in

Skandali i futbollit. Edhe një shqiptar mes të akuzuarve

Në prokurorinë e Cremonës janë depozituar tanimë të gjitha dokumentet mbi skandalin e basteve në serinë B dhe Lega Pro të kampionatit të futbollit. Arrestimi i 16 personave, ndër ta dhe ish-kapiteni i skuadrës së Lacios, Beppe Signori, hapja e hetimeve për 28 persona të tjerë, qe vetëm fillimi i asaj që duket se do të jetë një prej “stuhive” të radhës mbi bastet ilegale.

Hetimi që tronditi futbollin italian u hap pasi në nëntor të vitit të kaluar u zbulua që disa futbollistëve të skuadrës së Cremonese u ishin futur qetësues në pije për të ulur rendimentin e tyre në fushën e gjelbër. E më pas, falë edhe përgjimeve telefonike doli në pah një sistem i zgjeruar bastesh, manipulimi ndeshjesh dhe korruptimi të drejtuesve të shoqërive sportive. Një sistem që hetuesit e cilësuan si “kriminal”.

Ndër personat  që bënin pjesë në këtë sistem rezulton edhe një grup shtetasish shqiptarë. Me sa rezulton nga dokumentet e bëra publike, ky grup kryesohej nga Ismet Mehmeti. Aktualisht ai ndodhet në kushtet e arrestit të shtëpisë në Ravenna.

Nga 80 mijë telefonatat e përgjuara nga forcat e rendit dalin disa elementë të habitshëm. Në njërën prej tyre shtetasi shqiptar Ismet Mehmeti, duke folur në telefon më 16 mars me drejtuesin sportiv të klubit të Ravennes, thotë se në Romë e ka pritur vetë ministri Frattini. Sipas hetuesve ky elemente mund të jetë thjesht një dëshirë e të arrestuarit për t’i rritur vlerën vetes. Por nuk përjashtohet që një takim i tillë të ketë ndodhur vërtet, pa pasur ama lidhje me futbollin.

Ismet Mehmeti njihet në Ravenna si themeluesi dhe kryetari i shoqatës Lidhja Kombëtare Shqiptare. Në zgjedhjet shqiptare të vitit 2009 ai duket se është paraqitur si kandidat në Durrës me koalicionin Poli i Lirisë., i frymëzuar nga aleanca homologe e krijuar në Itali nga Silvio Berlusconi. Pra ai mund të ketë pasur dhe kontakte të natyrës institucionale.

Në dokumente Ismet Mehmeti cilësohet si personi që vinte materialisht bastet në sitet aziatike, ndonjëherë edhe disa orë përpara fillimit të ndeshjeve. Jo rrallë ai luante nga Shqipëria ku, sipas hetuesve, grupi i kryesuar prej tij ka kryer të njëjtën veprimtari në kampionatin shqiptar.

Bastet ilegale kanë kapur shifra të pamata sepse organizatorët, pasi kishin korruptuar lojtarët ose drejtuesit e skuadrave, ishin të sigurt për rezultatin. Është zbuluar se grupi i shqiptareve kishte vënë një bast marramendës prej 23 milionë eurosh për ndeshjen Padova –Atalanta.

Irida Cami

Flukset. Maroni: “Mjaft me kufizime numerike, të hyjë kush ka një kontratë pune”

Zgjedhjet: PS depoziton padi të re