Nga ora 7:00 deri në 19:00 në mbarë Shqipërinë është votuar për kryetarët e 61 bashkive dhe rreth 1.600 këshilltarët bashkiakë.
Deri tani nuk ka të dhëna të sakta mbi pjesëmarrjen në votime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes kryetares Lefterije Luzi, bëri të ditur se pjesëmarrja në votimet e së dielës, deri në ora 16:00 është 38%.
U votua për 158 kandidatë për kryetarë në 61 bashkitë e Shqipërisë. U sfiduan kandidatët e 63 partive për të pasur përfaqësuesit e tyre në 1595 vende në këshillat bashkiakë. 52 parti janë pjesë e dy koalicioneve të mëdha: 37 të Aleancës për Shqipërinë Evropian me në krye PS dhe 15 të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet me në krye PD. 11 parti kandiduan secila më vete.
Tashmë të gjitha materialet zgjedhore po çohen në KZAZ dhe shpejt do të nisë procesi i numërimit të votive, që në të shkuarën ka qenë një pikë e dobët e zgjedhjeve në Shqipëri (mjafton të kujtohet numërimi i votave për kryebashkiakun e fundit të Tiranës).
Exit poll-et: Tirana PS-së, Shkodra PD-së. Durrësi në pikëpyetje
IPR Marketing & Ora News publikuan që në 19:30 exit pollin e parë mbi rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Durrës.
Shifrat e publikuara për qarkun Tiranë nxjerrin fitues kandidatin e koalicionit të majtë, Erjon Veliaj, me 52-54% të votave, kundrejt 38-42% të rivalit të djathtë Halim Kosova. Për sa u takon kandidatëve të pavarur, Gjergji Bojaxhi parashikohet të ketë fituar 4-6% të votave.
Në qarkun Shkodër exit poll-i projekton fituese Voltana Ademin, kandidate e koalicionit të djathtë “Aleanca për Punë dhe Dinjitet” me 51-55% të votave. Ndërsa Keti Bazhdari, kandidate e koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, sipas parashikimeve, ka fituar 41-45% të votave.
Ndërsa në Durrës sondazhi i IPR Marketing&Ora News nxjerr fitues kandidatin e majtë Vangjush Dako, me 50-54% të votave, ndërsa kandidatja e djathtë Grida Duma ka fituar 46-50% të votave.