësim të të tjerëve”, tha Basha.    
“Falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e PD-së dhe partive të tjera dhe vëzhguesit e vendeve mike që ndihmuan për ta bërë këtë procesin më të ndershëm, të lirë, të saktë dhe transparent, me të cilin mund të krenohet Tirana dhe gjithë Shqipëria”, tha Basha, duke falënderuar të gjithë ata që dhanë votën dhe zemrën në këtë fushatë elektorale.

RAMA: ËNDRRA VAZHDON

18.50 “Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja është reflektim për mua, që sot ndiej peshën e borxhit ndaj çdo shqiptari që besoi duke votuar tek kandidatët e aleancës sonë dhe ndaj çdo qytetari në Tiranë që nuk më votoi, duke më sprovuar”, tha Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas përfundimit të procesit të numërimit. “U them pa dallim të gjithëve, duke filluar nga Tirana, se edhe ata zgjedhës që nuk na kanë votuar, nuk kanë humbur”, tha Rama, duke shtuar se “sot është dita për të festuar duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të këtij vendi që ka votuar apo jo për ne”. “Ëndrra vazhdon”, tha Rama, duke falënderuar të gjithë mbështetësit e tij në këtë garë, por edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët, sipas tij, “qëndruan në mbrojtje të votës së çdo qytetari, pa dallim”.

KQZ MBAN PENG REZULTATIN

18.00 KQZ shtyn për nesër në orën 10.00 mbledhjen e saj për shpalljen e rezultatit zyrtar për Tiranën. Duket se komisioni qendror i zgjedhjeve do të përllogarisë edhe një herë shumën e votave të marra nga secili kandidat në të 11-ta njësitë e kryeqytetit. Ky vendim vjen i befasishëm pasi të dhënat e KQZ-së deri para numërimit të kutisë së fundit ishin zyrtare e të certifikuara.

ZGJEDHJET: BERISHA PRET REZULTATIN NGA KQZ

16.35 Berisha ka dale ne konference shtypi. Ai ka deklaruar se pret rezultatin perfundimtar te zgjedhjeve dhe se nuk u beson te dhenave te databazes se selise roze. Madje shton qe “sipas databazes se selise se PD-se, fitimtari eshte Lulzim Basha”.

EDI RAMA SERISH KRYETAR I TIRANES PER 10 VOTA

16.19 Edi Rama mbetet kryetar i bashkisë së Tiranës, me avantazh votash sa gishtat e duarve. Ka dale tashme edhe procesverbali i KZAZ-se. Ne kutine e fundit Edi Rama mori 66 vota me shume se Lulzim Basha, duke e kapercyer me 10 vota ne shumen perfundimtare te votave per kryetarin e bashkise se Tiranes. Ne 485 kutite e kryeqytetit, Edi Rama i Aleances per te Ardhmen ka marre 124.597 vota kundrejt 124.587 te Lulzim Bashes se Aleances per Qytetarin.

RAMA +9?

15.52 Betejën duket se e fiton Rama me 9 vota më shumë se Lulzim Basha. Rezultati ende nuk eshte zyrtar. Pritet procesverbali i KZAZ-se, por simpatizantet e te dyja partive jane duke festuar.

KUTIA E FUNDIT

14.25 Si do të përfundojë ndeshja Basha-Rama? Janë numëruar 484 kuti dhe, sipas të dhënave jo zyrtare, diferenca mes Bashës dhe Ramës është ngushtuar në vetëm 56 vota. 

PESË KUTTITË E FUNDIT

13.00 Mbeten vetëm 5 kuti për t’u hapur, dhe sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Basha mbetet në avantazh me 477 vota. Në 480 kuti votimi, janë 123.947 vota për Bashën  dhe 123.470 për Ramën, për të cilin fitorja duket tashmë e pamundur. Vazhdon relativisht me shpejtësi numërimi i këtyre kutive të fundit.

