Programi i famshëm i BBC, Top Gear, shumë i njohur edhe ndër shqiptarë, ka shfaqur të dielën një episod të xhiruar në Shqipëri. Ashtu siç kishin bërë pak kohë më parë me Meksikën, që i kishin etiketuar me shaka si “vend të papërgjegjshëm dhe dembel”, këtë herë etiketuan Shqipërinë si “çerdhe të hajdutëve të makinave”. Me humor natyrisht, duke qenë se episodi i radhës u xhirua në Shqipëri.
Prezantuesi i programit Jeremy Clarkson, bashkë me dy kolegë të tij, teksa shkojnë rrugëve të jugut të Shqipërisë, duke u hequr sikur po testojnë veturën e porositur nga një bos shqiptar mafioz, gjejnë rastin të tregojë për rrugët e këqija, për numrin e lartë të veturave të tipit Mercedes, por edhe të bëjnë batuta mbi makinat e shumta me targa angleze. “Me sa duket, ajo që ndodh është se shqiptarët shkojnë në Angli, gjejnë një punë, blejnë një makinë dhe pastaj kthehen bashkë me të”, thotë Clarkson. Shakaja shkon edhe më tej kur drejtuesit e emisionit pyesin publikun çfarë domethënë në shqip, fjala makinë në anglisht (Car). Në studio, gjatë të njëjtit emision, si për t’i dhënë shakasë ngjyra vërtetësie, është treguar historia se si një ministër i qeverisë shqiptare ishte zënë ngushtë, kur makina e tij ka rezultuar e vjedhur nga një pikë kontrolli të policisë kufitare greke.
Emisioni në fjalë pati edhe vëmendjen e The Guadian që mes të tjerash në shkrimin me titull “Top Gear sërish në sulm – tani e ka radhën Shqipëria” shkruan se nuk ka asnjë reagim ndaj emisionit nga ambasada shqiptare në Londër, ndryshe nga ç-kish bërë ajo meksikane. “Për fatin e mirë të BBC-së, duket se diplomatët shqiptarë i marrin këto lloj deklaratash më me gjakftohtësi sesa homologët e tyre Meksikanë”, shkruhet në The Guardian.
Lexo artikullin në The Guardian