Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur në rrjetin social Facebook urimet e tij për marrjen e statusit të vendit kadidat në BE nga Shqipëria. “Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian”.
Në një konferencë për shtyp bashkë me ministren Gjosha, kryeministri Edi Rama thekson se kjo arritje “nuk do të monopolizohet nga maxhoranca për qëllime politike”.
Rama tha se për të festuar marrjen e statusit do të organizojë një mbrëmje, ku do të jenë të ftuar të gjithë, për shkak të detyrave që kanë kryer apo atyre që kanë, në shumicë, pakicë apo në media. “Ne do të ftojmë të gjthë ata që mendojmë se duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë së bashku në një festë dinjitoze dhe modeste, për të adresuar gëzimin tonë si shqiptarë për këtë që u arrit dhe për përpjekjet tona, Por, ne nuk do ta monopolizojmë marrjen e statusit për qëllime politike. Besoj se shqiptarët janë mjaft të qartë se ky proces do të kërkojë akoma më shumë sakrifica, por në këtë proces mësuam dhe treguam një gjë: se kush na ka votuar më 23 qershor dhe kush ka besuar tek bashkimi PS-LSI ka bërë një investim jashtëzakonisht të vlefshëm për vete, familjen, komunitetin dhe për atdheun tonë të përbashkët”, u shpreh sot kryeministri, duke shtuar se “Shqipëria flet sot e barabartë dhe dëgjohet si e tillë”.
“Do të bëjmë gjithçka na kërkohet – thotë Rama – sepse është në interes të fëmijëve tanë e në interes të të ardhmes sonë”. “Evropa nuk është një portë që hapet lehtë, sidomos pas rezultateve të fundit zgjedhore – vazhdon ai duke kujtuar rritjen e ndjeshme të votave pro euroskeptikëve – Liderët evropianë, megjithatë, kanë ruajtur besimin në projektin e Evropës, që nuk mund të konceptohet pa Shqipërinë e pa Ballkanin”.
Gjatë fjalës së tij Rama falënderon në mënyrë të veçantë kryeministrin italian Matteo Renzi “që ka qenë zëdhënës këmbëngulës në favor të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë e me të cilin jemi në kontakt të vazhdueshëm”.
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha shprehet se “sigurisht që Ministria e Integrimit Evropian nuk mund të fshehë gëzimin, për vendimin e sapo marrë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për t’i thënë “PO”, statusit të vendit të kandidat për Shqipërinë”. Sipas saj, “ky është një vendim që duhet të mbushë me optimizëm dhe shpresë secilin prej nesh, jo për këtë që sapo ndodhi, por për sfidën e madhe që na pret në vijim. Ministria e Integrimit Evropian falënderon të gjithë vendet anëtare për vëmendjen dhe interesin që i kanë kushtuar çdo përpjekjeje tonën, për të dëshmuar se procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e kemi prioritet parësor”. “ky vendim frymëzon besimin, se parimet mbi të cilat u krijua modeli i suksesshëm evropian, mbizotërojnë e qëndrojnë të palëkundura, ndaj çdo qëndrimi dhe force të mëpasshme”.
Ish kryeministri Sali Berisha me një mesazh në Facebook uron shqiptarët për “arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian” por kujton se vendimi për dhënien e statusit erdhi me vonesë për faj të Edi Ramës.
“Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE vendosi që Shqipërisë, ndonëse me vonesë për shkaqe kryekëput shqiptare, t’i jepet statusi i vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian. – shkruan Berisha – Kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat”.
Duke kujtuar meritat e qeverisë së tij, Berisha shkruan mes të tjerash: “Dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standarteve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor te vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE”.
