in

Shqiptarët e Italisë në limbon e pensioneve 

 

Shqiptarët në Itali përbëjnë një nga bashkësitë më të mëdha e më të integruara. Rasti i tyre është emblematik edhe për situatën lidhur me sigurimet shoqërore. Disa prej tyre nuk do të marrin kurrë pension, as në Shqipëri as në Itali; të tjerë do të kenë dy pensione, në të dy vendet, por nuk do të mund t’i bashkojnë periudhat kontributive e ta gëzojnë më parë pushimin e merituar.
Nga Rando Devole

 

Asimja ka filluar të punojë në Itali në fillim të vitit 1999. Mes një mijë problemesh arriti të mbushë rreth 17 vite kontribute të derdhura. Në Shqipëri ka punuar pak më shumë se 12 vjet. Aktualisht, për probleme personale, nuk mund të punojë më, çka e fut në një situatë pasigurie për pensionin. I mungojnë tre vjet për secilin breg të Adriatikut për arritur minimumin e kontributeve të derdhura, por nuk mund të dalë në pension.

Eduarti i ka kaluar të gjashtëdhjetat e punon rregullisht në Itali prej 28 vjetësh. Kur u nis nga Durrësi kishte mbushur në Shqipëri plot 18 vjet kontribute të sigurimeve shoqërore. Tani sapo ka mbushur 61 vjeç, por nuk mund të tërhiqet nga puna, megjithëse ka punuar 46 vjet rresht.

Gjendet më keq Ylviu, 62 vjeç, që ka humbur vendin e punës sepse ndërmarrja i falimentoi. Pas 22 vjet pune në Shqipëri e 21 në Itali, tani është i papunë dhe e shtyn me kursimet e pakta që ka vënë mënjanë. Për sistemin italian të pensioneve duhet të presë moshën 67 vjeçare, ndërsa për atë shqiptar duhet të mbushë 65 vjeç.

Fatmiri shkoi emigrant në Itali pas 21 vjet pune në Shqipëri. Për shumë kohë ka qenë i detyruar të punojë në të zezë, sepse ishte pa letra, pa leje qëndrimi. Pasi u pajis me dokumente i ka derdhur rregullisht kontributet për gati 17 vjet. Pastaj iu desh të ikë nga Italia e të shkojë në Zvicër, ku pati probleme shëndeti.

Makbule, një tjetër punëtore shqiptare, ka mbushur 20 vite pune në Itali, ku mbërriti pas 8 vjet pune të rregullt në Shqipëri. Xhanit, punëtor i vjetër, i rezultojnë gati 48 vjet kontribute, 20 në Shqipëri e 28 në Itali. Megjithatë tek Instituti i sigurimeve shoqërore i konfirmuan se duhet të punojë akoma derisa të arrijë moshën e caktuar. Irena është 64 vjeç e vazhdon të pastrojë dhomat e hotelit ku punon, edhe pse ka 19 vite pune të rregullt në Itali e 22 në Shqipëri…

 

Marrëveshje dypalëshe për pensionet

Raste të tilla mund të njihen me qindra. Edhe në internet, ku shumë njerëz paraqesin hallin e vet dhe kërkojnë informacione për të gjetur një zgjidhje. Disa nuk do të kenë asnjë pension, as në Shqipëri as në Itali; të tjerë do të kenë dy pensione, në të dyja vendet, por nuk mund t’i bashkojnë periudhat kontributive për ta gëzuar më parë pushimin e merituar. Sistemi italian parashikon një minimum kontributesh prej 20 vitesh, ndërsa ai shqiptar jo më pak se 15 vite.

“Njoh shumë raste të tilla. Përpiqemi t’i shqyrtojmë e t’i përballojmë situatat e ndryshme por, për fat të keq, mungon një zgjidhje e drejtë dhe përfundimtare”, thotë Beskida Aliaj, drejtuese e Patronatit Inas-Cisl Albania, që vepron në Shqipëri prej gati dhjetë vjetësh dhe që e ka ngritur prej kohësh këtë problematikë. Zgjidhja përfundimtare duhet të jetë firma e një marrëveshje dypalëshe Itali – Shqipëri, që t’ua njohë punonjësve periudhat kontributive që kanë mbushur në dy vendet. Marrëveshje të tilla janë firmosur nga Italia e nga Shqipëria me disa vende të tjera, por jo mes tyre.

“Për qytetarët shqiptarë që vendosin të rrinë në Itali vlejnë rregullat e sistemit italian të sigurimeve shoqërore , sipas viteve të punës që kanë bërë dhe disa kritereve të tjera. Megjithatë ka një kategori qytetarësh shqiptarë që kthehen përfundimisht në vendlindje, pasi kanë punuar për disa vjet në Itali. Këtyre, si të riatdhesuar, u takon një pension që varet nga kontributet e derdhura (të paktën 5 vite pas hyrjes në fuqi të sistemit kontributiv) e nga disa kushte të tjera (heqja e rezidencës në Itali)”.

