in

Shtetësia italiane. Nga 18 maji kërkesat online, në disa provinca edhe më parë

Debuton kanali i ri telematik. Nga 18 qershori do të jetë i vetmi në dispozicion për paraqitjen e kërkesës së shtetësisë. Mjaft më me kohët e gjata të pritjeve për takimet në prefektura

Romë, 10 mars 2015 – Kush dëshiron të bëhet Italian, pas disa javësh do të mund të bëjë gjithçka në internet. Kur shtatorin e shkuar ministri i Brendshëm Angelino Alfano u thirr në Parlament për të justifikuar ngadalësinë e përpunimit të praktikave të shtetësisë, premtoi një revolucion të vogël. “Do të shtojmë personelin që shqyrton kërkesat e do të informatizojmë më shumë procedurën” siguroi.

Nuk ka ndonjë të dhënë nëse vërtet janë shtuar (e sa janë shtuar) punonjësit e ministrisë që merren me këto praktika pas premtimit të Alfanos, por përsa i përket informatizimit diçka ka nisur të lëvizë. Në fakt, pas dy muajve do të debutojë kanali i ri për nisjen telematike të kërkesave të shtetësisë.

Sot kërkesat paraqiten dorazi apo me postë të porositur. Nga 18 maji do të jetë e mundur të niset përmes faqeve internet të ministrisë së Brendshme. Siç ndodh prej kohësh për të tjera procedura, i interesuari duhet të regjistrohet, e më pas me emër përdoruesi dhe fjalëkalim do të mund të shkojë te formulari që duhet përpiluar e ta nisë online. 

Formularit do t’i baskangjiten, gjithnjë në format elektronik, një dokument identiteti, dokumentet e lëshuara nga autoritetet e vendlindjes (akti i lindjes dhe dëshmia e penalitetit) dhe kuponi i derdhjes së 200 eurove të parashikuara për ata që kërkojnë të bëhen italianë. Pas paraqitjes së kërkesës do të jetë e mundur, siç ndodh edhe tani, të ndiqet online rrugëtimi i saj.

Sistemi i ri duhet të zgjidhë të paktën një prej problemeve të procedurës aktuale. Në fakt, ata që duan të bëhen italianë duhet më parë të kërkojnë takim në Prefekturë. Këto të fundit, duke qenë se kanë mangësi në personel e mjete, i kanë agjendat thuajse plot dhe, praktikisht, edhe ata që kanë të gjitha dokumentet dhe përmbushin të gjitha kriteret duhet të presin muaj të tërë para se të mund të paraqesin kërkesën.

Për një muaj, kanali i ri i paraqitjes online të kërkesave do të bashkekzistojë me kanalet e tjera tradicionale. Por, duke filluar nga 18 qershori do të jetë e vetmja rrugë përmes të cilës do të aplikohet për shtetësinë italiane. Nuk duhet të jetë shumë e ndërlikuar, por sidoqoftë kushdo ka mundësi t’u drejtohet patronateve ku do të gjejnë ndihmë falas për përpilimin e kërkesës.

Në disa provinca, siç kishim sinjalizuar edhe ca kohë më parë, sistemi i ri do të hyjë në fuqi akoma më parë. Në Alessandria, Aquila, Cuneo, Firenze, Mantova, Modena dhe Novara, kërkesat e shtetësisë do të mund paraqiten online duke filluar nga data 1 prill, e nga 1 maji, pas plot një muaji “provë”, interneti do të jetë i vetmi kanal i disponueshëm për prefekturat e këtyre provincave.

Lexo edhe: Shtetësia italiane. Rreth 60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit tringjyrësh
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Riforma della cittadinanza e voto agli immigrati? Gli italiani dicono sì

“Arti në Lëvizje”. Mbresa nga takimi me artistë e shkrimtarë shqiptarë në Brescia