“Por sot, duhet të rikujtojmë se ne morëm me vonesë statusin e vendit kandidat – e mbyll mesazhin e tij Berisha – pasi Edi Rama, si asnjë politikan tjetër në Europë, në një akt të mirëfilltë antikombëtar, e bllokoi atë në dhjetor të vitit 2012 dhe në mars të vitit 2013, duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord. Ftoj të gjithë shqiptarët të festojnë këtë vendim shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt Europës! URIME!”.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, shpreh urimet e tij pwr vendimin nw profilin Facebook: “Urime Statusi! Europa ka njohur vullnetin tone shtetformues, luften kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit. Faleminderit te gjitheve!”.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook”, i uron të gjithë shqiptarëve për statusin ndërsa falënderon të gjithë ata që kontribuan për këtë ditë: “Ta gëzojmë statusin e vendit kandidat! Urime Shqiperisë dhe shqiptarëve. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë. Faleminderit të gjithë miqve tanë që besuan te Shqipëria. Faleminderit të gjithë kolegëve të mi që punuan pa lodhje duke dhënë kontributin e tyre të çmuar. Sot të gëzojmë. Nesër fillon puna. Sfida është e madhe”.
Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, “Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë.”. Pasi falënderon të gjithë në emër të qytetarëve të Tiranës, Basha kujton në deklaratën e tij në Facebook se ky “është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE”.
“Uroj që lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq”. “Ta gëzojmë statusin, – përfundon Basha – jo për shumë gjatë shpresoj, sepse tani sfida është të hapen negociatat për anëtarësim në BE!”.
“Sot u kurorëzuan vite përpjekjeje e pune pa hezitim, me lodhje por plot besim se Evropa e vlerat e saj janë destinacioni i vetëm i Shqiptarëve”, deklaron ish ministrja e Integrimit Majlinda Bregu pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për dhënien e statusit. Duke falënderuar dhe shprehur mirënjohje miqve të Evropës e Shqipërisë, deputetja e PD-së, Kryetare e Komisionit të Integrimit, falënderon në mënyrë të veçantë “të gjithë ata që për më shumë se 8 vite të gjata, ndanë me mua pasionin se ky është një udhëtim i gjatë, por jo i pamundur, ndanë momente lodhje por dhe gëzimi, nervozizmi e hera herës zemërimi”. Ajo përfundon deklaratën duke shtuar “krenare që jam pjesë e forcës politike që projektoi një Shqipëri si gjithë Europa”.
Ish-kryeministri Pandali Majko e cilëson vendimin si lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve, që pas anëtarësimit në NATO. Në një postim në Facebook, deputeti socialist Majko shkruan: “Këshilli Ministrave të Bashkimit Europian miratoi dhënien e statusit për Shqipërinë. Pas anëtarësimit në NATO ky është lajmi më i mirë për të ardhmen e shqiptarëve pa dallim. URIME”.
Presidentja e Republikës se Kosovës, Atifete Jahjaga, uron presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në njoftim për shtyp të Presidencës kosovare thuhet se, në një bisedë telefonike, me Presidentin Nishani, presidentja Jahjaga theksoi se marrja e statusit kandidat është një mirënjohje për përkushtimin e qytetarëve të Shqipërisë për rrugën evropiane dhe ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm e të përparuar.
Presidentja Jahjaga tha se “rruga evropiane e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është e pakthyeshme dhe alternativa e vetme”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përgëzon sot kryeparlamentarin e Shqipërisë, Ilir Meta: “I nderuar Zoti Kryetar, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës t’ju uroj Juve dhe mbarë popullin e Republikës së Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thekson Krasniqi në telegramin dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Duke përshëndetur vendimin e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së, angazhimin e përkushtimin e institucioneve shqiptare dhe mbarë spektrit politik të Shqipërisë, kryeparlamentari i Kosovës shpreh bindjen e thellë në suksesin e plotë të Republikës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian është dhe mbetet aspirata parësore e shqiptarëve kudo që janë”, thuhet në telegram.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat, me një dedikim të veçantë në faqen zyrtare në Facebook: “Sot, Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. Urime nga miqtë tuaj amerikanë për këtë hap të rëndësishëm përpara!”.