Paditet nga e shoqja e bijtë
Romë, 3 shtator 2013 – Një shqiptar 56 vjeç rezident prej më shumë se 20 vjetësh në Varese është arrestuar më 1 shtator në aeroportin e Malpensës. Duhet të përgjigjet për keqtrajtime në familje, kërcënime dhe rrahje.
Ka qenë e shoqja, edhe ajo shqiptare, e bijtë, dy në moshë madhore e një 17 vjeç, të lindur e të rritur në Itali, që kanë denoncuar dhunën dhe babai i familjes ka ushtruar mbi ta.
Në gusht familja ka qenë në Shqipëri ku ka ndodhur edhe episodi i fundit i dhunës: burri ka lidhur gruan me krevat, e ka kërcënuar me vdekje dhe e ka rrahur për ta bindur t’i rrëfejë tradhëtinë bashkëshortore të imagjinuar prej tij. Falë ndërhyrjes së një të afërmi që ka dëgjuar britmat e gruas, kjo e fundit ka arritur të lirohet e t’ia mbathë. Pa i thënë gjë të shoqit ka marrë fëmijët dhe është kthyer në Varese. Të katërt janë paraqitur në polici e kanë paditur 56 vjeçarin. Kanë treguar për dhunën që ushtrohej nga babai e bashkëshorti prej 20 vjetësh tashmë. Kanë treguar histori të tmerrshme, shenja rrahjesh në trup, fotografi plagësh, referte mjekësore mbi plagë nga më të ndryshmet të justifikuara në vite herë si përplasje pas një dere herë si zënie me një shok klase.
I mbyllur në burgun e Busto Arsizios, 56-vjeçari do të gjykohet për vitet e dhunës së ushtruar ndaj familjarëve.