Nënsekretari Ruperto: “Po shqyrtojmë heqjen e taksës për familje me të ardhura të ulëta pao me shumë pjesëtarë. Është e drejtë të paguhet për kostot e lejeve të qëndrimit, por pse të imigrantët e rregullt duhet të paguajnë për dëbimet?”
Romë, 7 janar 2012 – Heqja e plotë e kontributit të ri për lejet e qëndrimitdo të jetë e vështirë dhe nuk mund të bëhet në kohë të shkurtër. Në fakt, për këtë duhet modifikuar ligji mbi sigurinë i vitit 2009, që e ka krijuar, pra duhet ndërmarrë rruga parlamentare e duhet sfiduar vetoja e Legës dhe e Popullit të Lirive.
Por gjithsesi, qeveria i ka hyrë punës për të reduktuar taksën, objektiv që dëshiron të arrijë para 30 janarit kur hyn në fuqi dekreti i firmosur nga ish ministrat Maroni dhe Tremonti.
“Që ditët e ardhshme do të shqyrtohet, bashkë me ministrinë e Ekonomisë, mundësia e reduktimit të shumës së kontributit, duke parashikuar mospagimin e tij në situata të veçanta të ardhurash apo të përbërjes së familjes” ka shpjeguar mbrëmjen e 5 janarit nënsekretari i Brendshëm Saverio Ruperto.
Me pak fjalë, revizioni i kontributit do të bëhet në mbrojtje të familjeve me shumë pjesëtarë e me të ardhura të ulëta. Por qeveria e re e ka të qartë edhe që nuk është aspak e drejtë t’u kërkosh para të huajve me leje qëndrimi për të financuar dëbimet, siç parashikon dekreti i taksës së re.
“Tjetër gjë është që imigrantët të kontribuojnë për mbulimin e shpenzimeve administrative të lëshimit dhe përtëritjes së lejeve të qëndrimit dhe të veprimtarive të tjera të lidhura me administrimin e dukurisë imigratore, e tjetër gjë është t’i detyrosh të kontribuojnë për mbulimin e kostove të riatdhesimeve të të parregulltve”.
Shqiptari i Italisë