in

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Shtyhet diskutimi për në shtator

Shtyrje e re për punimet mbi reformën e shtetësisë për brezat e dytë. Teksti i depozituar prej muajsh në Komision të Senatit, nuk do të kthehet në rend të ditës para pushimeve verore

Romë, 27 korrik 2016 – Një milion bij të huajsh mund të kalojnë verën të qetë. Të sigurtë që edhe këtë verë, Italia, vendi i tyre, do të vazhdojë t’i konsiderojë të huaj.

Reforma që duhet të ndryshojë rregullat, duke vendosur që këta fëmijë e të rinj janë italianë edhe për ligjin, do të kalojë pushimet e verës në freskllëkun e sirtarëve të komisionit për Çështjet Kushtetuese të Senatit, bashkë me rreth tetë mijë amendamentet që duan t’i bëjnë gropën. Gjendet aty që prej tetorit të shkuar, ku mbërriti menjëherë pas miratimit në dhomën e Deputetëve.

Deri në prill ka pasur vetëm debate të përgjithshme, dy seanca dëgjimore dhe një mal me amendamente të Legës së Veriut. Më pas asgjë, fillimisht në pritje të katalogimit të amendamenteve, më pas që të vendosej për kthimin e reformës në rend të ditës për t’i shqyrtuar, votuar për të përpiluar një tekst që të çohej në Sallë.

Mazhoranca dukej se kishte besim se do t’ia dilte: e vuri në kalendar diskutimin në Sallë për këtë javë të fundit të korrikut. Por gjithsesi besimi nuk ishte i plotë, siç tregonte edhe formula e gjetur “nëse do të jetë përmbyllur shqyrtimi në Komision”. Por Komisioni jo vetëm nuk ka përfunduar shqyrtimin e amendamenteve por as që e ka nisur.

Nga java në javë, mbledhjet e Komisionit nuk kanë pasur asnjëherë në rend të ditës reformën e shtetësisë (ddl 2092), janë preferuar gjithnjë masa të tjera të konsideruara më urgjente. Tani për shembull e ka radhën një projekt ligj mbi botimet, i fundit i një serie të gjatë përparësish kundrejt të drejtave të brezave të dytë.

Edhe kjo javë do të mbyllet si të tjerat. Duke u hedhur një sy temave që po trajtohen, nuk është e vështirë të kuptohet që reforma mbetet në sirtar. A mund të shpresohet për javën e ardhshme? Është thuajse e pamundur: është java e fundit e punimeve para mbylljes së sezonit për pushimet e verës e nuk do të kishte asnjë kuptim të hapej debati mbi mijëra amendamente për t’u ndalur më pas për një muaj të tërë.

Gjithçka shtyhet për në shtator, gjithnjë nëse nuk do të dalin të tjra përparësi që të shtyjnë reformën për muajt e mëpasshëm.

Elvio Pasca

 

Drejtësia. Organet e reja të parashikuara nga Reforma

Arrestohet në Imperia i kërkuari prej 2012-tës. Duhet të bëjë mbi 20 vjet burg