in

Sportelet unike. Kush do të administrojë marrëveshjen e integrimit?

Shtohen kompetencat e zyrave që administrojnë imigracionin në Itali. Një kompetencë e re është edhe ajo e verifikimit të përmbushjes nga të huajt e kritereve të parashikuara nga “marrëveshja e integrimit” për lejen e qëndrimit me pikë. Por si do të mund ta administrojnë me të njëjtat burime, e ndoshta edhe me 650 punonjës më pak se tani?

Romë, 15 nëntor 2011 – Marrëveshja e integrimit dhe leja e qëndrimit me pikë do të kthehen në realitet pas pesë muajve, por ndërkaq pyetja se si do të administrohet e gjithë burokracia shtesë që ato sjellin me vete, kërkon përgjigje. Veçanërisht duke mbajtur parasysh që rregullorja e mbërritur në Gazetën zyrtare përcakton që ajo të administrohet “me burimet njerëzore, instrumentale dhe financiare të disponueshme me legjislacionin në fuqi, pa shpenzime të reja e më të larta për financat publike”.

Me një fjalë, teorikisht, ky revolucion duhet të jetë me kosto zero për administratën publike. E megjithatë, detyrimet rriten jashtë mase, kryesisht për sportelet unike për imigracionin. Këto zyra duhet të administrojnë nënshkrimin e marrëveshjes nga anë  e imigrantëve të sapoardhur në Itali dhe të organizojnë kurse të shkurtra të edukimit qytetar. Por problemi i vërtetë do të mbërrijë pas dy vjetëve, kur do t’u duhet edhe të vlerësojnë përparimet e bërë nga çdo i huaj, të mbledhin e të heqin pikë e të administrojnë testin e italishtes dhe të edukimit qytetar. Nuk duam të mendojmë që si gjithnjë do të jenë “klientët”, imigrantët e rregullt, ata që do të vuajnë këtë situatë duke pritur edhe më gjatë se sot marrjen e dokumenteve të qëndrimit.

A mund t’i bëjnë të gjitha këto me “burimet njerëzore, instrumentale dhe financiare në dispozicion”? e bukura është që, kur marrëveshja e integrimit të hyjë fuqi, nuk do të ketë qenë vetëm Maroni që ka lënë zyrën e tij. Me përjashtim të ndonjë të papriture të radhës, në fund të vitit 2011 do të kenë shkuar në shtëpi edhe të gjithë punonjësit e përkohshëm të imigracionit, 650 vetë që prej vitesh punojnë me kontrata të përkohshme e që përfaqësojnë shtyllën kurrizore të Sporteleve Unike.

Shumë prej tyre, javën e shkuar, kanë ndjekur me ankth miratimin përfundimtar të ligjit të stabilitetit. Shpresonin, në fakt, që në amendamentin e madh të paraqitur nga qeveria të kishte edhe dy rreshta për ta, që të shpëtonin vendet e tyre të punës. Por u zhgënjyen.

“Në vrullin e shkurtimit të shpenzimeve në sektorin publik nën komisariamentin e BE-së goditet edhe ajo që nuk është shpenzim i kotë, por një pasuri që duhet vlerësuar e që në të vërtetë duhet kthyer në burim të qëndrueshëm, pikërisht për detyrën delikatë që kryejnë e që duhet të mbetet shtetërore. Ministri Maroni në aktin e tij të fundit ka treguar indiferencë të plotë për fatin e 650 punonjësve dhe të shërbimit të ofruar nga struktura të rëndësishme të Ministrisë” thotë Antonio Crispi, sekretar kombëtar i Fp Cgil.

Brenda fundit të vitit do të shumëfishohen alarmet dhe manifestimet për shpëtimin e 650 punonjësve, por mungesa e plotë e fondeve dhe normat e reja mbi qarkullimin e punonjësve shtetërorë (që teorikisht duhet të lejojë Administratën publike të mbyllë vrimat në zyrat e saj më problematike duke zhvendosur personelin nga zyrat që kanë më pak punë) të lënë të mendosh që beteja do të jetë e ashpër. E ndoshta, edhe në këtë rast, fjalën e fundit mund ta thonë gjykatësit.

“Puna e Sporteleve Unike shtohet, dhe duan të çojnë në shtëpi ata që duhet ta kryejnë” komenton Alessia Pantone, bashkëthemeluese e Komitetit në të cilin janë organizuar punonjësit e paqëndrueshëm. “Ndërkaq – hston – 60% prej nesh ka paraqitur ankimim në gjykatën e punës për t’u punësuar me kontratë të pakufizuar në kohë. Kemi bërë një konkurs publik dhe prej vitesh kryejmë një punë që nuk mund të quhet më emergjencë”.

Seancat e para gjyqësore të ankimimeve të këtij viti janë vendosur të bëhen në janar, por në fillim të vitit duhet të mbërrijnë edhe sentencat e shkallës së parë për disa kauza të ngritura tre vjet më parë. Ndoshta ata që i kanë ngritur janë kthyer tashmë nga punonjës të përkohshëm në të papunë. Por mund të jenë edhe një shuplakë e fortë Administratën shtetërore që shpresonte të zbatonte reformën e fundit të imigracionit vetëm duke kursyer.

Elvio Pasca

Në 103 vjetor të Alfabetit të gjuhës shqipe

Rigoletto. Duka e Mantovës vjen nga Shqipëria