NJESIA (APO PAVIJONI) 5: TETE KUTITE E FUNDIT

11.15 Ndersa vijon mbledhja e KQZ-se per te sqaruar situaten ne njesine 5, ka rinisur me ne fund numerimi ne dy tavolina. Kane mbetur edhe 8 kuti. Numerimi pritej te fillonte ne oren 8.00 por te vetmit qe u paraqiten te perpikte ne orar ishin  ambasadori amerikan Arvizu dhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Numerimi rifillon me nje avantazh te Lulzim Bashes, i cili deri tani, me 477 kuti te numeruara ka 571 vota me shume se Rama. Revanshi i Rames duket teper i veshtire dhe ndonese dita e sotme pritet te sjelle perfundimin e numerimit, shpallja e fituesit veshtire se nuk do te kaloje neper nje proces ankimimesh. 

KRYESON BASHA ME 708 VOTA, KUR MUNGOJNE VETEM 10 KUTI

01.00 Kush i fiton zgjedhjet? Pas pesë ditëve nga data e votimit, klasa politike nuk arrin të administrojë fazën e pas-votës, atë të numërimit që varet vetëm e vetëm prej saj. As prania e vetë ambasadorëve më të rëndësishëm në Shqipëri duket se nuk po ia del të detyrojë përfaqësuesit e klasës politike të bëjnë detyrën, thjesht të numërojnë me saktësi ato pak mijëra vota që kanë mbetur.

Në darkë KQZ-ja ia doli mbanë të përditësojë të dhënat e saj me 10 kutitë e numëruara një natë më parë. Tani sipas saj ka 475 kuti të numëruara dhe Lulzim Basha kryeson me 122.929 vota kundrejt Edi Ramës që ka vetëm 122.221.

Duke parë situatën e nderë të dy ditëve të fundit, rezultati përfundimtar po bëhet gjithnjë e më i largët.

SHTOHET NJË TJETËR KUTI NË REZULTATIN E KQZ-SË PËR TIRANËN

15.45 KQZ shton shifrat e një tjetër kutie që vjen nga njësia vendore 5 në rezultatin zyrtar për kryebashkiakun e Tiranë. Me numërimin e kësaj kutie, epërsia e Bashës ndaj Ramës ulet me 40 vota dhe është tashmë 837. Më saktësisht, nga 465 kutitë e deritanishme Lulzim Basha ka 120.423 vota ndërsa Edi Rama 119.586. Ende nuk janë regjistruar nga KQZ, rezultatet e disa kutive të numëruara që natën e shkuar të njësisë vendore 9. Pritet gjithashtu edhe numërimi i kutive të mbetura të njësisë 5 për të pasur rezultatin përfundimtar.

KQZ: ME 464 KUTI TË NUMËRUARA, BASHA KRYESON MBI RAMËN ME 876 VOTA

12.40 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shton në rezultatin zyrtar të Tiranës, shifrat nga kutitë e numëruar gjatë natës. Sipas KQZ-së, Basha ka 120.162 vota ndërsa Rama 119.286. Mungojnë ende shifrat e 21 kutive, por në të vërtetë nuk janë numëruar vetëm 13 të njësisë 5, 8 të tjera janë të numëruara dhe rezultati i tyre pritet të zyrtarizohet nga KQZ.

KQZ:  34 BASHKI PËR ALEANCËN PËR TË ARDHMEN, 31 PËR ALEANCËN PËR QYTETARIN

12.00 Pesë ditë pas votimeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, procesi tashmë po shkon drejt  përmbylljes së numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar. Sipas KQZ për 65 bashki të vendit, ku ka përfunduar numërimi i votave, koalicioni opozitar Aleanca për të Ardhmen ka fituar në 34 prej tyre, ndërsa Aleanca për Qytetarin ka fituar në 31 bashki të tjera. Ky është rezultati përfundimtar për të gjitha bashkitë e vendit, pa llogaritur Tiranën, ku numërimi ka mbetur në kutitë e fundit të njësisë bashkiake 5 (KZAZ nr.49), për të nxjerrë rezultatin për kryebashkiakun e ri. Mazhoranca ka fituar disa bashki që kanë qenë bastion i së majtës në Jug të vendit, si bashkia e Përrenjasit, Librazhdit, Roskovecit, etj. Ndërsa, PS ka arritur rezultate në disa bashki të njohura si të djathta si në Kavajë, Shijak, Laç, etj.

