in

Tre të rinj shqiptarë, heronj për një ditë. Shpëtojnë të moshuarën nga flakët

Rina Delfino, 80 vjeçe, i ka shpëtuar zjarrit që kish rënë në apartamentin e saj falë ndërhyrjes së menjëhershme të tre të rinjve shqiptarë

Romë, 31 tetor 2013 – “Ndërhyrje heroike shpëtimi”, “Të rinjtë heronj shpëtojnë të moshuarën”. Kështu titullojnë mediat lokale lajmin e shpëtimit të një të moshuare nga flakët falë ndërhyrjes së menjëhershme të tre të rinjve që, më pas, mësohet se janë shqiptarë.

Emrat e tyre nuk dihen, ndërsa gruaja e shpëtuar është 80-vjeçarja Rina Delfino që jeton në një apartament në katin përdhes të një pallati në rrugën Vanini në Savona.

Rreth orës dhjetë të darkës, apartamenti i saj ka marrë flakë, ndoshta për një problem elektrik. Tre të rinjtë që kanë qenë duke kaluar në rrugë kanë pikasur tymin që dilte nga dritarja e gruas dhe kur kanë parë përmes zxhamave kanë parë që në apartament kishte një person. Njëri prej tyre ka nisur t’i bjerë me forcë  dritares, të tjerët kanë shkuar të trokasin në derë, deri kur gruaja ka arritur t’ua hapë. Në atë çast e kanë tërhequr me forcë, sepse gruaja me sa duket nuk po kuptonte çfarë po i ndodhte përqark, dhe e kanë nxjerrë në rrugë.

Ndërkaq fqinjët kanë thirrur ndihmën e shpejtë e në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe ambulanca. Zjarri është shuar brenda pak minutave ndërsa e moshuara në gjendje jo të kthjellët mendore, ndoshta nga frika, ndoshta e helmuar pak nga tymi i thithur, është dërguar në spital. Në fakt edhe djemtë që e kanë shpëtuar u treguan mjekëve se nuk donte të dilte nga shtëpia dhe se atyre u është dashur ta nxjerrin jashtë me forcë, kundër vullnetit të saj.

Red. Shqiptari i Italisë

 

Ruletë ruse me shokët. 20-vjeçari përfundon në koma me plumb në kokë

Sarah Memmola, një italiane në X Factor Albania