in

Shqipëria Turistike. Karaburuni një nga pikat më të preferuara nga turistët

Peizazhi natyror i gërshetuar me atë historik, e bëjnë atë një pikë turistike ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që, pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar. 

Vlorë, 9 gusht 2013 – Sokoli, një nga vlonjatët “e thekur” pas detit, këtë verë ka çelur një biznes të ri. Me mjetin e vet lundrues, një gomone 4,5 metra të gjatë, ai ofron lundrime përgjatë hapësirës së gjirit detar të Vlorës, deri në Karaburun. Në fakt, në këtë gadishull, në pjesën jugperëndimore të tij, është edhe destinacioni i Sokolit. Janë qindra pushues vendas e turistë të huaj, që shijojnë këtë lloj shërbimi, si edhe një ditë plazh në plazhet e virgjëra të gadishullit.

Pas shfuqizimit të Moratoriumit të mjeteve lundruese, turizmi detar në Vlorë po rritet me ritme të shpejta. Është shtuar numri i mjeteve lundruese, skafe, gomone, motobarka, në pronësi të qytetarëve. Një pjesë e tyre, i kanë vënë këto mjete në shërbim të pushuesve, duke ofruar mundësinë për të shijuar bukuritë e fshehura të bregdetit. Gadishulli i Karaburunit, mbetet më i preferuari, për shkak të bregdetit të pasur me gjire e plazhe të mrekullueshme, të paeksploruara ende.

“Gadishulli i Karaburunit, përbën një nga elementët kryesorë të paketës turistike që ofrojmë për të huajt”, thotë Vasil Bedini, një nga operatorët më të njohur në fushën e turizmit në Vlorë. Ai tregon se, grupet e turistëve transportohen me skaf në mjedisin e këtij gadishulli, ku ata pushojnë në plazhet e mrekullueshme të tij dhe ku konsumojnë ushqim me bazë mishi nga qengjat e mbarështuar në kullotat e këtij gadishulli. Sipas Bedinit, turistët e huaj e vlerësojnë këtë hapësirë natyrore, si një mjedis mjaft të pëlqyeshëm dhe tërheqës.

Por, krahas tij numërohen edhe shoqëri të tjera turistike që ofrojnë udhëtime ditore deri në Kepin e Gjuhëzës, ku është një plash i virgjër. Pushuesit kalojnë këtu orë mjaft të këndshme, në rërën e pastër. 

Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. Ai ofron surpriza të këndshme në çdo stinë, çka e bën atë të frekuentueshëm përgjatë gjithë vitit.

Peizazhi natyror i gërshetuar me atë historik, e bëjnë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që, pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar. 

Gadishulli formon një hark të madh e të butë, që ngjason me gishtin e madh të dorës, të shtrirë. Ai ndan gjirin detar të Vlorës nga Kanali i Otrantos dhe ka një gjatësi prej rreth 15 km, me një gjerësi që shkon deri në 4.5 km.  Në skajin verëperëndimor të Karaburuni(në turqisht gjuha e zezë), ndodhet Kepi i Gjuhëzs, pika më perëndimore e Shqipërisë. Në pjesën më të lartë të këtij masivi, ndodhen tre maja, ajo e Kores 826 metra mbi nivelin e detit, si dhe e Dafinës dhe Ilqes, respektivisht 732 dhe 687 metra. Pjesa perëndimore është shkëmbore dhe e copëzuar vertikalisht, me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël. Këtu gjenden, plazhi i vogël i Dafinës, bregu i Bitrit, shpella e Panaisë. 

Shpella e Haxhi Alisë
Përkundër kësaj, në pjesën lindore të gadishullit me pamje nga gjiri i Vlorës, bregdeti është më i formuar dhe më pak i thyer. Masivi i Karaburunit, në tërësi është i varfër në bimësi, por i pasur në kullota. Në pjesën më të ulët dhe më të ngushtë të tij ndodhet pllaja e Ravenës, një qendër blegtorale e njohur në jug të vendit, që shfrytëzohet nga banorët e fshatit Dukat për mbarështimin e të imtave.

Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, është shpella e Haxhi Alisë, një emër i njohur në historinë e piraterisë detare. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumta brenda saj. Ndërkohë, në pjesën perëndimore të gadishullit gjendet dhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë. 

Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, vlerësohet si një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Kjo edhe për faktin që ai ka shërbyer qysh në lashtësi si vend pushimi për anijet. Në muret e shumta të gjirit, konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, ku shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit, perëndisë së detit. Në shkrimet e shumta që i përkasin periudhave të hershme, duke nisur nga shekulli IV para Krishtit, veçojnë ato latine që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, ku gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja etj. Në këtë gji, ndodhet edhe shpella që mban të njëjtin emër, në muret shkëmbore të të cilës, dallohen vizatime e shkrime, ku shprehen falenderime për bujarinë e mikpritjen.

Me këta elementë dhe mjaft të tjerë, gadishulli i Karaburunit, përbën një nga zonat më tërheqëse të jugut të Shqipërisë që mund të ketë zhvillimi të konsiderueshëm të turizmit. (ATSh)

Sekuestrohen në portin e Durrësit 34 kg drogë që do të silleshin në Itali

Luli Bitri sjell muzën e Giuseppe Verdit në teatër