in

Vëllezërit arbëreshë, pjesë e lobit euro-atlantik shqiptar

Reportazh i krijimit të degës së Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Kalabri
Nga Petrit Aliaj

 

Angazhimi për një lidhje të re në mes shqiptarëve të Diasporës dhe arbëreshëve të Kalabrisë, ishte pikësynimi i drejtuesve të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar për krijimin e një ure të bashkëpunimit me Federatën e Shoqatave Arbëreshe, gjë e cila u kurorëzua më datë 23 shtator 2017.

Falë përpjekjeve të atdhetarit e liderit shpirtëror të Arbëreshëve të Italisë, At Antonio Bellushit, presidentit të F. A. A. prof. Damiano Guagliardi e kryetarit të Lobit E. A. SH. zotit Shukri Ymeri, u arrit të realizohej një takim i mrekullueshëm, i frytshëm e mbresëlënës në ”Qëndra e Takimeve ne jemi” komuna Spezzano Albanese në provincën e Kozencës, Kalabri me dt 23. 09. 2017.

Zoti Shukri Ymeri (Gjermani) kryetar i L. E. A. SH. kishte në përbërje të delegacionit të tij anëtarë të degës për Lobin E. A. SH-Itali, e aktivistë si dr. Ramazan Baja (Milano), piktorja Alketa Delishaj (Verona). aktivisti Petrit Aliaj (Brescia), poetesha Trandafile Molla (Novara), shkrimtarja e poetesha, Lumturi Plaku (Piacenza) dhe presidenti i shoqatës “La Svolta” Pirro Qendro (Bologna).

Programin e vizitave tona e filluam në Maccia, fshatin e lindjes të Jeronim De Radës, poet, publicist, folklorist, filolog e mësues, një nga shkrimtarët më të mëdhenj, arbëresh e themelues i rilindjes kombëtare shqiptare (1814-1903).

Të shoqëruar gjithnjë nga Prof. Damiano Guagliardi, Prof. Francesco Ferri e miq të shumtë, spostohemi në kishën Santa Maria di Maccia në të cilën ishte edhe varri i Jeronim De Radës e më pas vizituam kolegjin Sant Adriano (1794), në të cilin u pritëm nga sindako i komunës së San Demetro di Korona Z. Salvatore L’Amirata i cili na uroi mirëse ardhjen e na ftoi për të drekuar e biseduar në restorant “Corsini “.
Mësojmë se këtë kolegj e kishte mbështetur me fonde Giuseppe Garibaldi, për faktin se shumë arbëresh veshën këmishën e kuqe të tij për bashkimin e Italisë si dhe të tjerë atdhetarë e figura të shquara të rilindjes sonë kombëtare si Luigj Gurakuqi e Avni Rustemi qe kanë studiuar në këtë kolegj.

Takimi me sindakon e komunës së San Demetro di Korona u bë në Castrovillari, ku ndër të tjera biseduam për gjëndjen e problemet më shqetësuese që po kalonte ky rajon. Gjithnjë në krizë ekonomike e për indentitet etnik, me ndjenjën kombëtare e proceset dinamike të kushtëzuara nga rrethanat historike dhe sociale.

Mbasdite arrijmë në qëndrën e Federatës A. A. e cila gëlonte nga prania e aktivistëve e drejtues shoqatash te kësaj federate së bashku me dy grupe muzikantësh për të na shprehur mirëseardhjen e tyre. Për zonjat tona në veçanti; buqeta me lule shumë ngjyrëshe. Takimin e hapi prof. D. Guagliardi i cili në falenderimet e tij për delegacionin, përshëndeti dhe miratoi idenë dhe angazhimet e Lobit E. A. SH. për një lidhje të qëndrueshme me arritje në bashkëpunim, duke e cilësuar bashkpunimin si një rilindje mbarë shqiptare për të ardhmen.

Ndërmjet problemeve të shumta, Prof. D. Guagliardi, foli edhe për ligjin 482/1999 i cili sanksionoi normativën e tutelës gjuhësore të pakicave etnike, por nga ana tjetër, vit pas viti fondet për projektet shkencore e kulturore filluan te shkurtoheshin. Fatkeqësisht në qytezat dhe e komunat arbëreshe nuk mësohet më gjuha shqipe. “Kemi shumë artistë e piktorë, por mësuesit dhe mbështetjen për ta nuk e kemi, gjuha po na humb, mungesa investimeve e projekteve në fusha të ndryshme duhet të jetë një faktor i rëndësishëm e pa premtime nga shtetet tona shqipfolëse”.

Që të mbijetojne, kerkohen investime në turizëm, restaurimin e qendrave muzeale e shkëmbime kulturore së bashku me krijimin e një rrjeti të tillë të njohur nga Unesco, për faktin se arbëreshët janë një rast unik në Botë ku prej 600 vitesh u trasmetojmë brezave, traditat, doket, zakonet e gjuhën e mëmës.