KQZ: 133 KOMUNA TË DJATHTËS, 57 TË MAJTËS

12.00 Sipas KQZ-së, Partia Demokratike ka fituar 133 komuna në mbarë vendin, ndërsa Partia Socialiste ka konfirmuar deri tani fitoren e saj vetëm në 57 komuna. Në shkallë vendi mbeten mbi 100 komuna në garë ku ende nuk janë numëruar votat, por referuar shifrave zyrtare, opozita ka fituar 32% të komunave, ndërsa maxhorana 68% të tyre.

KQZ: ALEANCA PËR QYTETARIN, KOALICIONI ME MË SHUMË VOTA. PS, PARTIA ME MË SHUMË VOTA

12.00 Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ dy koalicionet deri tani kanë këto rezultate: Aleanca për Qytetarin i drejtuar nga PD ka fituar 726.471 vota, ndërsa Aleanca për të Ardhmen, i drejtuar nga PS, ka marrë 641.215 vota. Aktualisht, diferenca mes dy koalicioneve është rreth 85 mijë vota. Tetë partitë politike jashtë dy koalicioneve të mëdha kanë marrë 32 mijë vota për Këshillat bashkiakë dhe komunalë në shkallë vendi.Votat që dy partitë e mëdha kanë marrë në shkallë vendi ndahen: PS ka marrë 389.690 vota, ndërsa PD 297.706 vota, me një diferencë prej 92 mijë votash. Pas tyre renditet LSI që në shkallë kombëtare ka marrë 104.367 vota, e ndjekur nga PR me 65.562 vota, e më pas PDIU me 58.127 vota etj.

RINIS NUMËRIMI NË NJËSINË  5. GJITHNJË NËN VËZHGIMIN E AMBASADORËVE

11.10 Nis numërimi i kutive të fundit të njësisë 5 në Tiranë që do të jenë vendimtare për qeverisjen e Tiranës për  vitet e ardhshme. Gjatë natës, numërimi në këtë zonë u ndoq nga ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe ai i BE-së, Ettore Sequi. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth është paraqitur edhe sot në qendrën e numërimit, që para orës 9 të mëngjesit, por iu desh të presë deri në 10.15 për nisjen e procesit të numërimit, që ishte paralajmëruar për në orën 08.30.

TIRANË, NUMËROHET VETËM NË NJËSINË 5. KUSH DO TË FITOJË KRYEQYTETIN?

08.00 Në Tiranë mbet vetëm një njësi për t’u numëruar, ajo numër 5, që mbulon një zonë të Tiranës në favor të Ramës. Kanë mbetur ende 16 kuti për t’u hapur, por sipas rezultateve të dhëna nga KQZ ende nuk ka shifra zyrtare për 23 kuti: me 462 të numëruara, Edi Rama ka 118.711 vota ndërsa Lulzim Basha ka 119.632. A do të arrijë kryebashkiaku i tanishëm Rama të marrë të paktën 921 vota më shumë se Basha në kutitë e mbetura për ta kapërcyer atë? Me këtë pikëpyetje nis kështu dita e pestë e numërimit të votave. Loja është akoma e hapur.

 

Romë. Qindra punonjës protestojnë kundër zhvendosjes së punës në Shqipëri

KQZ RINUMËROI VOTAT{br}Basha shpallet kryebashkiak të Tiranës