Sot, më 30 shtator, kremtohet Festa ndërkombëtare e përkthyesit, “lënda e parë” e të cilit është gjuha. E kur flasim për gjuhën, natyrshëm lindin pyetje si: “Pse kemi filluar të flasim?”, “Si lind një gjuhë dhe si vdes ajo?”, “Si evoluojnë gjuhët?”, “E mbi të gjitha, a mund të ngjallet sërish një gjuhë e vdekur?”
Nga Gino LUKA
Pjesa e parë
Më 30 shtator kremtohet Festa ndërkombëtare e përkthyesit e cila përkon me festën e Shën Jeronimit (Jerome ose Gerolamo), shenjti mbrojtës i përkthyesve. Shën Jeronimi (Eusebius Sophronius Hieronymus, 347- 420), ka qenë nga Stridoni (në atë kohë qytet në Iliri) dhe përkthyesi i parë i Biblës, Vulgata në latinisht, nga tekstet greke dhe hebraike.
Përkthimi përfshihet në çdo moment të jetës sonë të përditshme. Me ndërmjetësimin e përkthyesve mund të ndjekim me lehtësi lajme të huaja, intervista, debate kulturore, programe, reklama etj.
Përdorimi i pajisjeve të ndryshme, i ndërmarrjeve të huaja, do të ishte i pamundur pa ndihmën e përkthimeve.
Përkthyesi është një profesionist që kthen diçka me shkrim a me gojë nga një gjuhë në një tjetër. Një përkthyes i mirë ruan kuptimin e saktë të tekstit origjinal dhe kujdeset që të respektohen të gjitha aspektet gjuhësore dhe kulturore të gjuhës origjinale. Në përgjithësi, ai specializohet në një ose më shumë gjuhë të huaja, dhe përkthen nga një gjuhë e huaj në gjuhën e tij amtare. Gjithashtu ai specializohet në fushën letraro-artistike ose në atë tekniko-shkencore; pra ai kujdeset që në veprat letrare (romane, etj.) ose në tekstet teknike (manuale, tekste ligjore etj.) të respektohet frazeologjia, terminologjia, fryma dhe stili i veprave letrare dhe të transmetohen sa më mirë që të jetë e mundur, nga një gjuhë në tjetrën.
“Lënda e parë” me të cilën punon përkthyesi është gjuha.
Kur flasim për gjuhën, spontanisht lindin disa pyetje si: Pse kemi filluar të flasim? Si lind një gjuhë dhe si vdes ajo? Si evoluojnë gjuhët? E mbi të gjitha, a mund të ngjallet sërish një gjuhë e “vdekur”?
Lindja, vdekja dhe ringjallja… e gjuhëve
Aktualisht, në botë numërohen rreth 7.000 gjuhë, shifra e saktë është e vështirë të përcaktohet sepse shpesh nuk ka dallim të qartë midis gjuhës dhe dialektit por edhe për shkak se, veçanërisht në pellgun e Amazonës, Afrikës qendrore dhe Guinesë së Re, po zbulohen edhe sot e kësaj dite gjuhë të reja.
Gjuhët shërbejnë për të komunikuar, për të transferuar mendime dhe emocione, janë pjesë e identitetit kulturor të një popullsie, na bashkojnë ose na largojnë…
Fjalët e para primitive
A është e mundur të kthehemi prapa në kohë për kuptuar kur njeriu ka shqiptuar fjalën e tij të parë? Sipas ekspertëve (atyre që besojnë në teorinë e evolucionit), Homo habilis e Homo erectus e, aq më pak australopitechus, duke u kthyer prapa në kohë rreth 5 milion vjet më parë, asnjëri nuk e kishte aftësinë fiziologjike për të folur. Mendohet se as Homo sapiens nuk ishin në gjendje të formulonin fraza.
Ka edhe dyshime nëse duhen konsideruar folës neandertalët, të cilët kanë qenë shumë të ngjashëm me ne dhe kanë jetuar në Evropë rreth 70-35 mijë vjet më parë. Të parët lëshonin vetëm disa klithma ose hungërima, ndërsa të dytët disa tinguj të përbërë nga disa bashkëtingëllore dhe zanore me kuptime të thjeshta e, kryesisht, merreshin vesh me gjeste. Vetëm me Homo sapiens sapiens (njeriu modern), pas një procesi të gjatë evolucioni, do të kemi lindjen e gjuhës së artikuluar, pra rreth 40.000 vjet më parë, ndërmjet Evropës dhe Afrikës së Veriut (hipoteza).
Linguisti Derek Bickerton, në vitet 1970, pati paraqitur hipotezën se të folurit modern është mjaft i ri dhe se në kohët më të hershme, qeniet njerëzore përdorin një protogjuhë, d.m.th. njëfarë gjuhe rudimentare të thjeshtuar.
Familja e madhe e gjuhëve
Gjatë Paleolitit të Sipërm, kur zhvillimi kishte përparuar tashmë me një prodhim të pasur objektesh pune, njerëzit, ndoshta të nxitur nga kjo gjallëri kulturore, u përgatitën në mënyrë anatomike dhe sociale për të folur. Më vonë, mendohet se ka pasur një lindje të ngadaltë të gjuhëve të ndryshme edhe pse shumë aspekte të këtyre ndryshimeve janë ende të rrethuara nga misteri.