Duke u kthyer përshëndetjen e rastit vëllezërve tanë Arbëresh zoti Shukri Ymeri falenderoi për mikpritjen e jashtëzakonëshme, përkujdesjen dhe besimin ndaj ideve tona për bashkëpunim në të mirë të kombit e angazhimin e mbarë diasporës shqiptare për ndryshim. Ai vuri në dukje vlerat e shumta të të gjithë arbëreshëve të cilët ndër vite kanë nxjerrë e edukuar personalitete që i kanë shërbyer kombit e popullit shqiptar. “Për këtë ne jemi krenar dhe ndihemi si në shtëpinë tonë. Prandaj, shtoj se është detyre e dorës së parë konkretizimi e bashkërendimi i të gjitha forcave progresiste në përmbysjen e kësaj situate tejet të mjerueshme në shkolla, e investime të shumta ku edhe nataliteti zero i fëmijëve këtu në Kalabri është një dukuri e rrezikëshme e zhdukjes së arbëreshëve dhe bashkarisht të kërkojmë gjetjen e instrumenteve të duhura për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës”.

Të shumta ishin diskutimet e drejtuesve të shoqatave, si Kostandino Bellushi, mësues fillore në shkollën shqipe i cili renditi një seri problemesh të shumta që hasin si me zhdukjen e shkollave nga mos frekuentimi i tyre dhe largimin e të rinjve për mungesë investimesh. “Unë me këtë rast falenderoj në mënyrë të veçantë dhuratën me tekste shkollore për fëmijët e klasës së parë që na ka bërë dega e Lobit Itali”.

Edhe Prof. Francesco Perri, President i Qendrës së Studimeve dhe Krijimeve në Vaccarizzo Albanese(C. S) e vlerësoi këtë bashkëpunim duke thënë se; – “Mua kjo ide më duket sot sikur i ngjan mbledhjes që bënë arbëreshët për bashkimin e shqipërisë në vitet 1800 me rilindasit për pavarësi kombëtare, e për më shumë më mbetet ta uroj që të na shkoj mbarë”.

Ndërsa Prof. Franco Marchiano, njohës i thellë i gjuhës shqipe mori përsipër të përkthente nga italishtja në shqip e anasjelltas të gjitha diskutimet e ndryshme në takim e njëkohësisht Ai, vlerësoi se ideja e bashkëpunimit me diasporën është një punë që duhet të vazhdohet me ngulm e projekte të përbashkëta. “Problematikat tek ne janë të shumta e të grumbulluar ndër vite, – shtoi Prof. ssa Cettina Mazzei, e cila foli për një projekt të marëveshjen “Ramus” në shkëmbime e studime për të rinjtë tanë, projekt i cili ka mbetur pezull nga qeveria shqiptare.

Me këtë rast u shkëmbyen libra me punimet në etimologji, histori, arte kulturë e tradita. Nuk munguan edhe motivet e bukura të këngëve arbëreshe e seranatat korçare nga trio e mrekullueshme Michele Greko, Mimmo Imbrogno e Francesco Durante të cilët ishin edhe shoqëruesit tanë në të gjitha lëvizjet e programuara nga At. Antonio Bellusci e Prof. Damiano Guagliardi.

Shkrimtarja e mirënjohur edhe në Kalabri, mikja e jonë Lumturi Plaku, falënderoi për mikpritjen e veçantë që na u rezervua, duke recituar një vjershë në italisht me titull “ Mi manchi” Me një banket të thjeshtë arbëresh, ku dominonin ëmbëlsirat tipike të amvisave e të shoqëruara me këngë arbëreshe e shqiptare, ne kënduam e gëzuam së bashku si në shtëpinë tonë.

Në mbrëmje vonë u njohëm me publicisten, gazetaren dhe drejtuese e “Movimento Culturale Arberesh”, Saverina Bavasso.

Përfitova nga rasti të përcillja edhe përshëndetjet e propozimin e regjisores Valbona Xibri, autore e pjesës teatrale “Burrnesha”për të realizuar një turne të cilin e priti me shumë kënaqësi, duke na lënë rrugën të hapur për një seri shfaqjesh. Dita e dytë nisi me ardhjen në hotel të At Antonio Bellushi, i cili na takoi e përqafoi të gjithëve duke na uruar mirëse ardhjen, Ai na ftoi të ndiqnim meshën e tij në kishën, San Pietro e Paolo për ti dhënë bekimin, bashkëpunimit tonë. At Bellushi ose Zo! siç e thërrisnin vëllezrit tanë arbëreshë, Franco e Mimmo, sapo hymë në kishë, na ftoi të shkonim drejt tij, duke na dhënë dorën të gjithëve me rrallë. At Bellushi ftoi të gjithë besimtarët e shumtë që vinin nga komuna e Pollinos, Frascineto (Frashëri) Jeninaj (Janina), Civita etj, që të merrnin bukën e bekuar e të përshëndeteshin me ne pavarësisht nga çdo lloj i besimit tonë

