in

Të rinjtë shqiptarë të Torinos sjellin në Bra humorin e “Pallatit 176”

Kush nuk e mban mend humorin e “Pallatit 176”? Kush nuk ka dëgjuar apo përdorur të paktën njëherë një batutë të atij teatri aq të suksesshëm?

Më 23 korrik, në orën 21.00, kush jeton në provincën e Cuneos, apo më mirë akoma në Bra, ka mundësinë të shijojë pjesë të asaj komedie. Shoqata Youthink në bashkëpunim me Grupin “176 Idee”, Artin Picarin, me mbështetjen e shoqatës  Artemia, Rrjetit italian të Kulturës popullore dhe të Komunës së Bra-së vë në skenë fragmente të kësaj komedie. Shfaqja do të jepet në Pallatin Traversa në Bra – Muzeu i Arkeologjisë, Historisë dhe Artit, rruga Parpera 4, Bra.

Pallati 176 është një komedi teatrale e vitit 1985. Në rrethana kulturore të mbizotëruara nga realizmi socialist, po dukeshin – edhe pse të zbehta – dritat e para të ndryshimit të ardhshëm. Kjo pjesë teatrale arrin të japë me zhdërvjelltësi dhe humor probleme, zakone dhe manitë të familjeve shqiptare në mëdyshje mes ngurtësisë së sistemit komunist dhe kërkimit të një normaliteti – qoftë edhe vetëm në dukje – në jetët e tyre të përditshme. Shumë shpejt Pallati 176 fiton famë mbarëkombëtare si asnjë tjetër pjesë teatrale. Publiku i të gjitha moshave e ka bërë aq për vete komedinë sa batutat e saj u bënë pjesë e gjuhës së përditshme, madje përdoren edhe sot nga të rinj që as nuk kishin lindur kur Pallati 176 u shfaq për të parën herë.

Shoqata kulturore Youthink lind në vitin 2006 nga takimi mes personash me karakteristika të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, por me nëj pikë të përbashkët: Torinon, qytetin ku jetojnë. Emri i zgjedhur nga shoqata, Youthink, simbolizon punën kërkimore themelore të këtij grupi: për mendimin e ri.

Grupi teatral 176 Idee, i përbërë nga të rinjtë Aldi Pupuleku, Evelina Skara, Imelda Ali, Dafina Ikonomi, Eliona Sako, Leonard Kokthi, Ervin Metko, Jonila Basho, Auora Kokici, Gerta Beqiri, Ana sako, ka prezantuar me sukses pjesë nga kjo komedi edhe verën  e shkuar në Torino, gjatë Festivalit ndërkombëtar të gojëdhënave popullore.

 

 

Filmi “Tirana viti 0”, më 21 korrik në Terni

Postat Italiane nxjerrin në shitje apartamentet e tyre por jo për emigrantët