Ndërsa pritet që më 25 korrik Lulzim Basha të zërë postin e kryebashkiakut të Tiranës, 21 drejtues të lartë të bashkisë japin dorëheqjen në grup. Sipas tyre, Basha s’ka legjitimitet moral”
Tiranë, 18 korrik 2011 – “Deklaratë dorëheqjeje në kushtet e humbjes së legjitimitetit të institucionit ku punojmë”. Kështu quhet deklarata e dorëheqjes së 21 drejtuesve të lartë: të gjithë drejtorët e bashkisë më të madhe të vendit, administratori i saj të përgjithshëm, Agolli, kryeinspektori i policisë bashkiake, Dajti, si dhe kryeinspektori ndërtimor, Kaja.
Duke deklaruar dorëheqjen e tyre të parevokueshme, funksionarët e bashkisë argumentojnë se nuk kanë dëshirë të vijojnë punën me kryetarin e ri. Në deklaratën e tyre shkruhet që “Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu, ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin t’i shërbejmë dhe me keqardhje, për pamundësinë që të vazhdojmë punën, nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji, për të qëndruar në pozicionet tona, si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit, ne i deklarojmë opinionit publik, dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra”.
Në deklaratën e tyre funksionarët shprehen se tashmë vlerat mbi të cilat ishte ngritur puna e tyre në bashki nuk ekzistojnë më. “Fatkeqësisht, nuk ekziston më, as themeli moral, mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre”,- thuhet në deklaratë.
Në fund të deklaratës bëhet e ditur se pak më parë kishin dhënë dorëheqjen edhe nënkryetaret e bashkisë Albana Dhimitri dhe Vali Bizhga, Drejtoresha e Kabinetit, Belinda Balluku dhe të gjithë anëtarët e kabinetit të kryetarit të bashkisë Edi Rama.
Ja lista e plotë e drejtuesve që kanë dhënë dorëheqjen