Përshëndetja e tyre ”Mirë se keni ardhur” e që pasohej me shtrëngimin e duarve, ishte përshëndetja më e ngrohte e zemrave ku rridhte i njejti gjak, duke na i mrekulluar këtë ditë të bekuar. Poetesha Trëndafile Molla e frymëzuar nga ky kollos i shqiptarizmës, në krye të vargjeve të kësaj poezie i vuri titullin “Biri i Arbërit”e rilindasin tonë J. D. Rada e pagëzoi me vargjet e saja me titull “Bilbili i parë i gjuhësisë” Një meritë e liderit të shkëlqyer të unitetit tonë kombëtar, studiues i dialektologjisë, etnografisë eliteraturës, teolog e antropolog. Drejtor i shoqatës “Gjergj Kastrioti” i revistës “Lidhja Shqiptare”dhe i bibliotekës internacionale me të njëjtin emër.

Fill mbas kësaj ceremonie të mikëpritjes dhe ndarjen e bukës së bekuar nga Zo!, ndjekim makinën e tij për të vizitur bibliotekën A. Bellusci.

Në Bibliotekë na prisnin një numër i madh arbëreshësh si edhe grupi artistik folklorik i drejtuar nga Maria Antonietta Rimoli. Me këtë rast At A. Bellushi falenderoi Shukri Ymerin me delegacionin e tij për vizitën dhe iniciativën e lëvduar të bashkëpunimit me Federatën e A. A.

Zoti Shukri Ymeri në përshëndetjen e tij, falënderoi të pranishmit për vlerësimin e në mënyrë të veçantë At Antonio Bellushin dhe prof. Damiano Guagliardi, të cilët mundësuan arritjen e bashkëpunimit me Lobin E. A. Shqiptar e krijimin e kësaj dege për Kalabrinë. Mbas këtyre shkëmbimeve përshëndetëse, grupi folklorik i drejtuar nga zonja Maria Antonieta Rimoli, kënduan mjaft këngë të bukura arbëreshe e shqiptare, duke na shoqëruar deri në rrugë ku ishin makinat tona. Ishte gjithçka madhështore i gjithë ky moment brilant, icli shëmbëllente me një dasëm, ku në rolin e krushqve që do të niseshin për rrugë ishim ne të përcjellë me dashuri, këngë, hare e përqafime.

A ka se ku të shkojë më mirë e më bukur?!

Respekti, pritja, përcjellja e atmosfera gazmore që na rezervuan vëllezërit tanë të një gjaku, nuk mund të përshkruhet me pak rrjeshta por me përjetimin e emocioneve të mëdha. Duke lënë pas Bibliotekën A. Bellusci, grupi ynë tashmë shumë i madh i drejtohet muzeut etniko arbëresh në komunën e Civita ose Bashkia e Çiftit siç e thërresin vendasit. Së bashku me ne është edhe skulptori nga Presheva Z. Hevzi Nuhiu, ish nxënës i të madhit Ibrahim Kodra i cili është martar me një vajzë arbëreshe e prej vitesh jeton në Frasnita. Ai është vlerësuar me çmimin ”Calabria Produce” si edhe me çmimin ndërkombëtar ”Skanderbeg“ nga Kardinal Ersilio Tonini në Campidolio, Romë.

Muzeu është ngritur në vitin 1970 e duket si një Luvër i vogël i civilizimit arbëresh, ku në të njëjtin vend përgatitet edhe revista “Katundi ynë” e vlerësuar si flamuri i historisë së një pakice gjuhësore në dispozicion të së djeshmes të sotmes dhe perspektivës. Në këtë muze mund të shikosh edhe një kryevepër të Caravaggio-s, e të tjera punime të zejtarisë popullore, kostume tradicionale të mrekullueshme e shumëngjyrëshe, orendi e paisje të ndryshme pune, një pasuri e vlerave të sistemuara në dy katet e saj.

Ishte një vizitë mbresëlënëse e cila u pasua me pritjen e ngrohtë të kryetarit të bashkisë në komunën e Çiftit (Civita), zoti Alessandro Tocci. Ai kishte dalë në sheshin përpara bashkisë për të na përshëndetur, duke na ftuar në selinë e tij për të shkëmbyer dy fjalë, për idetë që forca e së ardhmes për Diasporën, Lobi E. A. SH. i ka dedikuar veprimtarisë së saj me përkushtim. Darkën e përcjelles e kaluam me prof Damiano Guagliardi, skulptorin Hevzi Nuhiu e me drejtuesit e shoqatës kulturore folklorike “Vëllezrit Arbëresh”, miqtë tanë të pandarë prej dy ditësh, Michele Greco e Mimmo Imbrogno e Hevzi të cilët me grupin e tyre folklorik kanë dhënë një seri shfaqjesh në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni duke kënduar në gjuhën shqipe.

Faleminderit nga thellësi e zemrës, miq e vëllezër arbëreshë

Spezzano Albanese, 27. 09. 2017

Si lindin dhe vdesin gjuhët

“Back to the Future”, ndihmë konkrete për kë jeton në Itali e dëshiron të kthehet në atdhe