Mjafton të mendojmë në lidhje me gjuhën shqipe. Ajo i përket familjes indoevropiane, së bashku me rreth 386 gjuhë të tjera, të cilat me gjasë e kanë origjinën nga një gjuhë e vetme e cila mendohet se ka lindur rreth 3000 vjet para Krishtit. Në vitin 1868, linguisti gjerman August Schleicher qe i pari që propozoi modelin në formë peme gjenealogjike që identifikon dhe shpjegon afërsinë ndërmjet gjuhëve dhe grupeve linguistike dhe përkatësinë e tyre në një familje të caktuar.
Të parët që flisnin gjuhën proto-indoevropiane ishin, ndoshta, një popull që quhej Kurgan, në rajonet jugore të Rusisë, i cili më pas pushtoi Evropën dhe Azinë Jugore. Por, përpara gjuhëve indo-evropiane, çfarë gjuhe flitej në Evropë? Është e vështirë të thuhet edhe pse prania e gjuhës baske (gjuha euskara, në veri të Spanjës) na jep një provë të tërthortë. Kjo gjuhë në të vërtetë është e vetmja dëshmi e mbijetuar e një gjuhe ende të folur, shumë të vjetër, që nuk ka asnjë lidhje me indoevropianishten.
Cila është origjina e saj? Ka humbur në errësirën e kohës…
Gjuha pidgin
Historia e njerëzimit është një histori pushtimesh, marrëdhëniesh tregtare e emigrimesh. Pikërisht në bazë të këtyre lëvizjeve, pak a shumë masive, dhe takimeve ndërmjet popullsive dhe gjuhëve të ndryshme lindin gjuhët pidgin.
Gjuha, forma që ajo merr brenda një komuniteti të caktuar, është një organizëm vazhdimisht në lëvizje, që ndryshon në kohë dhe në hapësirë, madje jo vetëm në sajë të veprimit të faktorëve të shumtë të brendshëm e të jashtëm. Nuk ka nevojë që të bëhen studime gjuhësore për të kuptuar fuqinë e natyrshme të gjuhës për komunikimin ndërmjet komuniteteve dhe popujve të ndryshëm; të këtij mjeti aq të përshtatshëm e të domosdoshëm për nevoja tregtare e politike.
Kontaktet ndërmjet grupeve, që nuk kanë një gjuhë të përbashkët, çojnë në një përzierje të nevojshme të gjuhës për arsye komunikimi. Për shembull, nëse një ndërmarrje e madhe britanike duhet të ndërtojë një objekt në një rajon të Azisë, administratorët e projektit, inxhinierët dhe teknikët e tjerë britanikë do të duhet të komunikojnë me punëtorët lokalë. Duke mos pasur një gjuhë të përbashkët dhe duke qenë e vështirë të përdorin një gjuhë franke (të lirë), pra që nuk është një gjuhë amtare për asnjërin nga grupet, ka mundësi që të lindë një gjuhë e re: pidgin.
Rezultati i një takimi që mund të ndodhë midis një gjuhe indigjene, për shembull të Afrikës ose Azisë, dhe anglishtes ose frëngjishtes, nxjerr si rezultat një përzierje të përbërë nga disa elementë të gjuhës lokale dhe elementë të tjerë të gjuhëve “dominuese”, me një thjeshtëzim të pashmangshëm në proceset leksikore, fonologjike, morfologjike e sintaksore. Vetë termi pidgin duket se rrjedh nga shqiptimi i pasaktë, nga folësit kinezë, i fjalës business.
Linguisti italian Gaetano Berruto në një artikull me titull Fremdarbeiteritalienisch të botuar në Journal of Linguistics, Zvicra Gjermane (1991), përmbledh faktorët që shkaktojnë proceset e “pidgjinizimit”:
• mungesa e një gjuhe në një kontekst shumëgjuhësh;
• distanca gjuhësore dhe kulturore ndërmjet grupeve të përfshirë në procesin e “pidgjinizimit”;
• marrëdhëniet asimetrike ndërmjet grupeve që i kanë gjuhët kryesore të tyre të ndryshme;
• nevoja për të krijuar dhe përmirësuar komunikimin, me mjetet në dispozicion, të gjuhës dominuese mësimi i të cilës pengohet në njëfarë mënyre nga kushtet.
Si shembuj të gjuhës pidgin kemi çinglish (chinglish), një përzierje midis kinezishtes dhe anglishtes e fanagalo (me bazë gjuhën zulu) në Afrikën jugore, ose p.sh. pidgin basko-islandez (pidgin basko-islandez ka qenë një pidgin që përdorej në Islandë në shekullin e 17-të. Lindi si rrjedhim i kontaktit ndërmjet balenagjuajtësve, peshkatarëve e tregtarëve bask dhe banorëve të Islandës). Në shumë raste, kur kontaktet ndërmjet popullsive të ndryshme ruhen për një kohë të gjatë, aq sa një brez i ri të ketë mundësi të mësojë një gjuhë pidgin si gjuhë amtare, kemi të bëjmë me fenomenin e krijimit të gjuhës kreole. Ndër shembujt e shumtë janë gjuhët: gjamaikane, kreole haitiane, papiamento e folur në disa ishuj të Karaibeve, tok pisin, (tok, “fjalë”, “bisedë” ose “gjuhë” dhe pisin, pra pidgin) e përhapur në Papua Guinea e Re, dhe gjuha krio, e bazuar në anglishten e folur në Sierra Leone.
Këto fenomene nuk janë thjesht një trashëgimi e së kaluarës; në të vërtetë, me rritjen e emigracioneve dhe të ndërveprimit në rritje, ndërmjet kulturave të ndryshme, çështjet që kanë të bëjnë me lindjen dhe zhvillimin e një gjuhe pidgin janë sot më shumë se kurrë aktuale.