Në fakt, sipas legjislacionit italian, në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi i huaj që nuk ka punuar me kontratë stinore mund të gëzojë të drejtat e pensionit edhe nëse nuk ka marrëveshje reciprociteti me vendin e origjinës. “Bëhet fjalë për një dritare të vogël që rrezikon të mos shfrytëzohet, sepse shumë shqiptarë nuk e njohin. Megjithatë, zgjidhja përfundimtare për shumë të tjerë do të ishte pikërisht nënshkrimi i një marrëveshje midis dy vendeve në lëmin e pensioneve e të sigurisë sociale”, pohon Beskida Aliaj.

 

Padrejtësi sociale

Kemi të bëjmë me një problem serioz për shumë migrantë, kryesisht për moshën që i afrohet pensionit e që ka punuar në dyja vendet. Mjafton të mendojmë për faktin se asnjë shqiptar nuk mund të përfitojë nga e ashtuquajtura Quota 100*. Jemi përballë një padrejtësie sociale. Problemi bëhet edhe më i mprehtë nëse mbajmë parasysh lëvizshmërinë e njerëzve, që është rritur ndjeshëm dekadat e fundit.

Shumë migrantë shqiptarë, pas vitesh rezidence në Itali, kanë shkuar në vende të tjera të BE-së ose jo, duke hapur si rrjedhojë llogari të ndryshme kontributive.

Përveç kësaj, emigracioni nga Shqipëria në Itali nuk ka reshtur kurrë. Ka nga ata që e shikojnë zgjidhjen tek hyrja e Shqipërisë në BE, çka do ta zgjidhte automatikisht problemin e njohjes së periudhave kontributive. Bashkimi Europian sapo e ka miratuar hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë, por procesi kërkon kohën e vet, ndërsa vitet kalojnë për të gjithë.

 

“Pakicë” kuptimplote

Ndoshta ia vlen të kujtojmë se shqiptarët përbëjnë një nga bashkësitë më të mëdha në numër e më të integruara në Itali, me një histori të gjatë e me kontribut të dukshëm shumëpërmasor. Në vitet e fundit ka pasur në mënyrë të njëpasnjëshme deklarata të favorshme nga qeveritë italiane e shqiptare, premtime për ta trajtuar problemin, angazhime personalitetesh politike, takime qeveritare, grupe pune, peticione në mbështetje të marrëveshjes dypalëshe, shkrime në gazeta, në grupe social e nisma të promovuara nga shoqëria civile. Për fat të keq, duhet pranuar se, përveç retorikës së zakonshme deklamuese, në thelb kemi mbetur në status quo e nuk dallohet ende ndonjë zgjidhje konkrete.

Pavarësisht nga numri i të interesuarve e nga kostoja e mundshme ekonomike është e padrejtë që gratë e burrat që kanë punuar një jetë të tërë të mos dalin dot në pension, natyrisht në bazë të kontributeve të derdhura në të dyja vendet. Këta njerëz i bashkon sakrifica e një jete pune, por edhe fati tallës e situata frustruese ngaqë, megjithëse e kanë fituar ndershmërisht bukën për dekada, nuk i arrijnë dot kriteret për të përfituar një të drejtë të shenjtë. Me pak fjalë, kjo çështje para se të shqyrtohet nga pikëpamja ekonomike e sociale, duhet të vlerësohet nga pikëpamja etike.

 

* Pensionin “Quota 100” mund ta përfitojnë të gjithë ata punonjës që përmbushin kriteret ligjore në periudhën 1 janar 2019 – 31 dhjetor 2021. Subjektet mund ta kërkojnë këtë lloj pensioni nëse në periudhën e sapopërmendur janë mbi 62 vjeç dhe kanë kontribute pune jo më pak se 38 vite.

 

Artikulli është botuar fillimisht në numrin 04/2020 të revistës italiane “Confronti”, me titullin “Nel limbo previdenziale. Gli albanesi in Italia”. Falënderojmë drejtorin e revistës, Claudio Paravati, dhe autorin e shkrimit, Rando Devole, për mundësinë e botimit këtu në gjuhën shqipe.

Numrin e revistës Confronti që përmban edhe këtë shkrim mund ta shkarkoni falas në formatin PDF duke klikuar këtu: http://ow.ly/AWIk50z0S7w.

Dy herë të huaj

Emergjenca koronavirus. Zgjatet vlefshmëria e dokumenteve të qëndrimit